“Lulëzimi" dramatik i pikave të basteve në Shqipëri

“Lulëzimi" dramatik i pikave të basteve në Shqipëri
Shqipëria pa librari dhe pa terrene sportive, sot me mbi 4 mijë pika bastesh dhe dënimi i Skënderbeut

Vetëm tre kompani të pikave të basteve, të licencuara nga Ministria e Financave 

Skuadra më e suksesshme shqiptare pas viteve ’90 është dënuar me 10 vjet mospjesëmarrje në Kupat e Europës. Kjo është një pjesë e vogël e dramës që shoqëron sportin në vendin tonë prej vitesh. Raporti i UEFA-s që çoi në penalizmin e Skënderbeut me 10 vjet nga Kupat e Europës vlerëson se industria e basteve në Shqipëri realizon të ardhura vjetore deri në 150 milionë dollarë. Raporti përmend disa prej kompanive kryesore të basteve sportive në vendin tonë, por që asnjëra nuk është e licencuar. Në raport përmenden lidhjet e këtyre kompanive me drejtuesit e klubit nga Korça, për të cilët dyshohet se kanë fiksuar rezultatet e takimeve që dyshohet se janë manipuluar. Top Bast, një nga kompanitë më të mëdha të basteve sportive në Shqipëri me mbi 1 mijë pika bastesh në një vendin tonë, konsiderohet si kompania kyçe në këtë skemë. “Top-Bast është një kompani bastesh në Shqipëri dhe sponsor i Skënderbeut,” shkruhet në raport. Sipas tij, bastet viheshin në internet dhe mund të kanalizohen në tregun aziatik të basteve përmes SBObet, rrjedhimisht duke krijuar të ardhura më të mëdha,” vijon raporti. Vlerësohet se pa llogaritur skemat e basteve “on-line”, disa prej të cilave funksionojnë në mënyrë të paligjshme, vendi ynë me mbi 2.8 milionë banorë, numëron zyrtarisht mbi 4 mijë pika bastesh. Në kryeqytet, ato mund t’i gjesh në një afërsi çdo 10 metra apo mesatarisht në çdo 100 metra. Pikat e basteve i has kudo, saqë bibliotekat dhe libraritë apo ambientet sportive nuk gjenden gjëkund. Situata e pikave të basteve, krahasuar me zhvillimin e sportit profesionist, artit dhe kulturës, apo arsimit në vend tonë, përbën një ndër dramat më të madha sociale në historinë e vendit tonë.

Fenomeni, zhdukja e fushave u la vendin basteve sportive

Para viteve ’90, numëroheshin në Tiranën e më pak se 300 mijë banorëve, mbi 24 fusha futbolli. Sot që kryeqyteti ka mbi 800 mijë banorë, ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, Bejkush Birçe, pak kohë më parë i revoltuar pranoi për “Albanian Free Press” se nuk ka mbetur asnjë prej fushave ku përgatiteshin dikur të rinjtë e Tiranës. Në vend të tyre, gjen ndërtesa dhe brenda ndërtesave me siguri, sa disa nga pikat e shumta të basteve që numërohen në tërë vendin tonë.

Heshtja e prokurorisë nxiti UEFA-n në dënimin ekzemplar

Në shumë vende të Europës ka pasur skandale të mëdha të fiksimit dhe trukimit të ndeshjeve të futbollit, madje kanë përfunduar në qeli drejtues klubesh të njohura, futbollistë dhe gjyqtarë futbolli, në vende me futboll të zhvilluar si Gjermania, Itali, Angli, në Turqi apo edhe në vend me shkallë të ulët kriminaliteti si Norvegjia. Në Shqipëri ka pasur hetime nga organet kompetente shqiptare, por dosjet janë pushuar për mungesë provash, pa asnjë të ndaluar. Ky fenomen e detyroi organin qeverisës të hetojë Skënderbeun. “UEFA nuk do të hynte për të bërë një procedurë hetimi dhe gjykimi, ajo vetë për një klub futbolli,  që është për herë të parë e aplikuar në këtë rast. Pra, për gjykimin tim, një pjesë e përgjegjësisë së këtij dënimi duhet t’i atribuohet edhe prokurorisë shqiptare që nuk i doli “të keqes” përpara,” nënvizoi Shyti për “Albanian Free Press”. Megjithatë, CAS, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv do të jetë ajo që do të japë verdiktin final, për pastërtinë e Skënderbeut, pasi ngjan absurde që një klub shqiptar të jetë “maja e ajsbergut” të manipulimit të ndeshjeve, në një kontinent si Europa, që dominon futbollin botëror dhe qarkullon miliarda euro.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: