Kukësi kërkon nderin e Shqipërisë në Europë, trajneri Cungu për kualifikimin: Kemi shpresë

Kukësi kërkon nderin e Shqipërisë në Europë, trajneri Cungu për kualifikimin: Kemi shpresë
Kukësi mund të jetë skuadra e vetme shqiptare që do të mbetet në Europë pas mesjavës, nisur nga rezultati i ndeshjes së parë. Laçi humbi 3-0 me Molde në transfertë, e vlefshme për turin e dytë të Europa League, rezultat që jep pak shanse kualifikimi të enjten, në kthim.

Por Kukësi me barazimin 0-0 në turin e dytë të Champions, pavarësisht se ndeshja e kthimit me Qarabag do të luhet në Azerbajxhan, shpreson kualifikimin. Mjafton të ruhet rezultati i bardhë dhe të shkohet te penalltitë.

Misioni i Kukësit në Baku përballë Karabakut nuk është i thjeshtë, por barazimi 0-0 në ndeshjen e parë i jep shanse. Armando Cungu nuk fshihet, duke pranuar se ekipi i tij do ta provojë të përmbysë të gjitha parashikimet, të martën në Azerbajxhan.

“Aq kohë sa rezultati është 0-0 të jep shpresë për kualifikim. E rëndësishme është që ekipi të luajë me dëshirën dhe karakterin e ndeshjes së parë. Tani pse jo mos ta provojmë. Lojtarët nuk i dhanë mundësi këtij kundërshtari të na godiste.”

Rezultati të jep mundësinë dhe kërkon të jemi të kujdesshëm. Nuk duhet të nervozohemi në momentin e finalizimit.

Në sfidat me eliminim direkt pas barazimit pa gola në Shkodër, trajneri Armando Cungu beson se presioni është te Karabag.

“Patjetër që po përgatitemi për çdo gjë. Presioni është te kundërshtarët.”

Rexhinaldo, i fundit që iu bashkua ekipit pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen, edhe pse mund të ketë vetëm disa minuta në dispozicion.

“Ardhja e Rexhinaldos është një vlerë më tepër dhe një ndihmë më tepër për Kukësin, në Europë dhe në kampionat. Besoj që do të jenë të gjithë gati.”

Shpërndajeni me miqtë tuaj: