Kur vdekjet shndërrohen në mit në Facebook, si borgjezia po ngre në kult revolucionarët

Kur vdekjet shndërrohen në mit në Facebook, si borgjezia po ngre në kult revolucionarët
Vdekja e personaliteteve të famshëm si e Fidel Kastros dhe simpatia ndërkombëtare e lançuar për ta në rrjetet sociale nën vështrimin e studiueses shqiptare në Itali, Majlinda Fani

Nga Mark Brunga

Vdekja e personaliteteve të larta gjithnjë ka tërhequr vëmendjen e popujve, kryesisht të atyre që u përkasin, por kur kanë pasur impakt ndërkombëtar, edhe të popujve të tjerë. Kujtojmë vdekjen e diktatoreve si Stalini, por edhe vdekjen e Enver Hoxhës në vendin tonë.

Studiuesja durrsake me banim në Itali, Majlinda Fani, ka vënë në qendër të një studimi një rast të veçantë. Atë të vlerësimit që u bëhet figurave të udhëheqësve proletare nga përfaqësues të shtresa të larta shoqërore që vijnë nga majat e borgjezisë aristokratike. Dhe impaktin që kanë sot rrjetet sociale, duke shumëfishuar progresivisht simpatinë për këto figura.

Aq më shumë kur për këto figura shprehin opinione pozitive figura të shquara të borgjezisë elitare, si në rastin e statusit të një personazhi të njohur të modës milaneze V. Volpicella për Fidel Castron dhe Che Guevaren.

Pse kaq shumë “sukses” nga vdekja?

Majlinda Fani shkruan: Ndodh shpesh tashmë, që të njihemi me lajmet e fundit nga bota, ndërsa kalojmë nga një figurë a njoftim të rrjetit social, qoftë edhe shkarazi, pa u përqendruar, dhe orteku i pamjeve të çdo lloji, ngacmon automatikisht vëmendjen tonë. Mund të themi që nuk kanë munguar njoftimet gjatë vitit të fundit, e ndërmjet tyre, për vdekjen e personazheve të famshëm ka qenë e vazhdueshme, po aq dhe botimi i shkrimeve post – përkujtimorë, përkushtuar këtyre të fundit.

Vdekja e David Bowie, Prince, Leonard Cohen e George Michael ka nxitur reaksione jashtëzakonisht të mëdha në Facebook.

Kur një person i famshëm vdes, faqet e njoftimeve, të rrjeteve sociale transformohen në shprehje çjerrëse të një vaji kolektiv të papërmbajtshëm. Bëhet pothuaj e paevitueshme të klikosh një figurë të këtyre personazheve, të postuara nga “shokë të përbashkët”, duke sjellë kështu një shumëfishim progresiv.

Por, sa persona kanë pasur në të vërtetë një lidhje shpirtërore kaq të fortë me këta personazhe dhe me atë që kanë përfaqësuar në jetë, që të shprehin kaq shumë admirim e dhimbje për vdekjen e tyre?

Vdekja e Fidel Kastros

Pas një vargu të gjatë vdekjesh të famshme, me 25 nëntor vdes Fidel Kastro; një figurë e spikatur ndërkombëtare, me një kompleksitet të tillë, që nuk mund të lihet pas dore për t’u njohur me reagimin që pati në rrjetet sociale.

“Kam qëmtuar profilet e gazetarëve të ndryshëm edhe të historianëve dhe kam shkuar, rastësisht, të eksploroj profilet e personave, që mendoja se nuk do të kishin lidhje të veçanta me politikën. Jam ndeshur edhe këtë herë me një ortek post - përkujtimoresh, me shumë citate të frazave të famshme të shprehura nga lideri i madh kuban. Të shumta janë pamjet ku Kastro është përkrah të Che Guevares, dhe ato me përmbajtje e thënie mikluese për revolucionin”, shkruan studiuesja Fani.

Një figurë kaq e diskutueshme si ajo e Kastros, shpesh e cilësuar, deri një ditë para vdekjes, si një diktator nga mediat, brenda pak orësh u kthye në mit në Facebook .

Mund të thuhet se ka qenë ai vetë një viktimë, pa dijeninë e tij, të një idealizimi të çastit.

Borgjezia e shndërron në mit

“Ndërmjet pamjes së shumë figurave dhe të leximit të komenteve, më ka prekur në mënyrë të veçantë shprehja pikëlluese dhe mirëdashëse e theksuar ndaj posterave për revolucionin të shprehura nga një personazh i njohur i modës milaneze V. Volpicella, konstaton studiuesja shqiptare. Ndjek prej kohësh profilin e Volpicellës dhe kam arritur të konstatoj, prej posterave të saj, se nuk ka shenja që e lidhin me parimet e komunizmit. Megjithatë, ajo për ditë të tëra ka postuar imazhe që paraqisnin Kastron; frazat e tij më të famshme, duke pozuar së bashku me Che Guevara”.

Ndryshe nga të tjerët, Volpicella ka vazhduar të përkujtojë Kastron me postera edhe në ditët në vazhdim, kur ka shkuar në Havana, si tregohet dhe nga imazhet e publikuara gjatë udhëtimit të saj. Në këto foto mban gjithmonë beretën e gjelbër me yllin prej pesë cepash, simbol i revolucionit kuban dhe jo vetëm. Ka çaste që të shkon mendja te Che ose te Kastro, meqenëse bereta natyrisht është e njëjtë. Imazhi i postuar së fundmi, për temën në fjalë, e paraqet ndërsa mban beretën e famshme, të shoqëruar me një fund me lule, shumë të gjatë, me një çarje vertikale marramendëse, shumë të bukur. Foto është klikuar nga 2750 ndjekës, (shifër kjo që i përket fundit të vitit të kaluar).

Ndoshta Facebook kishte bërë të mundur diçka magjike. Simboli i revolucionit ishte larguar kështu me shpejtësinë e dritës nga kuptimi i tij real, aq sa të plotësonte kaq natyrshëm një fund të gjatë me çarje. Ky i fundit, e panevojshme të thuhet, me Fidelin dhe me revolucionin komunist, nuk kishte të bënte fare.

 

Kush është Majlinda Fani

Majlinda Fani ka lindur në qytetin e Durrësit në vitin1978, nga dy prindër arsimtarë. Ka mbaruar shkollën e lartë në Itali në Universitetin e Bolonjës në degën “Histori Arti ”. Ka marrë pjesë nëpër ekspozita me punimet e saj duke qenë disa herë edhe kuratore. Në studimet e saj, trajton probleme të ndryshme të kohës.

 

 

Che Guevara

Ernesto Guevara, lindi më 14 qershor të vitit 1928 në Rozario të Argjentinës dhe u vra më 9 tetor të vitit 1967 në fshatin La Higera të Bolivisë. Që nga ajo ditë Che Guevara kaloi në pavdekshmëri dhe u bë legjendë dhe simbol për miliona të rinj revolucionarë në botë. Fjala e tij më e preferuar ishte : Hasta La Victoria Siempre! (Deri në fitore përgjithmonë). Për komunistët, figura e tij ishte ajo e një njeriu që nuk mposhtet kurrë përpara çdo të keqeje që mund t’i vijë, dhe lufton deri në fund për idealet e tij; për antikomunistët figura e tij ishte ajo e një komunisti të dhunshëm, vrasës brutal e i pamëshirshëm, që ekzekutonte me dorën e tij ata që e kundërshtonin.

 

Fidel Kastro

Fidel Kastro ishte udhëheqësi komunist më jetëgjatë në pushtet. Në vitin 1950, ai organizoi studentët kundër imperializmit amerikan. Një vit më vonë ai sulmoi latifondistët, duke kërkuar drejtësi për fshatarët dhe punëtorët kubanë. Në vitin 1953, Fideli vihet në krye të një grupi ushtarak ish-studentësh dhe pas pak muajsh ai vihet në qendër të një grupi të rinjsh teksa drejton luftën kundër diktatorit Batista. Më 26 gusht 1953 shpall fillimin e revolucionit, por dështon, pasi shumë nga anëtarët e tij burgosen, mes tyre dhe lideri Fidel Kastro, i cili u mbajt i izoluar në ishullin e Pinit. Në gjyq ai nuk mori avokat duke mbrojtur veten e duke shpalosur elokuencë dhe argumente të forta kundër regjimit të Batistës. Lirohet nga një amnisti në maj 1955, bashkë me të vëllanë, Raul Castro. Vëllezërit vendosin të ikin në Meksikë, ku takon dhe mikun e tij argjentinas Ernesto Che Guevara, i cili ishte vetëm 22 vjeç dhe i sapodiplomuar në Buenos Aires për mjekësi. Kastro organizoi reparte guerile dhe sulmin kundër regjimit kuban. Në vitin 1957 ai korr fitoret e para, ndërsa në 1958 ushtria e tij rritet shumë. Në krah kishte gjithnjë Che Guevarën. Më 31 dhjetor 1958, Batista arratiset në Santo Domingo dhe në fillim të vitit1959, Fidel Kastro merr pushtetin.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: