Kujtimet e Rita Markos: Takimi im i parë me Enver Hoxhën...

Kujtimet e Rita Markos: Takimi im i parë me Enver Hoxhën...
EKSKLUZIVE/ “Albanian Free Press” vijon me botimin e dorëshkrimeve personale, të cilat përmbajnë kujtime të rralla të ish-anëtarit të Byrosë Politike, Rita Marko

“Për herë të parë, Komandantin e Përgjithshëm, shokun Enver Hoxha, e takova një ditë gushti të vitit 1943. Ballë një grupi njerëzish të armatosur, në mes tyre, hipur mbi kalë, dukej  dikush që së largu të jepte përshtypjen se ishte ndër ta më kryesori…” Kështu e përshkruan takimin e parë me Enver Hoxhën, ish-udhëheqësin e Luftës Nacional-Çlirimtare dhe të pushtetit popullor pas saj, Rita Marko, ish-anëtarit të Byrosë Politike. Në dorëshkrimet e tij të radhës që “Albanian Free Press” po sjell ekskluzivisht për lexuesin për të nëntin numër radhazi, ai tregon pikërisht përshtypjet nga ky takim, por edhe disa cilësi të Hoxhës, që sipas tij ishin mjaft të rëndësishme dhe e bënin atë një lider të kompletuar...

Përgatiti: Albert Zholi

(Vijon nga numri i kaluar)

Tek populli gjenim strehimin, ushqimin, frymëzimin

Përshtypje të Rita Markos nga fakti sesi shumica dërmuese e shtëpive të fshatrave dhe qyteteve u kthyen në baza  shumë të sigurta të çetave partizane

Për bujarinë e mikpritjen e popullit tonë, për patriotizmin, për trimërinë, për besën, që siç thotë populli “shqiptari kur jep fjalën ther djalën”, kemi dëgjuar e lexuar nëpër libra, e kemi provuar dhe e kemi parë me sytë tanë. Kam parasysh  gjithnjë dashurinë që kishte poeti ynë kombëtar, Naim Frashëri, për mëmëdhenë, për letrën që i dërgonte Naum Veqilharxhi nipit të tij në Vjenë, për poezinë e Fan Nolit “Kush më bëri shqiptar” etj.

Partia Komuniste Shqiptare, e udhëhequr  nga Komiteti  Qendror me në krye shokun Enver Hoxha, duke ndjekur  vijën e saj të drejtë marksiste-leniniste, u bë shumë e dashur dhe e shtrenjtë për popullin, u bë drita dhe flamurtarja e tij. Partia organizoi Luftën Nacional-Çlirimtare kundër okupatorit për çlirimin e vendit, e edukoi popullin  me ndjenjat  e larta të patriotizmit, kaliti virtytet  më të mira të tij, të trashëguara brez pas  brezi dhe i ngriti ato më lart, duke pasuruar përmbajtjen e tyre, zhduku  armiqësitë, ndasitë fetare dhe ngriti popullin në revolucion. Këto bënë që ne, partizanët e UNÇLSH, të gjejmë një mbështetje  të fuqishme, dashuri e respekt  të thellë në popull. Populli na furnizoi me ushqime, me veshje e mbathje, na lau he na pastroi. Shumica dërmuese e shtëpive të fshatrave dhe qyteteve tona u kthyen  në shtëpi-baza  shumë të sigurta të çetave  partizane.

Ndërlidhja ishte e dobët  dhe komunikacioni i vështirë. Nuk qe e lehtë  të lëvizje nga një vend në tjetrin. Populli ishte fukara dhe vuante, por megjithatë, ai e ndihmonte luftën tonë. Fjala e partisë, direktivat dhe udhëzimet e saj  përhapeshin si vetëtima. Ushqimi  dhe veshja partizane sigurohej nga populli. Po të bëhet llogari, kushedi sesa miliona do të duheshin për këtë.

Populli kafshatën e bukës ua hoqi nga goja fëmijëve të tij dhe e ndau me partizanët e nën udhëheqjen e partisë dhe të shokut Enver Hoxha, ai dëboi okupatorët, çliroi atdheun, vendosi  pushtetin popullor dhe u bë zot i vendit dhe i fateve të tij. Epoka e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare qe dhe mbetet epoka më e ndritur  e historisë së popullit tonë.

Enver Hoxha, udhëheqës i madh popullor. Gjithë jetën i lidhur e i shkrirë njësh me popullin

Përshtypje të ish-anëtarit të Byrosë Politike për ish-liderin e komunizmit, Enver Hoxha

Enver Hoxha ishte udhëheqës  i madh popullor, me mendje të ndritur e shpirt të paanë. I peshonte e i zgjidhte kurdoherë drejt e shpejt  problemet e mëdha të partisë e të shtetit, depërtonte  me lehtësi  e shumë njerëzishëm në botën e brendshme të njerëzve. Tronditej e shqetësohej pa masë kur mësonte për hallet e brengat e tyre dhe me po të njëjtën ndjeshmëri shpirtërore, mrekullohej e ngazëllehej kur shikonte e dëgjonte mirë  për ta. Me ndjenjë të vetëdijshme detyrimi mora,l po vihem edhe unë të shkruaj kujtimet e mia modeste, që i ruaj thellë në mendje e në zemër  si gjërat më të çmuara e më të shtrenjta.

Takimi i parë me shokun Enver Hoxha

Si e ruan në mendje Rita Marko takimin e tij të parë me udhëheqësin e luftës dhe të pushtetit pas saj

Për herë të parë, Komandantin e Përgjithshëm, shokun Enver Hoxha, e takova një ditë gushti të vitit 1943. Së bashku me disa partizanë të çetës së Gorës, pasi patëm udhëtuar gjatë nëpër rrugët e malet e Voskopojës, u ulëm të preheshim në një vend  disi të sheshtë. Nuk zgjati ca, kur jo shumë larg nesh dha ballë një grup njerëzish të armatosur. Në mes tyre, hipur mbi kalë, dukej  dikush që së largu të jepte përshtypjen se ishte ndër ta më kryesori. U çuam disi të  shqetësuar. “Vdekje fashizmit!”, na përshëndetën; “Liri popullit!”, ua kthyem. Dhe e liruam rrugën që të kalonin, ai që ishte mbi kalë kërceu mbi tokë, na u afrua dhe na shtrëngoi dorën të gjithëve me radhë. Ëmbël e ngrohtë na  pyeti se të kujt  njësie ishim. Më pas, ashtu natyrshëm e thjesht, u interesua për luftimet që ishin zhvilluar  kohët e fundit në zonën  e Korçës  dhe për gjendjen  moralo-politike  të partizanëve.

Prej kujdesit të atyre që e shoqëronin, partizanët e kuptuan me lehtësi se njeriu me të cilin flisnim  duhej të ishte shumë i rëndësishëm. Rrobat partizane i binin bukur pas trupit, ndërsa kapelja e anuar mbi sy, me yllin e kuq, i jepte fytyrës së tij të plotë e të hijshme një pamje që të impononte respekt. Me aq sa dinim, e informuam. Na dëgjoi me shumë vëmendje. Më në fund, i kënaqur, tha: “Domethënë, armiku dhe reaksioni nuk patën ç’të na bënin. Thanë se do të na shfarosnin, po ne ja ku jemi, më të fortë dhe do të fitojmë”.

U takua sërish me ne dhe u  nis  përsëri për rrugë. Një copë herë të tërë e ndoqëm me sy. Unë që e kisha parë profesorin në Korçë dhe e njihja, paçka se nuk qeshë takuar me të, u thashë shokëve : “Ishte Enver Hoxha, udhëheqësi i punëve”. Kështu e njihnim atëherë. Ata shprehën  njëkohësisht habi dhe gëzim të madh.

Atë ditë të takimit të parë, as që mund ta shkoja ndër mend se pas një viti, unë do të isha në Berat e pastaj në Tiranë pranë  Komandantit, në Batalionin Special të Sigurimit të qeverisë demokratike dhe të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare.

Si komisar i Batalionit Special Partizan në Berat, qëllonte që merrja detyra drejtpërdrejt nga Komandanti. Në fillim isha ca i ndrojtur, sepse të them të drejtën, me shtatin e lartë, me uniformën e bukur ngjyrë deti, të mbajtur me aq kujdes, si një ushtarak i lindur, Enveri  më bënte përshtypje të veçantë. S’di sesi ta shpreh, ai më impononte respekt. Edhe detyrat i komunikonte shkurt, por të qarta.

M’u desh kohë të mësohesha me kërkesat që më shtroheshin dhe përpikërinë në shërbim, me disiplinën dhe me rregullin që kërkohej  të karakterizonte batalionin. Për të gjitha këto, megjithë ngarkesën e madhe e netët pa gjumë (se në Berat ai hartonte jo vetëm planin e goditjes përfundimtare për çlirimin e plotë të vendit, por edhe përpunonte idenë e ndërtimit të Shqipërisë së re), shoku Enver Hoxha gjente kohë të interesohej për të gjithë, përfshirë edhe për qytetarët beratas. Shpeshherë, pyeste gjithë interesim: “Si janë partizanët? Kujdesuni që me mundësitë që kemi, të vishen mirë, të ushqehen si duhet, sepse bëjnë shërbime dhe lodhen”. Pastaj na këshillonte sesi të komunikonim me efektivin e batalionit, se ç’punë   politike dhe përgatitje ushtarake të zhvillonim me partizanët, etj.

Batalionit tonë i takoi barra dhe nderi për ta shoqëruar e siguruar qeverinë demokratike nga Berati në Tiranë. Në tërë këtë itinerar na u desh të kalonim nëpër  rrugët e shkatërruara, mbi trape për të kapërcyer Osumin, Semanin e Shkumbinin, mbi urat e shkatërruara  prej armikut. Dhe ia arritëm qëllimit: Qeveria u fut triumfalisht në Tiranë.

Ç’tendosje patëm ato ditë e netë! Të tërë sa ishim, partizanë të thjeshtë, komandantë e komisarë ndjenim barrën e rëndë të përgjegjësisë para atdheut dhe popullit, që Enveri me shokë të mbërrinin në kryeqytetin e çliruar me çdo kusht shëndoshë e mirë. Dhe dolëm faqebardhë.

Në Tiranë puna  mori tjetër pamje. Batalioni gradualisht u kthye në Gardën e Republikës, tashmë me koncepte më të gjera e më të qarta  për shërbimet. Vazhdova edhe ca kohë punën, derisa një ditë u ngarkova me detyra të tjera. Me shokun Enver  në Tiranë takohesha rrallë. Isha tepër i kënaqur që e shikoja, prandaj ndarja me të më dëshpëroi. As që më shkonte ndër mend se nuk do të kalonin veç  dy-tre vjet dhe unë përsëri do të kthehesha përsëri pranë udhëheqësit të dashur, këtë herë në Komitetin Qendror të Partisë, si nxënës e njëkohësisht si bashkëpunëtor i Enverit. Dhe do të vazhdoja të punoja mëse 33  vjet përkrah tij. Ishte ky nder, privilegj dhe fat i madh njëkohësisht.

***

Enver Hoxha punoi me mish e me shpirt, që pushteti i KNÇ i lindur, siç thoshte ai nga gryka e pushkës gjatë luftës në male, të ishte sa  më i fortë, të qeveriste me autoritet të plotë, të demokratizohej pa pushim, të ruhej  kurdoherë i pastër nga sëmundjet e rrezikshme të  teknokratizmit dhe liberalizmit.

Në këto shënime nuk do të ndalem në rolin e veçantë të udhëheqësit të dashur për krijimin dhe forcimin e pushtetit tonë, por do të sjell  ndonjë kujtim nga bisedat me të, të cilat shprehin përkushtimin  e tij të madh për mbarëvajtjen e punëve të organeve të pushtetit dhe për rritjen e rolit të të zgjedhurve në këto organe.

Kujdesi i shokut Enver ka qenë kurdoherë i madh, veçanërisht  për  këshillat  popullore. Me merak të veçantë, ai ka punuar që ato të ishin me të vërtetë të pushtetshme, të kishin kompetenca të përcaktuara me ligj. Shqetësohej, qëllonte që edhe zemërohej, kur dëgjonte që në ndonjë rast këshillave u merreshin kompetencat, që organet shtetërore dhe ekonomike nuk i nënshtroheshin kontrollit  dhe dhënies llogari në këshill. Ishte një dokument me vlera të mëdha  letra e 21 janarit të vitit 1980, drejtuar komiteteve të partisë nëpër rrethe, me të cilën shoku Enver kërkonte që organet dhe organizatat e partisë t’i jepnin përparësi punës me këshillat popullore, që ato të viheshin në vendin e tyre dhe të luanin rolin e vet, si organe të pushtetit në rreth e në bazë. Enver Hoxha nuk pati lejuar asnjëherë  që organet ekzekutive të dilnin mbi organet e zgjedhura. Për këtë, në shumë raste ka kritikuar rreptë deri edhe ish-kryeministrin Mehmet  Shehu, derisa edhe e ka detyruar të bëjë autokritikë me shkrim para  Presidiumit të Kuvendit  Popullor.

Enveri kërkonte që autoriteti i këshillave dhe i këshilltarëve për cilindo të ishte i padiskutueshëm, sepse “...atyre pushtetin, fuqinë ua ka dhënë populli, -thoshte , - dhe populli  për ne është mbi gjithçka”.

 

VLERËSIMI

Shoku Enver kishte shpirt edhe zemër mjaft të madhe

“Ishte i ndjeshëm ndaj shqetësimeve të shokëve. Sa herë që merrte vesh se ndonjëri prej shokëve ishte i sëmurë, ose do të shkonte vetë për ta parë, ose do të kërkonte njoftim për gjendjen e tij. Interesohej që të bëhej gjithë kujdesi i nevojshëm nga mjekët. Në një rast kur isha me shërbim, më ndodhi një vdekje. Ai jo vetëm më njoftoi dhe më tha që të kthehem sa më parë, por u interesua deri në hollësitë më të vogla për masat që duhej të merreshin, që gjithçka të bëhej në rregull. Unë u preka shumë nga ky interesim i tij dhe dhimbja e hidhërimi për vdekjen që më kishte ndodhur, m’u lehtësuan.

Fliste  me zemërim kur nuk e vinin në dijeni për çka mund t’u ndodhte njerëzve që i kishte njohur në vitet e luftës, ose që ishin shquar në  periudhën e transformimeve të mëdha dhe të ndërtimit  socialist të vendit. Më kujtohet kur vdiq Koço Nashi, vëllai i Pandi Nashit, i cili gjatëluftës  ka punuar  te dyqani “Flora” e më pas, u bë partizan trim i çetës së Pezës. Njoftimi për vdekjen e tij ishte botuar në gazetën e Korçës, “Përpara” dhe në nekrologji kisha vënë firmën edhe unë.  Shoku Enver e kishte parë dhe më tha: “Si s’më njoftuat! Këta  janë njerëzit e luftës kanë qenë partizanë dhe duhet t’i nderojmë. Ky është një detyrim ndaj tyre që duhet ta përmbushim” më këshilloi. Që nga ajo kohë, qeshë  munduar  të isha i vëmendshëm. Kur ndodhnin fatkeqësi si kjo që përmenda, gjëja e parë që bëja, kujdesesha të vihej  në dijeni shoku Enver. Por Enver Hoxha ishte edhe tepër i dhembshur.

Tashmë  janë të njohura dashuria dhe respekti i thellë i Enverit për  nënën. Ai vetë ka shkruar me ndjenja dhe në mënyrë mjaft prekëse për të. Por unë do të sjell këtu një rast  që flet e tregon, se për atë, nënat ishin ideale, ishin të shenjta.

Kur vdiq Anea, nëna e tij, ai u ndodh në Vlorë. Udhëtoi natën dhe erdhi në Tiranë. I shkova për ta ngushëlluar. Me gjithë atë gjendje të rëndë shpirtërore që kishte, herë pas here hapte biseda, në të cilat përziheshin të gjithë. Edhe pse i kishte ndodhur  kjo fatkeqësi, një çaste gjeti  rastin dhe m’u drejtua  mua: “Si e ke nënën? Kam dëgjuar se është sëmurë. Unë mungesën e Anesë do ta ndiej shumë,  se me të  këshillohesha, prandaj, kujdesu  për nënën!”. Takimet me të njohur të moshës së fëmijërisë e të rinisë i jepnin kënaqësi të veçantë. Sa herë që e lejonin mundësitë, sidomos kur vinte në vendlindje, i sajonte këto takime. Këtë e vërejta gjatë vizitës në Gjirokastër, në të cilën e shoqëroja. Atëherë, sekretar i parë i Komitetit të Partisë të rrethit ishte Sami Gjebero, ndërsa kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit, ishte Telo Mezini. Dolëm shëtitje në qytet. Enveri u ndal e takoi disa gra, u foli me emër. Shkëmbeu me to fjalë të ngrohta e të thjeshta si bashkëqytetar, si të njohur të një mëhalle”.

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: