Kujtimet e Rita Markos: Si i bindëm bajraktarët e veriut të bashkoheshin me luftën partizane

Kujtimet e Rita Markos: Si i bindëm bajraktarët e veriut të bashkoheshin me luftën partizane
EKSKLUZIVE/ “Albanian Free Press” vijon me botimin e dorëshkrimeve personale, të cilat përmbajnë kujtime të rralla të ish-anëtarit të Byrosë Politike, Rita Marko

“Bajraktarin Halit Arni e bindëm të bashkëpunonte me luftën dhe të mos dilte kundër partizanëve, por t’i ndihmonte ata. ”. Ky është një tjetër episod interesant nga dorëshkrimet e ish-anëtarit të Byrosë Politike, Rita Marko, që “Albanian Free Press” po sjell ekskluzivisht për lexuesin për të shtatin numër radhazi. Sipas tij, një nga objektivat e lëvizjes antifashiste në veri ishte pikërisht edhe ai që të arrinte të bënte për vete bajraktarët e kësaj zone.“Kur isha në Reç, na informuan se në krahinën e Arnit vepronte bajraktari Halit Arni. Më në fund ai mbeti dakord me platformën e Kongresit të Përmetit: Nuk do t’i luftonte partizanët, por do t’i mbështeste  këta moralisht. Ai kërkoi që kjo të konsiderohej si marrëveshje dhe jo si “kapitullim i bajraktarit”, tregon Marko. Duke rrëfyer më tej edhe mbi karakteristikat dhe meritat që Brigada IV pati jo vetëm për çlirimin e Shqipërisë së mesme dhe asaj të veriut, por edhe për kryeqytetin e vendit…

 

Përgatiti: Albert Zholi

(Vijon nga numri i kaluar)

T’i shpartallojmë bajraktarët, të bashkohemi me popullin

Aksioni në Kastriot dhe Katund i Ri, gusht 1944. Si i zumë në kurth dhe i çarmatosëm ballistët.

Gushti i vitit 1944. Brigada IV është dislokuar për të zhvilluar operacione  në zonën Peshkopi-Fushë-Aliaj, deri në Muhur. Batalioni i dytë është vendosur  kundrejt fshatrave Kastriot e Katund i Ri. Përballë kemi lumin Drin. Gjatë tërë ditës gjurmojmë të gjejmë vendet e përshtatshme për të kaluar natën, si dhe për të dalë në fushat e Peshkopisë. Në këtë kohë kompania e dytë dikton një grup ballistësh prej 30-40 vetash, që ecnin serbes anës së lumit. Përnjëherë zumë pozicione në një hendek aty pranë dhe i futëm në kurth. Ballistët ngritën duart dhe u dorëzuan. I zumë dhe i çarmatosëm. Pasi  u shpjeguam qëllimin e luftës sonë, i liruam. U thamë të shkonin e t’u thoshin edhe të tjerëve, se ne nuk ishim as grekë e as serbë, siç kërkonin t’i mashtronin reaksionarët, por vetëm shqiptarë, që luftonim për  çlirimin e vendit nga okupatorët e tradhtarët.

Aksioni në Katundin e Ri pati rëndësi në dy drejtime. Së pari, tregoi sesi një grup i vogël partizanësh mund të kapte dhe të asgjësonte një grup të madh ballistësh. Së dyti, ndihmoi për popullarizimin e qëllimit të shkuarjes sonë në veri, se partizanët nuk kanë  asgjë kundër popullit, por luftojnë okupatorin dhe bashkëpunëtorët e tij. Kështu, këta mercenarë, kur u kthyen nëpër fshatrat e tyre, treguan të kundërtën e atyre fjalëve që përhapnin ballistët kundër partizanëve. Komiteti Qendror i Partisë kishte udhëzuar që të ishim shumë të kujdesshëm në veri. Dhe ne e kishim mirë parasysh. Porositë e Komitetit Qendror kërkonin, që ne t’i shpjegonim popullit të krahinave të veriut, se interesat e partisë dhe të popullit përputheshin plotësisht me njëra-tjetrën. Në darkë në Katundin e Ri kaluam Drinin me vështirësi të mëdha dhe me rreziqe. Hymë në Sohodoll.

 

Në çdo gjë duhej të udhëhiqeshim nga vija e partisë dhe jo nga konsideratat e çastit

Batalioni i dytë i Brigadës IV ishte në Sohodoll të Peshkopisë. Në këtë kohë, brigada mori urdhër të sulmonte për të çliruar Peshkopinë. Ky ishte një gëzim dhe përgjegjësi e madhe, edhe për partizanët e batalionit të dytë. Peshkopia ishte një nga qytetet e para të veriut, që do të çlirohej. Pas një lufte të ashpër nga të gjitha drejtimet, qyteti ra në dorë të partizanëve. Brigada i ndoqi armiqtë e tradhtarët deri në Kodrat e Çenokut, ku u bë një luftë tjetër e rreptë, ashtu siç ishte bërë në Peshkopi, në Fushë-Aliaj dhe në fshatrat përreth. Partizanët e thyen keqaz rezistencën e armikut.

 

“Itifaku” i Reç-Dardhës

Si konkluduam në një “Itifak”, domethënë një dokument, me anën e të cilit, qytetarët e kësaj zone të veriut merrnin disa zotime në kuadrin e Luftës Nacional-Çlirimtare

As që e merrja me mend se do të bënim udhëtime kaq të gjata e në vende kaq të thyera, siç ishin ato që bëmë në malet e veriut. Krahina Reç-Dardhë është një vend shumë i thyer. Populli i saj ka qenë tepër i varfër, por shumë mikpritës. Në këtë krahinë kishte shumë zakone të vjetra. Disa qenë të mira, disa të këqija. Detyra jonë ishte që krahinën e Reç-Dardhës ta lidhnim me partinë dh me Luftën Nacional-Çlirimtare. Të merrte pjesë edhe populli i  kësaj krahine në luftën kundër armikut. Me porosi të shokëve të shtabit të Divizionit dhe të  brigadës, shkova në Reç. Pasi u përshëndetëm me popullin filluam bisedat politike. U treguam atyre qëllimet e Luftës Antifashiste . Në fund, konkluduam në një “Itifak”, domethënë një dokument, me anën e të cilit, ata merrnin disa zotime. “Itifaku” nuk prekte parimet tona, ne  afroheshim me zakonet e popullit dhe e angazhonim atë në luftë me pushtuesit dhe tradhtarët e vendit. As që kisha dëgjuar për zakone të tilla dhe as që kisha eksperiencën e duhur për këtë gjë. Duke u ndihmuar nga disa shokë vendas, ia arritëm qëllimit. Me ne në batalion ishte edhe Shaban Strazimiri, një ish-oficer madhor gjatë regjimit të Zogut. Mjaft djem të krahinës u lidhën me ne e luftuan krah për krah  me partizanët.

 

Marrëveshja në Arn

Si e bindëm bajraktarin Halit Arni të bashkëpunonte me luftën dhe të mos dilte kundër partizanëve, por t/i ndihmonte ata.

Kur isha në Reç, na informuan se në krahinën e Arnit vepronte bajraktari Halit Arni, i cili kishte njëfarë dëshire  për t’u lidhur me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare. Për çështje ambicie, ai, si bajraktar më i vogël, kishte disa kontradikta me bajraktarët e mëdhenj. Nga shtabi i Divizionit mora porosi që së bashku me shokun Naum Miçinoti, zëvendës-komandant batalioni dhe me 20 partizanë, të shkoja në Arn dhe ta takoja Halit Arnin. Qëllimi i takimit ishte të bisedoja me të dhe të binim  në marrëveshje, po qe se ai do të pranonte platformën e Kongresit të Përmetit, që të mos luftonte kundër partizanëve, por përkundrazi, t’i mbështeste këta në luftën kundër  armikut. U nisëm në darkë nga Reçi, përmes Qafës së Mollës dhe  arritëm në Arn. Me vështirësi të madhe mundëm të merrnim vesh, se në ç’bazë ishte Haliti, bajraktari i fshatit. Nuk mjaftonte lodhja e rrugës, por me Naumin patëm dhe debate të mëdha: “Ç’na duhet neve të merremi me këto gjëra?!” - thoshte ai. Kam frikë se mos bëjmë ndonjë gabim politik, duke rënë në marrëveshje me këtë bajraktar. Oportunizmi është shumë i rrezikshëm. Më mirë t’ia lëmë  fjalën pushkës”. Takimin e bëmë në shtëpinë e një fshatari. Nga çdo palë, ishim nga njëzetë vetë. Ne shkuam atje të parët. Bajraktari erdhi me njëzetë veta  të armatosur me nagantë e qostekë. U përshëndetëm dhe filluam bisedën. Më në fund ai mbeti dakord me platformën e Kongresit të Përmetit: Nuk do t’i luftonte partizanët, por do t’i mbështeste  këta moralisht. Ai kërkoi që kjo të konsiderohej si marrëveshje dhe jo si “kapitullim i bajraktarit”. Ne i thamë se duhet të nxjerrim një komunikatë. Ai mbeti dakord me këtë dhe vuri myhyrin në këtë komunikatë. Komunikata qarkulloi në të gjitha forcat e Divizionit të Parë. Ky ishte një veprim i mirë politik, që e ndihmoi luftën tonë dhe që e mbajti popullin e asaj krahine larg influencës së armikut. Për atë periudhë, kjo ishte e domosdoshme, sepse krijonte kushtet  e nevojshme  për zhvillimin gradual të punës sonë në atë krahinë. Politika e drejtë e partisë sonë fitoi.

 

Lufta e Homeshit

Ajo u provokua enkas nga ne, me qëllim që më vonë të krijonim avantazh ndaj gjermanëve për t’u hedhur në fushën e Dibrës

Gusht 1944. Batalioni i dytë i Brigadës IV bëri një përpjekje të ashpër me një batalion alpinësh gjermanë në Homesh. Përbri batalionit të dytë, luftoi edhe një pjesë e batalionit të katërt. Lufta në Homesh u provokua nga ne, me qëllim që më vonë të krijonim  avantazh për t’u hedhur në fushën e Dibrës. Lufta filloi që në mëngjes herët. Nazistët gjermanë kishin hyrë brenda në Homesh dhe në një fshat aty pranë. Në përpjekjet e ashpra që u zhvilluan, gjermanët u thyen. U plagos një toger, i cili, para se të vdiste, deklaroi se nuk ishte gjerman, por austriak dhe se ishte i penduar. U plagosën edhe gjermanë të tjerë. Zumë nja shtatëmbëdhjetë  robër, katër a pesë mushka dhe një sasi minucioni. Nga ana jonë, ra dëshmor Ropi Gostivishti, vëllai i Stillo Gostivishtit. Dy vëllezër, dy trima të paharruar ranë për të mos vdekur kurrë. Në këtë luftë, u dalluan për trimëri e drejtim Naum Miçanlliu, zëvendës-komandant  i batalionit, Katina Polena, Koço Polena e të tjerë. Në këtë përpjekje, na u desh të kalonim përmes fshatit, banorët e të cilit na mbështetën fort. Ne nuk  kishim qenë ndonjëherë në atë fshat, por qëndrimi i tyre tregoi qartë, se edhe aty kishte hyrë fjala e partisë. Ndërsa ne luftonim, gratë e fshatit na sillnin sapllake me qumësht, na jepnin zemër për t’i goditur më me tërbim pushtuesit fashistë  jermanë, megjithëse Homeshi konsiderohej si zonë e Hysni Demës (kuisling, bajraktar). Lufta jonë në ato anë, në  veri të vendit, përveç të tjerave mbështetej edhe në punën që kishin bërë dhe bënin shokët e komiteteve qarkore të Partisë e të këshillave nacional-çlirimtare në këto krahina me popullin dhe me shumë familje të dëgjuara, e sidomos  patriotë që kishin luftuar për lirinë dhe që nuk pranonin okupacionin e vendit. Kështu, në kushte të vështira kishin krijuar deri diku një mbështetje për Luftën Nacional-Çlirimtare. Ajo mbështetej sidomos edhe në influencën që kishin shokët patriotë e luftëtarë të orëve të para në këtë zonë: Haxhi Lleshi, Nazmi Rushiti, Demir Gashi, Haki Stërmilli, Stefan Luarasi, Sulejman Baholli, Spiro Velko, Jashar Menzelxhiu, Dali Ndreu, Zeqi Agolli, të gjithë këta në Dibër. Si dhe Dulejman Çela , Et’hem Barhami, Beqir Minxhozi, Pipi Bakalli, Tahir Minxhozi, etj., në Mat. Bardhok Biba, Ndrec Ndue Gjoka, Pal Mëlyshi në Mirditë, etj. Kjo u duk edhe në atë që, nga këto krahina dolën vullnetarë të shumtë, që u rreshtuan në repartet e Divizionit I Sulmues. Brigada IV me vullnetarët me shumicë krijoi  batalionin V, disa prej të cilëve, heroikisht dhanë jetën për çlirimin e Tiranës. Pas disa ditësh, shkuam në fshatin Davalan. Prej kohësh kisha dëshirë që të shkoja atje, dëshirë të cilën e lidhja me shoqërinë  e dashurinë për  Nazmi Rushitin (Hero i Popullit). Vizitova shtëpinë e Nazmiut, takova të atin dhe vëllezërit e tij; mora vesh për rrethanat e vrasjes së tij në Zerçan. Duke qenë këtu, më erdhi një urdhër nga shtabi i brigadës që me një kompani, të kaloja anës së Drinit, përmes Gjoricave dhe të dilja në Vojnik, fshat afër Dibrës së Madhe. Ky marshim kishte për qëllim që t’i vija në ndihmë Brigadës I, që po bënte përgatitjet për të sulmuar Dibrën.

 

Lufta në Labinot

Si na dha zemër “kërdia” që kishte bërë më parë aty ndaj nazistëve Brigada e gjashtë Sulmuese

Ishte fundi i shtatorit 1944, kur batalioni II i Brigadës IV, duke udhëtuar gjatë, nga Gurabardhi arriti në Labinot të Elbasanit. Këtu na u ngarkua  për detyrë të godisnim autokolonat gjermane buzë rrugës automobilistike. Shkuam të zinim pozicionet, por... ç’të shikonim? Tmerr! Njerëz të vrarë, të fryrë, kufoma që binin erë të rëndë. Nuk mund të qëndroje dot aty. Brigada VI kishte bërë kërdinë duke asgjësuar nazistë. Ishte shumë vështirë të qëndroje atje, por pozicioni qe shumë i favorshëm për vrojtim dhe për sulm kundër autokolonave armike. Fryma e lartë luftarake që tregoi Brigada VI dhe dëmet e mëdha, që u shkaktoi ajo  nazistëve gjermanë, u bënë frymëzim edhe për ne. Prisnim me padurim të ndesheshim edhe ne me okupatorët. Luftimet në Labinot ishin të ashpra dhe armiku përsoi dëme të konsiderueshme. U dalluan në drejtimin e luftimeve Andrea Ziu, zv.komisar i batalionit, trim e i pakursyer, Lako Polena, Gaqo Çollaku, Raqi Zavalani, Ollga Ziu, Vasil Trasha, e shumë të tjerë. Në Labinot qëndruam edhe disa ditë të tjera, ku e kalonim kohën me përgatitje politike e luftarake. Batalioni II mori urdhër, që, nga Labinoti të nisej për në Arbanë, se do të fillonin luftimet për çlirimin e Tiranës. Ky ishte një tjetër gëzim i madh për të gjithë ne se më në fund erdhi dita të çlironim kryeqytetin e atdheut  tonë.

 

Nga Brigada IV, në Shtabin e Përgjithshëm të UNÇSH

Përgatitjet përfundimtare për çlirimin e kryeqytetit.

Sipas urdhrave operative, batalioni II i Brigadës IV kishte si zonë operative Urën e Farkës, Picallin dhe Sharrën e rrethit të Tiranës. Goditjen kryesore do ta bënim në Tiranën e Re me skuadra sulmi. Qendrën e batalionit e kishim në Picall. Po bënim shumë përgatitje për sulmin përfundimtar të çlirimit të Tiranës. Nga kodrat e Picallit shikonim qytetin e Tiranës, lëvizjet në rrugët kryesore, karrocat (taliket, pajtonet). Në kokë na vinin shumë mendime, të cilat tani e kam vështirë t’i hedh në letër. Kisha një ndjenjë të pakufishme dashurie për popullin dhe urrejtje  ndaj armiqve e tradhtarëve, që e mbanin akoma të pushtuar kryeqytetin  tonë, Tiranën. Duke qenë në formacione luftimi, kishim përditë përpjekje me gjermanët. Në këto çaste, kur pritej të bëhej sulmi për çlirimin e Tiranës, erdhi një telegram nga shtabi i Korparmatës, që ishte vendosur në shkallë të rrethit të Tiranës. Në të njoftohej se unë transferohesha  me detyrë pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Në shtab të brigadës takova Nexhip Vinçanin e Pëllumb Dishnicën, komandant e komisar të brigadës. Pasi mora udhëzimet përkatëse, u nisa për në Shtab të Korparmatës, pas malit të Dajtit, në fshatin Shkallë. Ky lajm ishte një gëzim i madh për mua, por njëkohësisht ndjeva një mallëngjim të thellë. Ndahesha nga shokët e vjetër e të rinj të batalionit, si dhe me tim vëlla, Andrean. Në atë kohë vëllezërit e tjerë, Naumi dhe vëllai  më i madh, Tasi, bënin pjesë përkatësish  në Brigadën e 3-të Sulmuese (që  epronte në tokat e Jugosllavisë) dhe në Brigadën XV. Shkova në Arbanë. Aty u takova me shokun  Hysni Kapo e të tjerë. Mora dhe një letër dhe u nisa për në Berat. Së bashku me mua udhëtoi edhe një grup shoqesh delegate, që shkonin në Kongresin  e Parë të BGASH. Rruga që ndoqa ishte: Shkallë, Skuterë, Mollagjesh, Ullishtet e Elbasanit, në fermën e biçakçinjve, në Dumre, ku dhe kaluam Devollin, në Gostimë, Kuçovë dhe mbërritëm në Berat. Në Berat fillova punën pranë Shtabit të Përgjithshëm, në Batalioni Special  të Sigurimit të këtij Shtabi dhe të  të Qeverisë  Provizore.

 

Rruga luftarake e Brigadës IV Sulmuese

Bazuar në historikun e kësaj njësie  të lavdishme, shkruar nga luftëtari dhe propagandisti partizan, prof. Mihallaq Konda

Brigada IV Sulmuese, me Nexhip Vinçanin komandant, Pano Xhamballon zëvendës-komisar, u krijua  më 28 dhjetor 1943, në një nga qendrat më të dëgjuara të  lëvizjes nacional-çlirimtare të qarkut të Korçës, në Voskopojë. Ajo u organizua mbi bazën e batalioneve territoriale “Shqiponja” e “Çlirimi”, me partizanë e kuadro  të ardhur  nga batalionet “Fuat Babani”, “Hakmarrje”, “Tomori”, me vullnetarë nga krahinat e  Oparit, Gorës, Mokrës, si dhe me kuadro nga organizata e Partisë e qytetit të  Korçës. Vendimi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë për krijimin e Brigadës IV, pas krijimit të Brigadës II dhe  III, tregonte  se ai, duke u mbështetur në eksperiencën e deriatëhershme të luftës sonë partizane, të rritjes së efektivit  e numrit të reparteve  partizane territoriale, punonte me këmbëngulje për të rritur forcën goditëse  të ushtrisë sonë. Eksperienca luftarako-politike  e Brigadës I, kish vërtetuar se brigadat sulmuese i jepnin ushtrisë sonë nga ana organizative pamjen e një ushtrie të rregullt dhe nga pikëpamja e strukturës ishin  njësi që i përshtateshin terrenit dhe kushteve të Luftës sonë Nacional-Çlirimtare. Krijimi i brigadave përputhej me strategjinë  ushtarake të Shtabit tonë të Përgjithshëm, që ishte  një strategji mësymëse për çlirimin e krahinave dhe qyteteve, për çlirimin e gjithë vendit. Brigada IV, pa u organizuar mirë dhe pa bërë ceremoninë e krijimit të saj, mori detyrë luftarake, ashtu si gjithë repartet e njësitë e tjera, nga Shtabi i Përgjithshëm, që të përgatitej kundër operacionit të madh që kishte filluar komanda  gjermane në krahinat e Pezës, Çermenikës, Dibrës, Mallakastrës dhe që po e shtrinte edhe në krahinën e Beratit, Gjirokastrës e Korçës. Në përputhje me këtë urdhër, Shtabi i Brigadës, pasi studioi  situatën në bazë të informatave të grumbulluara  mbi përqendrimin e forcave  të konsiderueshme  gjermane  në Korçë dhe të forcave balliste  në Dushar-Tomoricë, në shpinë të krahinave ku vepronte  Brigada, vendosi shpartallimin pa vonesë të tyre. Këtë detyrë batalionet e Brigadës e plotësuan  në ditët e para të janarit 1944, duke marshuar natën maleve të Dusharit, kur frynte  e binte dhe dëbora e madhe çahej jo me gjunjë, por siç thotë fjala, me gjoks dhe me shpatulla. Pasi pastroi “shpinën” nga forcat reaksionare, Brigada u kthye me një marshim të  gjatë e të shpejtë, e u përqendrua për të mbrojtur krahinat e çliruara  në  Rrëzën e Korçës, Oparit, Gorës, Vithkuqit, sidomos të bazave partizane : Voskopojë, Shipckë, Bakull, Punmirë e Lavdar. Kalimi i Brigadës në mbrojtje strategjike të të gjithë ushtrisë sonë për të thyer operacionet e forcave armike dhe për të përgatitur kushtet për t’u hedhur përsëri në mësymje strategjike. Që nga data 3 janar, nënrepartet gjermane  filluan zbulimin me luftim të sektorëve që mbronin  batalionet e Brigadës dhe batalionet territoriale dhe më 9 janar, forcat  kryesore gjermane dhe balliste mësynë në katër drejtime. Luftimet u zhvilluan të ashpra në të gjitha drejtimet, por sidomos në Kullat e Gjergjevicës, Shtyllë  dhe Osojë-Bakull. Pas katër ditë luftimesh, gjendja e Brigadës u bë shumë kritike. Përveç  forcave gjermane që mësynin nga përpara, forca të tjera gjermane të ardhura nga Skrapari, kishin  mbërritur në Dushar, Mazrekë, Misras dhe kështu po  plotësonin  rrethimin dhe po mbyllnin si në darë  Brigadën IV-S dhe forcat partizane territoriale, që vepronin në ato krahina. Komanda e Brigadës, duke parë rrezikun  që po kërcënonte brigadën, vendosi që forcat të tërhiqeshin  dhe të çanin rrethimin  nëpër Qafë të Beçit, pa marrë parasysh humbjet. Urdhri u dha. Kuadrot dhe komunistët u mobilizuan për të ruajtur organizimin dhe kompaktësinë e nënreparteve, reparteve dhe për të frymëzuar efektivin me vendosmëri, qëndrueshmëri, guxim dhe  shpirt sulmues. Për lëvizjen e shpejtë të batalioneve, ndihmoi linja telefonike partizane që shtrihej nga  Lavdari në  Bakull, Punmirë  e Gjergjevicë, deri në  Voskopojë. Batalionet e Brigadës, pasi kundërsulmuan edhe njëherë, për ta  mashtruar, dëmtuar  e penguar  marshimin e forcave gjermane shkëputën kontaktin me armikun,  në mënyrë të organizuar  marshuan   sipas itinerarit   dhe kohës së caktuar. Duke udhëtuar  gjithë natën nëpër dëborën e madhe të Ostrovicës, në mëngjesin e 13 janarit, pasi shpartalluan pararojën  e forcave gjermane, kaluan Qafën e Beçit dhe dolën jashtë rrethimit. Batalionet e Brigadës, pasi dolën në krahë e në shpinë të  forcave armike në operacion, hidhen në  kundërsulm dhe shpartallojnë  forcat  balliste në  Potom, Gjergjevicë, Lubonjë e fshatrat  e Kolonjës. Në dy javët e fundit të janarit dhe në dy javët e para të shkurtit, Brigada çliroi përsëri krahinat  që i kishin pushtuar hitlerianët dhe ballistët  gjatë  Operacionit të Dimrit. Pas këtyre veprimeve, Batalioni II  dhe IV zhvilluan luftime kundër gjermanëve në Teqen e Melçanit, Porodinë, Vinçan, kurse batalioni III dhe I kalojnë në Devoll, ku arritën një sukses të madh  në shpartallimin e një force të madhe gjermane në rajonin Sinicë-Arzë  dhe goditën forcat gjermano balliste  në Bozhigrad, Koshnicë, Shënkollas.     Brigada IV doli nga Operacioni  armik i Dimrit me një efektiv më të madh dhe me një përvojë të pasur luftarake, sidomos në marshime natën, në dëborë e në tufan, në luftime natën e goditje  të befasishme në luftim- rrethimi e dalje nga rrethimi, etj.

Mësymja Pranverore

Detyra e re që u ngarkoi Shtabi i Përgjithshëm brigadave pas gjendjes shumë të favorshme, që u krijua  pas thyerjes  së Operacionit armik të Dimrit

Shtabi i Përgjithshëm, pasi analizoi gënjen shumë të favorshme, që u krijua  pas thyerjes së Operacionit armik të Dimrit dhe nga fitoret e mëdha që po  korrte Ushtria  Sovjetike nën udhëheqjen e J.V.Stalinit, me urdhrin e 5 prillit 1944, u ngarkonte detyrë reparteve dhe njësive partizane të  kalonin në  Mësymjen Pranverore. Në atë urdhër gjen mishërim të plotë zbatimi i kërkesës të artit ushtarak të luftës  partizane, për koordinimin  e veprimeve  luftarake  të të gjithë batalioneve, grupeve dhe brigadave. Në bazë të këtij urdhri, Brigada IV, në bashkëpunim me një batalion të Brigadës I, luftoi për çlirimin e Starovës, Pogradecit dhe goditi me ashpërsi kolonat gjermane  në Qafë Thanës, Grabovicë e gjetkë. Në 9 maj 1944, pas 130 ditëve të krijimit të saj, ditë të mbushura  plot me ngjarje luftarake, Brigada për të parën herë u grumbullua në sheshin e kodrave sipër  Lozhanit, ku bëri bilancin e luftimeve dhe zgjodhi delegatët për në Kongresin e Përmetit.     Me krijimin e Divizionit I, Brigada IV bëri  pjesë si një nga të treja brigadat që e formuan atë. Në përbërje të Divizionit I, Brigada IV luftoi  për thyerjen e Operacionit armik  të Qershorit, në Qafë Thanë, në Mokër, Gurin e Kamjes, Moçan, Malin e Dusharit, Devoll, e gjetkë.

Brigada IV, krah për krah me Brigadën I dhe V dha një  kontribut të  madh për çlirimin e  Shqipërisë së mesme e të veriut, për shpartallimin e forcave kundër-revolucionare të Legalitetit e bajraktarëve. Ajo shkroi faqe të lavdishme  në luftimet që bëri në Qarrishtë, Zabzun, Zerçan, Kurdari, Patin, Macukull, Peshkopi, Dibër, Lurë, por sidomos në Homesh-Strikçan, Fushë-Alije dhe Mirditë. Lufta e Homesh- Strikçanit, ku u shpartallua një forcë e  madhe gjermane, ka qenë një nga më të ashprat  e Brigadës. Kurse çlirimi i Fushë-Alijes, pas operacionit gjerman  kundër Divizionit  I, ishte një kthesë në konsolidimin   e fitoreve në ato krahina.

 

68 ditë luftime në Shqipërinë e Mesme e të Veriut

Brigada IV dha kontribut, edhe për çlirimin e Tiranës

Pas 68 ditë luftimesh, në  krahinat e Shqipërisë së mesme e të veriut,  Brigada  IV, gjithnjë në përbërje të Divizionit I Sulmues, pati nderin  e madh të jepte kontributin  e saj për çlirimin e Tiranës. 63 ditë  luftë zhvilluan partizanët e Brigadës IV në rrethin e Tiranës e brenda  në Tiranë, në Ndroq e Shijak, në Pezë e Gazermat e Ali Rizajt (tani qyteti i  nxënësve), në kodrat e Shën Prokopit, në pallatet e Shallvareve e deri tek sheshi i ministrive. Por, një nga betejat më të rëndësishme të Brigadës IV, në kuadrin e luftës për çlirimin e Tiranës, ishte shpartallimi i kolonës gjermane  në rajonin Kacalitë-Mushqeta, ku u  vendos edhe fati i çlirimit të shpejtë dhe shpëtimi  nga shkatërrimi i plotë i kryeqytetit. Në këtë betejë, përveç tre batalioneve  të Brigadës IV, morën pjesë edhe 4 batalione të brigadave të tjera, që zhvilluan luftime në Ibë dhe kodra e Urës së Farkës. U asgjësua kolona e Elbasanit. Lufta për çlirimin e Tiranës u vendos në Mushqeta. Heroizmi partizan nuk mund të përshkruhet. Më 28 nëntor 1944, Brigada IV, me flamurin e saj luftarak të qindra  betejave, së bashku  me brigadat e tjera, parakaloi në Tiranën e çliruar përpara Komandantit të Përgjithshëm, shokut Enver  Hoxha. Brigada IV në jetën e saj  prej 321 ditësh në Luftën Nacional-Çlirimtare dha kontributin e saj për fitoren  revolucionit popullor. Ajo i dha çlirimit të atdheut qindra dëshmorë, midis të cilëve zëvendës-komandantin  e Brigadës, Pano Xhamballo; itendentin e saj, Raqi Qirinxhi; shefin e informacionit, Xhafer Lubonja; kuadrot ushtarakë e politikë Xhavit Goskova, Shaban Porodina, Haki Sevrani, Fetah Selcka, Riza Taçi, Ligor Ruço, Jonuz  Selenica; pionierin Zenel Subashi, Rukie  Barçi, etj. Vargu i dëshmorëve të Brigadës vazhdoi edhe pas çlirimit  për ruajtjen e fitoreve  kundër armiqve të brendshëm e të jashtëm, si komandanti i batalionit, Nasi Rëmaçka.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: