Kujtimet e Rita Markos: Si u bë e dashur figura e partizanit në popull dhe çfarë ndodhi me tradhtarët

Kujtimet e Rita Markos: Si u bë e dashur figura e partizanit në popull dhe çfarë ndodhi me tradhtarët
EKSKLUZIVE/ “Albanian Free Press” vijon me botimin e dorëshkrimeve personale, të cilat përmbajnë kujtime të rralla të ish-anëtarit të Byrosë Politike, Rita Marko

Partizanë që po lidheshin gjithmonë e më shumë me popullin dhe po fitonin mbështetjen e tij. Aksione të reja të lëvizjes nacional-çlirimtare, e cila po fuqizohej së tepërmi. Këto dhe shumë të tjera detaje nga lufta partizane e viteve ’42-’43 shoqërojnë dorëshkrimet e radhës së ish-anëtarit të Byrosë Politike, Rita Marko, që “Albanian Free Press” po sjell ekskluzivisht për lexuesin për të tretin numër radhazi....

Përgatiti: Albert Zholi

(Vijon nga numri i kaluar)

Tradhtarët e paguan shtrenjtë

Rita Marko tregon sesi aksionet e lëvizjes në Korçë bënë që aty të “zbarkonin” reparte të tëra milicësh. Por që nuk ia arritën dot t’i asgjësonin çetat e para partizane

Fundi i gushtit të vitit 1942. Megjithëse Lëvizja  Antifashiste Nacional-Çlirimtare ishte në fillim të saj, në Korçë ishte krijuar çeta e parë partizane që vepronte në zonën Gorë-Opar. Në anën tjetër vepronte çeta e Devollit. Situata ishte në favorin tonë. Aksionet pasonin njëri-tjetrin. Lëvizshmëria e çetave krijoi përshtypjen se partizanët po vepronin në shumë krahina. Aksionet e njëpasnjëshme në qytet, atentatet kundër fashistëve dhe spiunëve, djegia e Shtëpisë së Fashios në Korçë etj., e alarmuan armikun. Ky i fundit filloi të merrte një seri masash që ta trembte popullin dhe t’i godiste partizanët. Në Korçë erdhën reparte të tëra milicësh, të cilët i kishin vënë vetes detyrë  të luftonin dhe të asgjësonin çetat e para partizane. Por më kot. Kudo që shkuan milicët dhe xhandarët morën përgjigjen e merituar nga partizanët dhe populli që i mbështeti.

Hapja e depove të dhjetarëve

Si u kthyen në të popullit, prodhimet bujqësore që dhjetarët ua përgatisnin atyre dhe i mbanin në koçeqet e çifligarëve

Dhjetarët, një pjesë të mirë të prodhimeve bujqësore, që ua grabisnin fshatarëve, i mbanin në depot dhe në koçeqet e çifligarëve. Ato ishin rezerva të rëndësishme  të okupatorit. Partia kishte hedhur parullën që pasuritë e grumbulluara në  qendra të tilla, t’i shpërndaheshin popullit. Në shtator të vitit 1942, njësiti partizan u informua  se në fshatin Rrëmbec dhe Shamoll ndodheshin rezerva të mira bereqeti, grumbulluar për llogari të agallarëve dhe aristokratëve të Korçës. U vendos që ky bereqet t’i shpërndahej atij që e kishte prodhuar: popullit. Por që të realizohej ky aksion, nuk mjaftonin vetëm forcat tona. Ja pse morëm në ndihmë edhe disa shokë nga Bulgareci, Çifliku dhe Terova. Kuptohet, mbështetjen kryesore e kishim te shokët e Rrëmbecit, të cilët nuk ishin vetëm informatorët, por edhe organizatorët e kësaj pune. Arritëm në Rrëmbec në darkë. Bëmë mbledhjen e fshatit dhe folëm për qëllimet e luftës sonë. Aty u shpjeguam fshatarëve, se partia dhe partizanët në këtë luftë nuk kishin interesa të tjera, veç interesave të popullit. Me ndihmën e vetë fshatarëve, hapëm depot dhe shpërndamë gjithë bereqetin. Një pjesë e transportuam në Bulgarec, ku kishim një bazë të fortë. Depo të bereqetit u hapën në të gjithë prefekturën e Korçës. Këto aksione ishin një provë e gjallë e thënieve që kishin dëgjuar fshatarët nga komunistët, se Partia është e tyrja dhe se lufta bëhej për çlirimin e atdheut  dhe për mirëqenien e popullit. Këto bënë përshtypje të thellë. Njerëzit e thjeshtë u lidhën edhe më shumë me Lëvizjen e rezistencës. Rrëmbeci u bë një bazë e fuqishme e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare në Fushën e Korçës. Armiqtë i rralluan vajtjet e tyre në këtë zonë. Edhe kur shkonin, merrnin masa shumë rigoroze. Një  ndihmë të madhe në këtë fshat i dha lëvizjes familja e Rapi Gjatës (Rrëmbecit). Biri i këtij patrioti, Dhimitraq  Rrëmbeci, për të cilin kam kujtime të pashlyeshme, ra dëshmor në Mokër, duke luftuar heroikisht kundër ballistëve.

 

Partizanët lidhen ngushtë me popullin

Si u bë propagandë fshat më fshat për Konferencën e Pezës dhe u pa nga afër puna e këshillave nacional-çlirimtarë, ngritur sipas platformës së saj

Ishte fundi i vjeshtës të vitit 1942 kur shkuam në fshatin Bulgarec. Përgjegjës kishim Teki Kolanecin. Qëllimi i vajtjes sonë ishte të shikonim përfundimet dhe punën e kryer gjer atëherë nga ana e këshillit nacional-çlirimtar, ngritur para ca kohësh nga ana jonë, sipas platformës së Konferencës së Pezës. Në atë kohë në të gjitha fshatrat e Korçës u zhvillua një aktivitet shumë i madh dhe u vu në jetë platforma e kësaj konference, që gjeti një mbështetje të gjerë nga populli. Lufta kundër pushtuesit fashist zgjerohej dhe organizohej përditë e më mirë. Kështu, qysh  nga muajt nëntor-dhjetor filluan të duken frytet e kësaj pune të parë. Mbledhjen në Bulgarec, për të  cilën ishin dakord edhe shokët e fshatit, vendosëm ta bënim në shkollë. Në mbledhje u ftuan të merrnin pjesë vullnetarisht të gjithë banorët. Një mbledhje e tillë në fshat, në prag të qytetit të Korçës, ishte me plot rreziqe. Mjaftonte një tradhtar që të shkonte në Korçë me biçikletë dhe ai, brenda dhjetë minutash mund të sillte disa makina me armiq. Duke marrë për bazë patriotizmin e flaktë që ushqente partia në popull, të gjithë ishin gati të përballonin çdo rrezik. Armiku përpiqej të zbulonte veprimet  tona, por ne kishim besim te populli dhe nuk na mungonte vigjilenca. Shkolla u mbush plot e përplot me fshatarë e fshatare, të rinj e të reja. Me etje të madhe, të gjithë prisnin sqarimet për detyrat e reja, që u dilnin në luftën kundër armikut. Pas sqarimeve që u bënë me radhë nga shokët Teki, Maqi, etj., një entuziazëm i papërshkruar mbushi zemrat e fshatarëve, sikur të ishte një festë e madhe atë natë vjeshte. Pamë sesa të lidhur ishin ata me luftën çlirimtare, që drejtonte e organizonte partia. Një fshatar, mik i partisë, kishte dasmë në shtëpi. Ishte ditë e shtunë. Në mbrëmje martonte djalin e vet. Gjithë dasmorët kishin ardhur në mbledhjen e fshatit. Kur mbledhja mbaroi, na ftuan të gjithë në dasmë. Dhe ne shkuam. Dasma u gjallërua edhe më shumë. Sazexhinjtë korçarë krijuan një atmosferë shumë gazmore. Partizanët bisedonin përzemërsisht me dasmorët, kënga e vallja buçiste. Pas dy orësh u larguam, duke  e uruar të  zotin e shtëpisë dhe çiftin e ri e, me këtë rast, i përgëzuam e i inkurajuam që të vazhdonin zakonet e bukura të popullit tonë. Ne vumë re se Këshilli Nacionalçlirimtar e kishte filluar punën mirë. Lidhja e partisë me masat po forcohej përditë e më shumë. Partizanët priteshin si përfaqësues të ushtrisë çlirimtare. Në fshat kish edhe tradhtarë, por asnjëri nuk guxoi të spiunonte. E pamë se puna që ndërmorëm ishte me rreziqe, por e kryem me besimin se fitorja nuk arrihej pa guxim e sakrifica.

 

Figura e partizanit filloi të bëhej e dashur

Sipas Rita Markos, ajo filloi të sundonte ndërgjegjen  e popullit dhe lëvizja e rezistencës po rritej si një ortek gjigant

Nga shtator-tetori i vitit 1942, veprimet tona luftarake ishin të kufizuara. Sipas udhëzimeve  të KNÇ-it, do të punonim kryesisht për ngjalljen e patriotizmit dhe propagandimin tek masat në luftë kundër  okupatorit dhe tradhtarëve dhe për të krijuar sa më shumë baza për Lëvizjen Nacional-Çlirimtare. Disa ditë i kaluam në korijet e Nizhavecit. Furnizimi na bëhej nga Pogradeci, sepse aty nuk kishim baza. Kur u larguam që andej, nuk i zhdukëm mbeturinat, siç qenë paketat e cigareve bosh, kutitë e sardeleve që hëngrëm  për drekë, etj. Disa fshatarë që kishin kaluar andej duke kullotur bagëtinë, i panë këto dhe  u bëri shumë përshtypje. Kur u kthyen në fshat, hapën fjalë se në korije  kishin ndenjur qindra partizanë, se atje kishin ngritur kazanët, etj., etj. Fjala mori dhenë. Kjo na interesonte, sepse i  jepte popullaritet  të madh lëvizjes sonë dhe çorientonte  armikun. Disa nga ne takuan një djalë që kishte dalë  në pyll për të kërkuar kaun. E pyetëm se ç’të reja kishte nga fshati. Na tha se në korije kishin qenë qindra partizanë!. “Kush ta tha këtë?”, e pyetëm djaloshin. “Na thanë nga Nizhaveci”, na u përgjigj ai. Populli i shikonte me admirim partizanët dhe zemra ia donte që ata të ishin me qindra e mijëra. Lëvizja e rezistencës po rritej si një ortek gjigant. Në çetë kishim edhe një shok nga Podgoria: Mefail Rozanji e quanin. Ai ishte shofer, shok i mrekullueshëm, i qeshur, që na mbante tërë ditën me muhabet e me këngë. (Në krye të kompanisë që komandonte, Mefaili ra në Tendën e Qypit si një hero i vërtetë.) Nga vendi ku ishim, na ftoi të shkonim disa ditë në shtëpinë e tij në Podgorie, meqë e kishte edhe në anë të fshatit. U nisëm nga korija e Bllacës. Një rrugë që mund ta bënim  për një orë, e bëmë 6-fish. Ishte kohë e keqe, natë pa hënë e me shi. Vuajtëm shumë. Nuk shikonim ku shkelnim. Edhe ai që ishte vendas nuk orientohej dot. Familja e Mefailit na priti shumë mirë. Çdo ditë, në çdo hap të ri që bënim, shikonim sesi populli lidhej përherë e më ngushtë me LANÇ, sesi partizanët shiheshin si luftëtarë të vendosur për çlirimin e vendit.

 

Jo me fjalë, por me luftë dëbohej okupatori

Rasti i një njeriu që kishte shkuar për emigrim në Argjentinë dhe qe kthyer i zhgënjyer. Frika e tij nga aksioni dhe mënjanimi prej popullit

Qëndruam  shtatë a tetë ditë në Rrëmbec. Çeta partizane qëndronte sa në njërën bazë në tjetrën. Pasi mbaruam punët e partisë, me aq sa dinim në atë kohë, punuam me rininë, organizuam këshillin nacional-çlirimtar dhe njësitin e fshatit. Në fshat takuam edhe një njeri që kishte shkuar në Argjentinë për të gjetur një fat më të mirë, por që ishte kthyer në atdhe, i mbushur plot hidhërime nga mërgimi. Ai fliste me pasion për luftën e atjeshme të klasës punëtore, për kryengritjet, për lidhjet me masat. Kishte ide përparimtare dhe çlirimtare. Ai u jepte rëndësi oratorisë, fjalëve të mëdha që bënin efekt. Por nga aksioni ai kishte frikë si djalli nga thimiani, siç thotë populli. Ai kishte rënë viktimë e demagogjisë borgjeze dhe e aristokracisë  punëtore të vendeve kapitaliste. Kujtonte se me fjalime “demaskuese” do të përmbysej kapitalizmi. Fshati ia nxori fare bojën dhe nuk e dëgjonte më. Populli nuk donte fjalë, por aksione konkrete për t’i dëbuar okupatorët dhe tradhtarët.

 

Si na priti Ali Progri me gjithë të mirat

Sipas Rita Markos, njerëzit nuk e përfillnin rrezikun, kur ishte fjala për t’i shërbyer atdheut

Nga fundi i vitit 1942, çetës partizane të Gorës iu dha udhëzimi nga shokët e Qarkorit që të bënin një takim me disa shokë të çetës partizane të Devollit, për të organizuar dhe koordinuar veprimet luftarake kundër armikut. Ramë dakord me shokët e Devollit që ky takim të bëhej në fshatin Progër. Megjithëse atje ishte qendër komune dhe postë-xhandarmërie, prapë se prapë bëhej një aktivitet i mirë revolucionar. Aty kish shokë e shoqe të mira, që punonin me guxim dhe pa asnjë lëkundje  në favor të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare. U strehuam në shtëpinë e Ali Progrit, që nuk ishte më larg se 20-30 metra nga komuna. Sa kurajo të madhe kishte mbrujtur  partia tek të rinjtë! Duke qenë në gjendje të mirë ekonomike, Aliu na mbajti  të gjashtë shokët për një javë të tërë dhe me të gjitha të mirat. Gjatë kësaj kohe, ne mbaruam punë me shokët e Devollit, punuam me organizatorët e rinisë dhe me këshillin e fshatit. U larguam së andejmi me përshtypjet  më të mira për familjen e shokut Ali dhe për gjithë fshatin Progër. Sot duket një gjë e zakonshme që të të presë tjetri, por po të marrësh parasysh gjendjen e asaj kohe dhe pozicionin e shtëpisë pranë komunës e xhandarmërisë, ishte me të vërtetë heroizëm ta bëje këtë. Kjo ishte një shprehje tjetër e devotshmërisë së pakufishme dhe e gatishmërisë së plotë të popullit për t’i shërbyer Luftës Nacional-Çlirimtare.

 

Goditja e postblloqeve në Korçë

Detyra që Komiteti Qarkor i ngarkoi çetës partizane të Gorë-Oparit, në dhjetor të vitit 1942, kur kjo ishte në fshatin Vinçan-Damjanec

Aty nga dhjetori i vitit 1942, çetës partizane të Gorë-Oparit, kur kjo ishte në fshatin Vinçan-Damjanec, iu vu për detyrë nga Komiteti Qarkor që të sulmonte postblloqet e qytetit të Korçës. Aksioni kishte dy qëllime: së pari, t’i godiste armiqtë në strofkat më të afërta të qyteteve dhe të fuste panik në ta dhe së dyti, t’i lëkundte masat e shtet-rrethimit që kishin vendosur fashistët italianë dhe veglat e tyre, që kërkonin të zbulonin  teknikën e shtypit të propa-gandës. Aksioni ish me përgjegjësi të madhe. Duhej kujdes e trimëri. Koha ishte shumë e keqe; me shi, me dëborë e llohë. Fushat ishin të përmbytura nga uji i përrenjve. Të gjitha këto e bënin shumë të vështirë lëvizjen dhe manovrimin tonë. Aksioni  do të bëhej në dy drejtime: një pjesë e forcave tona do të sulmonte nga ana e Bilishtit, nën komandën e Dhosi Progrit; pjesa tjetër do të sulmonte nga ana e Kolonjës, nën komandën time. U nisëm në darkë, aty rreth orës 18.00. Një grup shokësh shkuan nga hyrja e rrugës së Tiranës, një tjetër  nga hyrja e rrugës së Voskopojës. Unë me pjesën tjetër shkova nga kazermat, që ishin nga rruga e Kolonjës. Në orën 20 duhej të fillonte aksioni. Dhe pikërisht, në atë orë u dëgjuan krismat e pushkëve. Në panik, armiku filloi të gjuante me artileri në drejtime të kota, malit përpjetë. Në Korçë u krijua një situatë luftarake. Në radhët e armikut u krijua panik i madh, ndërsa në radhët e popullit u ngrit shumë morali. Disa kujtuan se po çlirohej  Korça. Kështu ishte hapur fjala. Për të humbur gjurmët, tërheqjen e kishim lënë nga ana e Dardhës dhe jo nga drejtimi që kishim ardhur. Pasi u grumbulluam përmes Drenovës, nga ora 2-3 pas mesit të natës arritëm në Dardhë. Dardharët na pritën shumë mirë; me zjarre, me ushqime dhe na siguruan baza ku kaluam natën e ditën. Përshtypja që u krijua, se njësitet partizane sulmuan Korçën për ta çliruar, nuk ishte e saktë. Këto ishin vetëm thashetheme. Ky aksion, që u bë në kohën e duhur, ishte shumë i dobishëm dhe ndikoi në ngritjen e mëtejshme  të besimit të popullit në forcat partizane.

 

Mitingu frymëzues i 9 majit 1943

Fjalimi i paharruar i profesor Raqi Qirinxhiut: Nxënës, provimi më i vështirë tani është ai në mal

Në përgjigje të thirrjes së komitetit të rinisë antifashiste, në Voskopojën e djegur nga ushtria fashiste, u organizua një miting entuziast i rinisë. Së bashku me disa shokë, morëm pjesë si përfaqësues të çetave partizane. Studentëve të Liceut u printe profesor Raqi Qirinxhi, intelektual i mirënjohur. Ky nuk vonoi të rreshtohej luftëtar, por gjatë janarit të vitit 1944, ra dëshmor në rrëzë të Ostrovicës, në afërsi të Qafës së Beçit. Mitingu zgjati disa orë. Folën shumë të rinj e të reja. Midis atyre që dolën partizanë që në ato çaste, ishin edhe studenti Gafurr Çuçi, punëtori Kiço Orgocka, studenti Eqerem Dobi, e mjaft të tjerë, të cilëve u kërkoj falje që nuk po mundem t’i përmend këtu. Aty nga mbarimi i mitingut fjalën e mori edhe profesori Raqi Qirinxhi, i cili midis të tjerash u shpreh: “Nxënës të dashur, disa prej jush në lëndën e matematikës kanë marrë notën 5, por  këtu ju dhatë një provim të shkëlqyer, të cilin do ta tregoni edhe në mal...”. Ndërsa hedh këto kujtime modeste për atë miting të paharruar të rinisë korçare, organizuar në Voskopojën trime, përfytyroj Raqin e Liceut teksa i shkruante një shoku të tij: “Mbi lekun ne duhet të përfytyrojmë djersën, mundimin dhe mjerimin e gdhendur  të njerëzve që na ndihmojnë për të studiuar...duke mos harruar kurrë atdheun tonë, ne do t’i vihemi punës dhe studimit të dobishëm... Atdheu ynë na mjafton, neve na mbetet vetëm t’i ndreqim çrregullimet, t’i pyllëzojmë malet, të vlerësojmë tokën e fushave  më shumë, të vlerësojmë bukuritë e peizazheve  tona, të thajmë kënetat, të shfrytëzojmë pasuritë nëntokësore...” Të gjithë ata që dolën partizanë nga ai miting rinor shkruan faqe lavdie  në historinë e formacioneve partizane ku luftuan”.

 

FSHATI  HEROIK

Borova martire, si u terrorizua nga nazistët në hakmarrje të goditjes së Barmashit

“Borovën martire e pashë në shtator-tetor të vitit 1942, kur akoma nuk ishte djegur nga nazistët. Ajo shtrihet  gjatë rrugës Ersekë-Leskovik. Borova  ishte një nga fshatrat më të bukur të Kolonjës; me dyqan e shkollë, me gjendje ekonomike të mirë dhe me fshatarë që bënin një jetesë të kulturuar. Borovën e vizituam me çetën partizane të Gorës, kur bënim një marshim për në Kolonjë. Shokët tanë të luftës në atë fshat na ndanë nëpër baza. Pasi formuam këshillin nacional-çlirimtar, u larguam nga Borova me përshtypjet më të mira. Pas kapitullimit të Italisë filloi një  etapë e re e luftës sonë kundër okupatorëve. Në Barmash u goditën për herë të parë gjermanët. Dhe për hakmarrje, nazistët terrorizuan popullin e Borovës. Borova u kthye në shkrumb  e hi. U vranë e u masakruan  gra, fëmijë e pleq. Të rinjtë e të rejat e këtij fshati mbushën radhët partizane. Ky fshat, me ata njerëz të mirë e patriotë, ka hyrë në historinë e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare si vendi që u masakrua barbarisht nga bishat naziste, sikurse edhe mjaft fshatra të tjera në vendin tonë”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: