Kujtimet e Rita Markos: Kallinj misri kundrejt kapotave, pazaret që familjet jomikpritëse bënin me partizanët

Kujtimet e Rita Markos: Kallinj misri kundrejt kapotave, pazaret që familjet jomikpritëse bënin me partizanët
EKSKLUZIVE/ “Albanian Free Press” vijon me botimin e dorëshkrimeve personale, të cilat përmbajnë kujtime të rralla të ish-anëtarit të Byrosë Politike, Rita Marko

“Një grup partizanësh i çuan në një familje, që nuk mbante qëndrim të mirë politik. Pasi panë që i zoti i shtëpisë nuk u nxirrte gjë për të ngrënë, mysafirët partizanë i kërkuan pak bukë. Ai nuk u dha. I kërkuan diçka tjetër, përsëri nuk u dha. Mbi trarët e shtëpisë panë se ishin varur vargje me kallinj misri. Kërkuan që t’u jepej ca misër, ta zienin e ta hanin. Prapë nuk u dha. “Nuk duam falas, - u thanë partizanët, - ju na jepni misër, ne ju japim dy nga këto kapota që kemi veshur”. Të zotët shpirtzinj të shtëpisë vetëm kur morën kapotat, u dhanë partizanëve misër...”. Ky është një tjetër episod interesant nga dorëshkrimet e ish-anëtarit të Byrosë Politike, Rita Marko, që “Albanian Free Press” po sjell ekskluzivisht për lexuesin për të gjashtin numër radhazi. Pasuar edhe nga të tjerë që kanë lidhje me Kongresin e Përmetit dhe zbatimin e vendimeve të tij, duke nisur që nga çlirimi i veriut të vendit…

 

Përgatiti: Albert Zholi

(Vijon nga numri i kaluar)

Mirësjellja partizane dhe ballisti shpirtzi

Rrëfimi i veçantë mbi vizitën që një grup partizanësh bëri në një familje, që nuk mbante qëndrim të mirë politik. Siu iu dhanë të hanin vetëm pak misër, në këmbim të dy kapotave

Operacioni i Dimrit, siç e quanim mësymjen e armikut, Brigadën e IV-t Sulmuese e gjeti në Gjergjevicë, Shtyllë, Voskopojë, Gjinikas e Lavdar. Pas 24 orësh lufte në Qafën e Beçit, një pjesë e brigadës arriti në fshatin Potom të Skraparit. Partizanët ishin shumë të lodhur, të rraskapitur e të uritur, sa s’kishte ku të shkonte më. U ndanë nëpër shtëpitë e fshatit nga 10-15 veta për të ngrënë nga një kafshatë bukë dhe të çlodheshin. Një pjesë e fshatit ishte shpërngulur, se qe djegur nga lufta.    Një grup partizanësh i çuan në një familje, që nuk mbante qëndrim të mirë politik. Pasi panë që i zoti i shtëpisë nuk u nxirrte gjë për të ngrënë, mysafirët partizanë i kërkuan pak bukë. Ai nuk u dha. I kërkuan diçka tjetër, përsëri nuk u dha. Mbi trarët e shtëpisë panë se ishin varur vargje me kallinj misri. Kërkuan që t’u jepej ca misër, ta zienin e ta hanin. Prapë nuk u dha. “Nuk duam falas, - u thanë partizanët, - ju na jepni misër, ne ju japim dy nga këto kapota që kemi veshur”. Një fjalë goje ishte të hiqeshin kapotat nga supi në atë dimër në mesin e janarit me atë të ftohtë të madh, me borë e me akull. Por ç’të bënin, kur kishin uri? T’ia rrëmbenin  misrin, punë që s’duhej bërë, se ishin partizanë, ishin luftëtarë të lirisë. Të zotët shpirtzinj të shtëpisë vetëm kur morën kapotat, u dhanë partizanëve misër. Ky ishte një rast shumë, shumë i rrallë. Shumica dërmuese e familjeve të fshatarëve patriotë të Skraparit ishin vatra të ngrohta për partizanët. Shpesh ata na jepnin edhe kafshatën e vetme të bukës, madje ua hiqnin nga goja fëmijëve të tyre për t’ua dhënë partizanëve. Pasi hëngrën  misrin e zier, ranë të flenë. Në mëngjes, kur ikën nga shtëpia morën dhe dy kapotat që ia kishin premtuar të zotit të shtëpisë. Ku të dilnin në atë acar pa kapota? I zoti i shtëpisë, pa pikë turpi, erdhi me vrap tek ne dhe u ankua, se partizanët që kishin qenë atë natë  në shtëpinë e tij, i kishin vjedhur dy kapota. U habitëm! Si mund të ndodhte që partizanët të vidhnin  kapotat në shtëpinë ku kishin fjetur? Duhej verifikuar. Po të kishte ndodhur kjo, vjedhësit duheshin  dënuar me vdekje. Ky ishte ligj i partizanëve në kohën e luftës. Këtë e dinin edhe partizanët e asaj toge. Me cilësinë e komisarit shkova ta verifikoja çështjen. Partizanët ma treguan sesi kishte ndodhur. U dhashë të drejtë partizanëve, duke i shpjeguar fshatarit se veprimi i tij nuk ishte i drejtë.

Komiteti Qendror i Partisë me udhëzimet e tij na kishte këshilluar vazhdimisht, që të silleshim  shumë mirë me popullin, të hanim ç’të na jepte, të vuanim bashkë me të, t’i tregonim atij se ne luftonim për një ideal  të madh e të shenjtë. Pikërisht pse zbatonim këto udhëzime, andaj partizanët ishin bërë njerëzit më të  dashur  të popullit. Dhe populli e ndante kafshatën e gojës me bijtë e lirisë. Por kjo familje, që donte t’ua merrte kapotat partizanëve në mes të dimrit të madh, kur kërkohej që t’u jepte ndonjë veshje më tepër, ishte rast i rrallë, në mos i vetmi për ne.

 

Ballistët nuk panë nga ikën!

Si u goditën ballistët brenda në fshatin Lozhan. Ky ishte suksesi i parë në Operacionin e Dimrit.

Nga fundi i janarit të vitit 1944, ndodhesha në fshatin  Osojë. Si pasojë e Operacionit të Dimrit, disa nga simpatizantët tanë u lëkundën: Hysni Selcka dezertoi, disa partizanë na u shkëputën! U hutuan nga disa suksese të  pjesshme dhe të përkohshme të armikut. Nga ana tjetër, ballistët morën kuraje dhe u shtruan në gostira nëpër fshatra duke grabitur fshatarët  nën mbrojtjen e nazistëve  gjermanë. Zvarishti, Lozhani, Gjinikasi e fshatra të tjerë ishin mbushur plot me ballistë. Këta të fundit po masakronin popullin e krahinës, pse ai ishte i lidhur si mishi me kockën me partinë dhe qe bërë bazë e luftës  sonë partizane. Me urdhër të Brigadës u vendos, që me një skuadër sulmi t’i godisnim ballistët brenda në fshatin Lozhan. Skuadërkomandant ishte Petro Terova “Bicolli”, vëllai i dëshmorit të pavdekshëm Ilo Terova. U përpoqëm me patrullën armike dhe hymë në fshat. Ballistët i qëlluam nga poshtë haureve. S’dinin nga t’ia mbanin. I zuri paniku. Të tre fshatrat u boshatisën  me të shpejtë nga ballistët. Ky ishte suksesi ynë i parë në Operacionin e Dimrit. Ai ngriti lart moralin e partizanëve. Përveç kësaj radhët e partizanëve u shtuan me luftëtarë të rinj.

 

Pranverë e vitit 1944

Përgatitjet për Kongresin e Përmetit. Dhe rëndësia e madhe që ai pati për fatet e popullit tone.

Nga fillimi i majit të viti 1944, në Përmet po grumbulloheshin delegatët e zgjedhur nga populli dhe përfaqësuesit e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Këta do të merrnin pjesë në Kongresin historik të Përmetit. Ky Kongres pati një rëndësi shumë të madhe për fatet e popullit tonë. Ai i dha një hov të ri Luftës, zgjodhi Këshillin Antifashist Nacional-Çlirimtar dhe Komitetin Antifashist Nacional-Çlirimtar me atributet e një qeverie të përkohshme, ndaloi hyrjen e Zogut në Shqipëri dhe hodhi themelet e shtetit të ri shqiptar, themelet e demokracisë popullore. Vendimet e këtij Kongresi patën rëndësi dhe jehonë të madhe si brenda dhe jashtë vendit. Edhe nga batalioni i dytë i Brigadës së katërt sulmuese partizane, ku unë bëja pjesë, u dërguan përfaqësuesit tanë të zgjedhur demokratikisht. Ne vendosëm që të dërgonim atje një partizan si përfaqësues, i cili ishte dalluar në luftimet e ashpra me gjermanët. Ai ishte Llambi Luarasi. Brigada jonë, së bashku me formacione të tjera partizane kishte për detyrë luftarake që të siguronte zhvillimin normal të punimeve të Kongresit të Përmetit. Fronti i veprimeve tona qe ruajtja e rrugës Tiranë-Korçë. Forcat e batalionit të dytë të Brigadës së IV-t Sulmuese shtriheshin në një territor që nga Potgoria- Tushemishti-Grabovica dhe Çaushllija. Koha ishte shumë e bukur. E mrekullueshme. Po vinte një pranverë  edhe  më e bukur se çdo herë tjetër. Pranverë në natyrë, pranverë në zemrat e popullit tonë. Këtë pranverë ne e prisnim më tepër se kushdo tjetër. Natyra e ngrohtë, e butë dhe e bukur na lehtësonte nga të këqijat e dimrit, qoftë  për strehim, për veshmbathje, ushqim e furnizim. Disa partizanë të kompanisë së dytë, që ishin me shërbim-roje në Grabovicë-Podgorie, kapën një veturë luksoze, të bardhë, me katër civilë brenda. Këta të fundit nuk i bindeshin urdhërit që të dilnin jashtë makinës. Kur u pyetën se cilët ishin, thanë se nuk dinin shqip. Dinin vetëm frëngjisht, anglisht. Partizanëve u bëri përshtypje kjo sjellje. Si është e mundur që të lëvizin kështu, me makinë, këta civilë në kohë lufte dhe në një zonë operacionesh luftarake?! Një shoku ynë, që dinte frëngjisht, Fatmir Gjata, hyri në bisedë. Morëm vesh se ata ishin të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. Pamë dokumentat që kishin me vete dhe i shoqëruam për në shtabin e brigadës e që andej, u treguam rrugën për në Korçë. Duke ruajtur rrugën, partizanët nuk hiqnin dorë nga aksionet luftarake. Më 18-19 maj, batalioni i parë ishte ndeshur në fshatin Tushemisht me disa mercenarë bullgarë, që ishin në shërbim të okupatorit. Fshati Tushemisht ishte një nga bazat tona të sigurta. Partizanët ishin gjithmonë të gatshëm për aksione luftarake. Parimi që i udhëhiqte ata gjatë luftës ishte: të gjëndeshin në përpjekje të vazhdueshme me armiqtë. Aksionet e vazhdueshme asgjësonin armikun, afronin fitoren. Për hir të lirisë, vetëm të çlirimit të atdheut, ata sulmonin si të qenë luanë të vërtetë. Duke u nisur nga këto motive të fuqishme, vendosëm t’i luftonim mercenarët bullgarë afër fshatit Bradomirë, megjithëse atje ata ishin mjaft të fortifikuar. Në të tilla luftime, ne përdornim skuadra sulmi, që hynin e mësynin fortifikatat e armikut. Goditja filloi në ora 19. U bë një luftë e përgjakshme. Mercenarët bullgarë e paguan shtrenjtë. U vranë mjaft prej tyre dhe u morën  shumë furnizime e municione. Nga ana jonë u vra skuadër-komandanti trim, Stillo Gostivishti. Ai ra përpara bunkerëve të armikut. Në bazë të ligjit partizan, nuk duhej lënë asnjë i vrarë në duart e armikut. Qoftë edhe me sakrifica, ai duhej tërhequr, prandaj ne u përpoqëm ta merrnin trupin e tij. Nën zjarrin e dendur të armikut, disa shokë u sulën përpara. Novruz Krushova u plagos rëndë, po kështu edhe një shok tjetër. Më në fund, ne e tërhoqëm trupin e shokut tonë të dashur, Stillos. Dhe të nesërmen, e varrosëm me nderime në Peshkopi të Pogradecit. Aksioni kundër mercenarëve bullgarë u krye me sukses dhe kishte rëndësi të madhe. Iu dha një goditje atyre që udhëhiqeshin me idenë e “Bullgarisë së Madhe”, të cilët ishin shtrirë deri në afërsi të Pogradecit.

Disiplinë e hekurt, shpirt vetëmohimi.

Më kujtohet si tani, vëllai  më i madh i Stillos, Ropi Gostivishti, kur kërkoi leje të shkonte në fshat, që të shikonte ç’bëhej andej nga shtëpia  e tij pas vrasjes së të atit. Armiqtë ia kishin vrarë të atin dhe të afërmit e tij. Kërkoi të shkonte me leje qoftë edhe për disa ditë, por ne nuk i dhamë për arsye se do të kalonim në very. E vërteta është se nuk dinim se ç’kishte ndodhur atje. Ai u tregua plotësisht i bindur ndaj nesh dhe vazhdoi të luftonte si gjithë partizanët e tjerë. Më vonë edhe ky ra si trimat në luftimet e Homeshit. Kur morëm vesh dramën familjare, na mbeti gozhdë në zemër që nuk i dhamë leje Ropit të shkonte në shtëpi. Edhe tani kur e kujtoj këtë gjë mallëngjehem, por njëkohësisht admiroj disiplinën  e tij të hekurt partizane dhe shpirtin e lartë  të vetmohimit e të sakrificës që i karakterizonte luftëtarët tanë të lirisë.

 

Përpjekja e fundit në fushën e Korçës

Midis partizanëve në brigatë hynë edhe tetë arixhinj. Qëndruan ca kohë në brigadë, por pastaj u zhdukën e s’u panë më në ato anë.

Është qershor i vitit 1944. Batalioni i dytë i Brigadës së IV-t  Sulmuese mori urdhër të kalonte në Mal të Thatë për të ndaluar komunikacionin e rrugës Manastir-Korçë. Duke shkuar për atje, qëndruam në Pojan. Aty organizuam një konferencë me popullin. I bëmë thirrje rinisë së fshatit që të mbushte radhët tona me vullnetarë të rinj. Dolën njëzetë partizanë, midis të cilëve edhe tetë kurbatë (arixhinj). Ata thoshnin: “Ne nuk jemi për luftë, por jepnani të bëjmë shporta...”. Qëndruan ca kohë në brigadë, por pastaj u zhdukën e s’u panë më në ato anë! Një pjesë e batalionit u vendos në kodrat e Gollobordës, ndërsa pjesa tjetër, kryesorja, mbi fshatin Zvezdë, me qëllim që të godiste rrugën dhe bashkëpunëtorët e pushtuesit, grumbulluar në Zemblak. Forcat gjermane diktuan lëvizjet tona dhe filluan të na qëllonin me artileri në drejtim të Pendavinjit, Pojanit dhe të Zvezdës. Megjithë breshëritë e dendura e të vazhdueshme të artilerisë, në këto përpjekje patëm shtatë a tetë partizanë të plagosur. U hodhëm në kundërsulm, i thyem forcat gjermane dhe i vumë përpara. Zumë nja gjashtë robër, një oficer, plaçkë  lufte, etj. Kjo qe lufta e fundit e Brigadës së IV-t Sulmuese në Fushën e Korçës.

 

Në Kulmak (Aktivi i Partisë në shkallë Divizioni)

E para mbledhje që bëhej me kuadrot e tri brigadave. Aty u diskutuan udhëzimet e Komitetit Qendror të Partisë dhe vendimet e Kongresit të Përmetit

 

Pas luftimesh të ashpra që u zhvilluan gjatë Operacionit të Qershorit, Brigada e IV-t Sulmuese, e V-ta dhe ajo e Parë u shtrinë në territorin e Skraparit, Beratit dhe Korçës. Shtabi i Divizionit u vendos  me qendër në Kulmak të Tomorit. Pesë ditë partizanët në Kulmak janë ushqyer vetëm me mish, se nuk kishte asnjë furnizim tjetër. Kulmaku ishte vend i bukur. Në faqe të Tomorit, kushdo që shkon atje, menjëherë kujton fjalët e Naimit, poetit tonë gojëëmbël, që e ka quajtur Tomorin “Fron i Perëndisë”. Dhe ashtu dukej vërtet. U mblodhëm në teqen e Kulmakut për të punuar udhëzimet e Komitetit Qendror të Partisë lidhur me detyrat që i dilnin Divizionit të Parë për sulmin në Veri, si dhe vendimet e Kongresit të Përmetit. Ishte e para mbledhje që bëhej me kuadrot e tri brigadave. Aty na u dha mundësia që të njiheshim me shoqi-shoqin dhe të merrnim mendimet e njëri-tjetrit. Aktivi i Kulmakut hyri në historinë e Divizionit I Sulmues si një aktiv me shumë rëndësi.

 

Kalimi i Brigadës i IV-t Sulmuese në veri

Çlirimi i veriut të vendit u kthye në objektivin e të gjitha forcave të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare

Në Kongresin e Përmetit, midis të tjerash, u vendos që të organizoheshin formacione luftarake më të mëdha. Kështu, në zjarrin e Operacionit armik të Qershorit, u formua Divizioni I Sulmues i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare. Operacioni i Qershorit ishte përpjekja e dytë e madhe brenda një viti e ndërmarrë nga okupatorët gjermanë kundër ushtrisë sonë Nacional-Çlirimtare. Krijimi i këtij divizioni në këto çaste të rëndësishme ishte një tjetër goditje e rëndë për armikun, një fitore për ushtrinë  dhe mbështetje e madhe  morale për popullin. Detyrat e organizatës së partisë në Divizionin e pare Sulmues u zbërthyen hollësisht në aktivin e Kulmakut, që u zhvillua për disa ditë me radhë me pjesë-marrjen edhe të përfaqësuesit të Komitetit Qendror të Partisë. Në përbërjen e Divizionit të parë sulmues të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare hynë Brigada I, Brigada IV dhe Brigada V. Që të treja këto brigada kishin dhënë prova shumë të mira të shpirtit sulmues dhe të aftësive të tyre luftarake. Në mënyrë të veçantë, një përvojë të mirë kishte fituar Brigada I. Divizioni I kaloi  në veri në tri kolona të mëdha: njëra nga Qafa e Thanës, tjetra nga Qukësi dhe e treta nga Krraba.  Batalioni II i Brigadës IV, ku unë isha komisar dhe një batalion i Brigadës I, nga Qukësi. Bëmë një marshim  të gjatë që nga Velçani, në Qukës. Ishim të lodhur e të uritur. Shkumbinin e kaluam siçishim: të veshur. Megjithëse itinerarin e kishim të përcaktuar dhe Shtabi i Përgjithshëm  na kishte dhënë rekomandime dhe ndërlidhës, prapë se prapë hasëm në vështirësi të mëdha. Nuk e njihnim terrenin. Njerëzit që kishim, nuk i dinin mirë shtigjet dhe na mungonin furnizimet. Me të kaluar lumin, u ndeshëm me një autokolonë të madhe armike. S’kishim kohë të organizonim aksionin. Përveç kësaj, sapo reaksionarët e fshatit na qëlluan të parët me pushkë. Të lodhur siç ishim, sulmuam, i shkulëm mercenarët nga pozicionet e tyre dhe hymë në Qarishtë. Dhe aty mbi fshat, takuam forcat e batalionit të parë, midis të cilëve Andrea Markon, vëllain tim më të vogël, ardhur mbas një marshimi të gjatë. Me popullin silleshim mirë. Kjo ishte direktiva e Partisë. Prej këtu kaluam në Fushë-Studan Zabzun, Okshtun e tutje. Marshimi i të gjitha kolonave bëhej në formë krehëri, me objektiv çlirimin e veriut.

 

Befasia, armë e fuqishme e luftës partizane

Kjo për meritë të komandantit Petrit Dume në radhë të parë, i cili ishte tepër i shkathët, trim dhe i përdorte mirë taktikat mashtruese kundër armikut në luftë

Kalimi në veri i Divizionit I Sulmues, në kuadrin e të cilit ishte dhe Brigada IV dhe  zhvillimi prej tij me sukses i operacioneve  të ndryshme, krijoi një reaksion të  madh  si jashtë edhe brenda vendit. Batalioni II i Brigadës II ishte vendosur në një fushë të vogël në malin e Zerçanit me emrin “Varret e Vrame”. Këtu u informuam se forca të mëdha ballistësh ishin vendosur në  fshatrat Zerçan, Sopot, Bllatë, Zogaj, etj. Në këtë zonë ne kishim menduar të fitonim kohë për ndonjë përgatitje politike dhe së dyti, të furnizonim batalionin  nga fshatrat Tërnovë, Okshtun, etj. Kryeplaku i fshatit Tërnovë, Skënderi, na solli nja pesë a gjashtë barrë me bukë e lakrorë. Kuptohet se si mund të ishin ato, të mbledhur sa nga njëra shtëpi te tjetra. Po kush pyeste atëherë për këto punë? Gjatë veprimtarisë sonë luftarake, ne nuk i tregonim lëvizjet e forcave tona. Ky ishte një mësim i madh që na kishte dhënë përvoja. Nuk e di sesi erdhi fjala, kur këtyre fshatarëve u thamë  se atë natë do të udhëtonim në drejtim të Martaneshit dhe që andej  do të kalonim për në Elbasan. Pasi hëngrëm bukë, ngarkuam kafshët me armë dhe u nisëm për në Martanesh. Skënderi me fshatarët e tjerë, në vend që ta ruanin sekret lëvizjen tonë, shkuan dhe u thanë ballistëve në Zerçan “sihariqin” e madh se partizanët po shkojnë në drejtim  të Martaneshit. Punët më vonë u zhvilluan në një mënyrë të tillë, saqë informata që u kishte dhënë ballistëve ky fshatar, në vend që të na dëmtonte, na ndihmoi. Kjo për meritë të komandantit Petrit Dume në radhë të parë, i cili ishte tepër i shkathët, trim, përdorte mirë taktikat mashtruese kundër armikut në luftë. Pasi udhëtuam nja një orë natën në drejtim të Martaneshit, menjëherë u kthyem nga ishim nisur dhe morëm rrugën në drejtim të Zerçanit e të Sopotit. Arritëm në mesnatë. Ballistët, duke kujtuar se partizanët u larguan nga ajo zonë, u zunë në befasi. Ata ishin shpërndarë të shkujdesur nëpër shtëpira. Filloi nga ana jonë një sulm i rrufeshëm. Ballistët nuk dinin ku të futeshin. Disa hidheshin nga dritaret, të tjerë futeshin nëpër shtëpira dhe të tjerë linin rrugëve rrobat e tyre. Të gjithë i pati pushtuar një panik i madh. Shumë prej tyre i zumë robër. Disfata që pësuan ballistët mbi Zerçan e Sopot ishte një fitore e madhe për ne. Rreth 400 partizanë vunë përpara 1500 ballistë dhe i shpartalluan bashkë me komandantin e tyre, Ali Maliqin.

 

Operacioni i Qershorit

Takimi i parë me shokun Hysni Kapo

“Në Operacionin e Qershorit, midis të tjerave, batalionit tonë i takoi të bënte një luftim të ashpër në  Qafën e Gjinikasit. Në këtë kohë pranë Brigadës së IV-t  Sulmuese erdhi si i deleguar i Divizionit të Parë dhe njëkohësisht si i deleguar i Komitetit Qendror të Partisë, shoku Hysni Kapo. Me shokun Hysni u njohëm në luftë e sipër. Aty bëmë bisedën e parë. Pasi zhvilluam luftime të ashpra, u hodhëm në Peshtan, kaluam lumin dhe dolëm në Dushar. Mbaj mend si tani, që bisedën e parë e kemi bërë rreth disa të metave që dukeshin në disa nga repartet tona”.

 

HEROIZMI

Divizioni I Sulmues, shembull e frymëzim për gjithë ushtrinë

“Divizioni I ishte një shkollë e vërtetë, jo vetëm për kuadrot e saj, por edhe për gjithë partizanët. Me këtë rast dolën edhe më mirë në pah cilësisë luftarake të tyre. Divizioni I, megjithëse qe i pari  formacion i madh i Ushtrisë sonë Nacional-Çlirimtare, vepronte mjaft kompakt në aksionet luftarake. Ai u bë shembull për repartet e tjera dhe furnizues i mirë me kuadro të sprovuara. Brigada IV, para se të futej në Divizionin I, nuk ishte larguar ndonjëherë nga kufijtë e qarkut të Korçës dhe të Beratit. Inkuadrimi i saj në Divizionin I ishte një shkollë e vërtetë, jo vetëm për kuadrot e saj, por edhe për gjithë partizanët. Me këtë rast dolën edhe më mirë në pah cilësisë luftarake të tyre. Divizioni I, megjithëse qe i pari formacion i madh i Ushtrisë sonë Nacional-Çlirimtare, vepronte mjaft kompakt në aksionet luftarake. Ai u bë shembull për repartet e tjera dhe furnizues i mirë me kuadro të sprovuara. Luftimet e Divizionit I në Shqipërinë e Mesme dhe në atë të Veriut, janë të panumërta. Sukseset që korri ai në shkatërrimin e reparteve armike dhe në çlirimin e zonave të tëra, janë të mëdha. Partizanët e Divizionit I e lanë me gjakun e tyre tokën arbërore, duke dhënë shumë dëshmorë për çlirimin e Atdheut. Vetëm Brigada IV dha mbi 254 dëshmorë”.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: