Kylian Mbappé, shkëlqimi i një ylli të ri francez 

Kylian Mbappé, shkëlqimi i një ylli të ri francez 
Bota e magjepsur nga paraqitja e 19-vjeçarit  pas arritjes së Francës në finale të Kupës së Botës. Mes admiruesve të shumtë të talentit të ri Francës edhe Pele e Maradona 

Aranit Muraçi

Me një shpejtësi mbresëlënëse dhe me një teknikë të lartë kundër Belgjikës, pavarësisht dhimbjes së shpinës, Kylian Mbappé, i la të gjithë të befasuar. Ai nuk befasoi vetëm tifozët. Ylli i ri francez mori lëvdata nga shumë yje të botës së futbollit, që nga fillimi i Kupës së Botës.

Më pak se tre vjet më parë, Kylian Mbappé nuk luante me ekipin e parë të Monaco. Si mund të imagjinohej se ai do të ishte një nga favoritët për titullin e lojtarit më të mirë në finalet e Kupës së Botës 2018, që mund të fitohet nga ekipi i Francës? Sulmuesi i PSG-së, me të cilin sezonin e fundit fitoi titullin kampion, Kupën dhe Kupën e Ligës së Francës, po rritet shumë shpejt. Me një shpejtësi të jashtëzakonshme para syve të të gjithëve.

E nisi pa rënë në sy në ndeshjen e parë kundër Australisë, u shfaq pak më shumë interesant kundër Perusë, por në të vërtetë filloi të shkëlqente kur ajri për të tjerët u bë më i rrallë për frymëmarrje, në ndeshjet vendimtare. Ai i hapi rrugën kualifikimit të Francës kundër Argjentinës (4-3), me një dopietë që ngjalli admirimin e spanjollit Puyol, Arbeloa, por veçanërisht të Pele.  “Urime, Mbappe. Dy gola në një Kupë Bote. Fat të mbarë në ndeshjet e tjera.” Ishte ky mesazhi i legjendës braziliane që lëshoi nga Brazili për lojtarin i cili nisi shkëlqimin në një moshë, gati sa të Pele-s dikur. “Ai mësoi nga më të mirët: Neymar, Griezmann. Kylian Mbappé u fut në një dimension tjetër kundër Argjentinës. Atë ditë, ai tregoi për vlerën 150 milion euro (pati kritika kur e bleu PSG), se meritonte një vlerë dy herë më shumë”, tha Jorge Valdano në kronikën e tij të analistit. Mbappe, i fortë si çeliku, i shpejtë si era, zgjodhi të fillojë revolucionin e tij ditën që Messi dhe Cristiano Ronaldo u larguan nga Kampionati Botëror. Bëri një debutim të bujshëm në historinë e futbollit, duke fshirë gjithçka para tij. Nuk kishim parë një shpejtësi të tillë të një lojtari, që nga braziliani Ronaldo.

I fortë kundër Uruguait, ai shkëlqeu edhe kundër Belgjikës. Rio Ferdinand vlerësoi rolin e tij të dyfishtë në sulm me Giroud, ku u shfaq shesh përballë portierit belg, Courtois. Arritjen e Francës në finale, ai e sheh si një mision të pandalshëm falë yllit të saj të ri. - “Si të ndalet Mbappé? Shikoni në qiell dhe kërkoni ndihmë. Ai kur luante me shokët e tij, dukej sikur vallëzonte... në gjysmëfinale të Kupës së Botës! Në fakt, ai është vetëm 19 vjeç”, ka qenë mesazhi plot entuziazëm i  Rio Ferdinand. Përveç Pele, është edhe Diego Maradona, “Dora e Zotit”  i cili shkroi historinë i vetëm në botërorin ’86, ai që i thur lavde Mbappé: "Më pëlqen shumë. Ky është zbulimi i Kupës së Botës për mua. Çfarë e ndal atë për Topin e Artë? E kush duhet të thotë më shumë për një yll futbolli, shkëlqimi i të cilit erdhi si papritur-papandehur.

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: