Kujtimet e Rita Markos: Gora edhe Opari, mikpritëset e mëdha në luftë, Voskopoja u dogj 6 herë

Kujtimet e Rita Markos: Gora edhe Opari, mikpritëset e mëdha në luftë, Voskopoja u dogj 6 herë
EKSKLUZIVE/ “Albanian Free Press” vijon me botimin e dorëshkrimeve personale, të cilat përmbajnë kujtime të rralla të ish-anëtarit të Byrosë Politike, Rita Marko

Kujtime dhe mbresa nga krahina e Gorës dhe Oparit. Të cilat i vlerëson së tepërmi për mikpritje dhe patriotizëm gjatë kohës së luftës. Këto janë vetëm disa prej tyre që renditen sot nga dorëshkrimet e ish-anëtarit të Byrosë Politike, Rita Marko, që “Albanian Free Press” po sjell ekskluzivisht për lexuesin për të tetin numër radhazi. Por edhe kujtime për disa shokë të kohës së luftës, të tillë si Maqi Mita, Raqi Qirinxhi, Dhimitër Rapi Rëmbeci, etj. Shoqëruar edhe me një shënim të veçantë për Voskopojën, të cilën ai e kishte fort për zemër, si një trevë më histori të lavdishme…

 

Përgatiti: Albert Zholi

(Vijon nga numri i kaluar)

Kujtime për disa shokë të zemrës

Maqi Mita, goditur në kokë me bajonetë nga xhandarët

Maqin e kam njohur që nga vitet 1935-1936. Në atë kohë, ne bënim pjesë në Shoqërinë Profesionale të Punëtorëve Këpucarë. Unë isha i vogël dhe nuk kisha ndonjë pjekuri politike. Maqi ishte punëtor me karakter të fortë, i thellë në mendime. Ishte më tepër njeri i punës, sesa i fjalëve, cilësi këto që e bënë të ngrihej e të bëhej edhe kryetar i Shoqërisë. Në vitin 1936, në Demonstratën e madhe të Bukës, Maqi, duke qenë në krye të saj, u godit nga xhandarët me bajonetë në kokë, u burgos, u torturua, por qëndroi me heroizëm. Maqin e njoha më mirë se çdo herë tjetër që nga qershor-korriku 1942, deri në gusht 1943, kur ishim bashkë partizanë. Në luftë ai ishte shumë i vendosur, shumë i qartë politikisht dhe ashtu qëndroi derisa ra trimërisht, kur ishte në Brigadën I. Takimi im i fundit me të u bë në Selcë, kur Brigada I dhe ne u takuam në rrugë, por kishim drejtime të ndryshme. Maqi kishte në shpinë një batanije. Ishte tuberkuloz dhe kolla e mundonte shumë. Sikurse kam shkruar edhe në krye të këtyre kujtimeve për Maqin, me emrin e tij lidhet një episod mjaft interesant. Ja se si ndodhi. Ishte viti 1942. Shokët e çetës ranë të flenë. Pranë Maqit ishte shtrirë edhe një partizan nga Korça. Kur ai u bind se të gjithë i kishte zënë gjumi i thellë, ngrihet ngadalë, merr një copë letër dhe shkruan: “Shoku Maqi, nuk mund të qëndroj më gjatë në çetë, po shkoj në Korçë”. Dhe ia qepi Maqit në kurriz. Maqi nuk e ndjeu fare. Kur u zgjuan, shokët ia panë Maqit qepur në kurriz. Ai ecte ca kohë me letrën e qepur në kurriz, ndërsa shokët gajaseshin me të. Ky nuk qe vetëm një episod humori në çetë, por dhe një mësim për të punuar për edukimin me frymë revolucionare të të gjithë luftëtarëve të çetës. Maqi qe shumë i varfër. Ndonëse familja e tij përbëhej nga e ëma dhe e motra, ai ishte rritur me bukën e lypur nga e ëma.

Dhimitër Rapi Rëmbeci

Ra trimërisht në luftimet e ashpra që u zhvilluan në Velçan të Mokrës

Dhimitraqi, i biri i Rapi Rëmbecit, u njoh me mua kur ishim ushtarë në Sarandë. Në biseda intime si patriotë, vura re se ai ishte i gatshëm të merrte pjesë në përpjekjet kundër armikut. Aty konstatova se Dhimitri, për çështjen e popullit nuk kursente as jetën. Dhe kështu ndodhi vërtet. Ai u aktivizua pak nga pak dhe pastaj doli malit për liri. Gjatë kohës që ishte partizan dhe pak më pas, si komandant mori pjesë dhe u dallua për trimëri në një sërë aksionesh të rëndësishme të batalionit “Dëshmorët e Orman-Çifligut”. Dhimitraqi ra trimërisht në luftimet e ashpra që u zhvilluan në Velçan të Mokrës, në gusht të vitit 1943.

Dy djemtë e Terovës, Ilo dhe Sotir Terova

Po shkruaj edhe disa radhë për Ilon dhe Sotirin. Këta ishin pjesëtarë të aktivit komunist të fshatit Terovë. Mbase në kundërshtim me dëshirën e prindërve, dolën partizanë. Ishin djem të rinj, shumë të gatshëm, të dashur me shokët dhe u përshtateshin kushteve të vështira të jetës partizane. Sotiri dhe Iloja dhanë jetën, i pari në luftën e Bellovodës dhe i dyti në atë të Leskovikut. Në çetë, ata i quanin “çifti i Terovës”.

Raqi Qirinxhiu

Profesori nga Korça që vinte nga një familje e nderuar dhe që u zhduk pa lënë gjurmë. Nuk iu gjet asgjë

Raqin para luftës nuk e njihja. Për familjen e tij kisha dëgjuar në Korçë, ishte e pasur. I ati, Kostaqi, njihej në Korçë. Nga shokët e Liceut kisha dëgjuar se Raqi kishte dalë shkëlqyeshëm në mësime, si në Korçë, edhe jashtë shtetit. Në luftimet e Leskovikut u njoha më mirë me Raqin. Më la përshtypjen se ishte shok i vendosur, shumë i dashur, i thjeshtë, megjithëse ishte profesor. Raqi e kishte zemrën shumë të bardhë. Kur njihej me ndonjë, ai i hapte zemrën. Kur shikonte ndonjë gjë të padrejtë, nuk druhej të fliste hapur, edhe sikur të ishte fjala për të atin e tij. Isha takuar me të disa herë në Polenë e në Voskopojë. Megjithëse qemë në luftë, ai gjithmonë mendonte për ekonominë, për zhvillimin e saj. Ishte një itendent i shkëlqyer. Asnjë thërrime nuk linte të shkonte kot. Për të fundit herë, Raqin e takova në Qafën e Beçit, ku na bëri një furnizim të mirë. Pas kësaj, u zhduk pa lënë gjurmë. Nuk iu gjet as trupi e as ndonjë gjë tjetër që kishte me vete.

Naum Miçinoti, voskopojari

Naumi ishte një djalë shumë i thjeshtë, bir i një fshatari, mjaft i vendosur për punën e partisë. Ai, që në vitin 1942 u pranua si anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare. Naumi qe dalluar në shumë aksione të qarkut të Korçës, si në luftimet e Brigadës IV. Dhe luftoi si një hero. Sa trim, aq edhe i dashur ishte me shokët. Të gjithë ata që e kanë njohur, ruajnë kujtimet më të mira për të.

 

“Barangat e Zvarrishtit”

Kazerma e punëtorëve, që do të kthehej në një qytezë të vogël partizane dhe do të hynte në historinë e luftës të qarkut të Korçës

Në vitet 1935-1936, në grykën e lumit Devoll, aty ku ndahen Gora dhe Opari i Poshtëm, filluan punimet për hapjen e së ashtuquajturës “Rrugë e Lozhanit”. Iu dha ky emër nga fshati që ndodhej në rrjedhën e lumit Lozhan dhe sepse punimet u ndalën deri aty. Sa kam dëgjuar atëherë dhe më vonë nga njerëz të shoqërisë “Puna” dhe nga pjesëtarë të familjes sime, që punuan në atë rrugë, atje u shpenzuan shuma të mëdha të hollash, pjesa më e madhe e të cilave u vodhën. Ndërtimi i kësaj rruge shërbeu më tepër si shkak për grabitje, sesa për punë. Ajo jo vetëm që nuk u bë, por mbeti përgjysmë. Për ndërtimin e kësaj rruge u ndërtuan qendra banimi e kantiere. Kantieri kryesor ishte në afërsitë e fshatit të Zvarrishtit. Vëllai im i madh, Tasi kishte punuar këtu si punëtor krahu dhe si bukëpjekës.   Unë kur isha në moshë të re, nuk e merrja me mend se një ditë do ta shkelja atë qendër, jo një herë, por qindra herë. Ato që thuheshin për jetën e punëtorëve, për punën e tyre të rëndë, për ndërtimin e kësaj rruge, i merrja për biseda të rastit, si thashetheme. Dhe ja, erdhi një kohë që kantieri me barangat e Zvarishtit, i cili dikur shërbeu si kazermë për punëtorët, të kthehej në një qytezë të vogël partizane e të hynte në historinë e luftës të qarkut të Korçës, me emrin “Barangat e Zvarishtit”. Në këtë vend janë zhvilluar konferenca me shumë rëndësi për popullin e Gorës dhe të Oparit. Aty është krijuar këshilli nacional-çlirimtar i krahinës, u bënë mbledhje të tjera dhe janë formuar çeta partizane. Kështu që “Barangat e Zvarishtit” kanë hyrë në historinë e LANÇ-it, si një vend takimesh dhe pune për partizanët tanë. Shumë nga shokët partizanë të qarkut të Korçës kanë kujtime të mira nga ky vend. Pas çlirimit të vendit, kjo qendër u bë qyteza e punëtorëve të minierës qymyrgurore të Krasnishtit. Aty u krijua Komiteti i Partisë i Zonës së Gorë-Oparit dhe lokaliteti. Edhe pse barangat u dogjën, emri “Barangat e Zvarishtit” mbeti në kujtesën e partizanëve.

Krahina e Gorës dhe e Oparit

Kujtime të paharruara për mikpritjen dhe dashurinë e popullit të kësaj krahine për partizanët.

Që në moshën 21 vjeç, unë punoja për vete e për pjesëtarët e tjerë të familjes. I vuajtur dhe i drobitur nga varfëria e nga papunësia, që herë-herë më kishin detyruar të punoja ku të ishte, nuk kisha mundësi ta njihja ashtu siç duhet jetën e popullit tonë. Më mungonte njohuria dhe mundësia financiare. Shtëpi-punë dhe punë-shtëpi, kjo ishte jeta ime. Ashtu si të gjithë krahinat e tjera të Shqipërisë, edhe krahina e Gorës dallohej për mikpritje dhe patriotizëm. Gora është një krahinë jo shumë e populluar, për shkak se vendi është i thyer, me kodrina. Fshatrat e saj janë të vegjël dhe afër njëri-tjetrit. Popullsia këtu merret me blegtori, pjesërisht me bujqësi dhe, më shumë me frutikulturë. Krahina e Gorës dallohej për mollët e dardhat e saj shumë të shijshme. Aty nuk ka patur asnjë shkollë. Gorarët janë shumë të dashur, mikpritës e zemërbardhë. Gora ka nxjerrë njerëz të dëgjuar, trima e patriotë, si Shpendo Shapërdani në shekullin XVII, i përmendur në kryengritjet kundër Turqisë. Edhe në kohën e Rilindjes gorarët kanë nxjerrë njerëz të dëgjuar. Në Revolucionin e Qershorit të vitit 1924, ata e përkrahën qeverinë e Fan Nolit. Në Krushovë të Gorës, çetës partizane të Gorës iu dorëzua flamuri i Themestokli Gërmenjit dhe i Spiro Ballkamenit, të cilin e kishin ruajtur me aq xhelozi prej aq e aq vjetësh. Në Gorë e në fshatrat e saj, përfaqësuesit e Partisë Komuniste dh çetat e saj të para gjetën një mbështetje shumë të madhe. Gorarët, me ndonjë përjashtim, u lidhën të gjithë me partinë. Partizanët e Gorës mbushën çetat dhe brigadat e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Kjo krahinë i ka dhënë me dhjetëra dëshmorë luftës për liri. Gorarët janë njerëz të drejtë dhe të urtë. Më kujtohen ditët e para që kam qenë në Qenckë me Dilaver Qenckën, Nevruz Dërdallën, Riza Tresovën... Më kujtohet Neki Dushku me të dy djemtë, Memon dhe Agronin, Isuf Krosnishti, një këngëtar me zë bilbili, Upe Bubuqi, Hekur aipi, Haxhi Dolani, Rakip Zvarishti, Demo Babjeni e Take Babjeni, Kadri Gribeci dhe shumë të tjerë burra të ndershëm e të mirë. Opari, sidomos Opari i Poshtëm, është vendi më i thyer e me natyrë të ashpër. Edhe këtu, mikpritja dhe trimëria janë karakteristika të njerëzve të thjeshtë. Në Opar, në përgjithësi, merreshin me blegtori. Kopetë e oparakëve, të Mazrekës, të Zerecit, Dusharit, Lavdarit, Misrasit e të Oparit, ishin nga kopetë më të mëdha të Korçës.Kujtimet më të mira i kam për Zerecin, Dobërçanin, Lavdarin, Leshecin, Karpanjozin, Brozdovecin, Qafën e Kumbullës, Nikollarën, Kucakën, Qafën e Gjarpërit, Qafën e Beçit, Protopapën, Misrasin, Gjinikasin, Osojën, etj., nga banorët e të cilëve dolën mjaft partizanë dhe u lidhën fort me Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare.

Polena

Sapo dëgjoj emrin e këtij fshati, më ngjallen kujtime nga më të bukurat, nga më të paharruarat.

Polena shtrihet në perëndim të Korçës, në një vend gropë. Shpesh në Korçë dëgjon të thuhet: “Ja Polena, në ta mban!” Kjo shprehje e popullit tregon trimërinë e polenakëve, që ia kanë zbardhur faqen atdheut sa herë ka qenë nevoja. Ata janë jo vetëm bujq të mirë, por edhe muratorë e gurëgdhendës të mrekullueshëm, kultivues të shquar vreshtash, nga rrushi i të cilave prodhohet verë e mirë.   Për trimërinë e polenakëve, si brenda dhe jashtë vendit kisha dëgjuar edhe para Luftës Nacional-Çlirimtare. Në një gazetë të viteve 1923-1924, kisha lexuar një ngjarje interesante: Në Korçë kishte ardhur një mundës shumë i fortë nga një vend i huaj, që thoshte me plot mburrje se s’kishte njeri që mund t’i dilte përpara në mundje. Dhe vërtet, ishte njeri i fortë dhe gjigand nga trupi. Në gazetë lexova gjithashtu, se nga Polena kishte dalë një djalë 19-vjeçar me emrin Nasi Polena dhe pat kërkuar të mundej me të, sepse e kishte quajtur fyerje për vendin tonë qëndrimin e atij që ishte hequr si trim i madh. Do të mundej me të vetëm e vetëm, që t’ia zbardhte faqen mëmëdheut dhe Korçës së tij. Dhe Nasi nga Polena, fitoi kundër tij. Nasi, mundjen e kish mësuar në Amerikë, në kurbet, kur kishte qenë me të atin. Që me krijimin e PKSH, fshati Polenë u lidh ngushtë me të. Komunistët Koço Polena, Lako Koroveshi, Lazi Polena, Nasi Kola, Dhimokli Koroveshi dhe Ollgë Polena, ishin ndër aktivistët dhe komunistët e parë të fshatit. Në Polenë hynin e dilnin ilegalë në çdo shtëpi të fshatit, sikur të ishin në shtëpitë e tyre, pa ndonjë ndrojtje. Atje qëndronte teknika e partisë; aty u bë edhe konferenca e parë e partisë për qarkun. Polena u dogj dy herë nga okupatorët dhe nuk iu dha armikut. Ajo ka qenë strehë dhe bazë e sigurt për partizanët. Në Polenë, në çdo shtëpi e ndieje veten sikur të ishe te njerëzit e tu më të afërt, aq mikpritës janë ata. Çdo polenak e kishte për nder që t’i ftonte partizanët për drekë a për darkë në shtëpinë e tij. Polena dallohej për pjesëmarrjen dhe sakrificat e saj në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ashtu si Voskopoja në malësi, Bulgareci në fushë, Dardha në Devoll dhe Vodica në Kolonjë, e shumë të tjera. Më kujtohet fare mirë, kur në mes të dimrit shkuam në Dardhë, që sapo ishte djegur nga armiku. Dardharët na pritën jashtëzakonisht mirë, si të ishim bijtë e tyre. Polena na ka dhënë krahë, na ka mësuar si të qëndrojmë të fortë e të luftojmë mirë.

 

PËRSHTYPJE

Voskopoja martire, vendi historik edhe i kulturës

“Kushdo që shkon për herë të parë në Voskopojë, i lind pyetja si ka qenë e mundur që këtu, dikur të ketë qenë një qytet i madh, me kulturë dhe me zhvillim të gjithanshëm. Klima është shumë e mirë dhe vendi i rrethuar me male të veshur me pisha. Por gërmadhat e shumta dhe monumentet e kulturës që ekzistojnë akoma, tregojnë se Voskopoja ka qenë një qendër me rëndësi të madhe ekonomike, tregtare e kulturore. Karvanët e shumtë të Voskopojës vinin në lëvizje tregun e Beratit, të Vlorës, të Elbasanit dhe bënin shkëmbimet e nevojshme në zonën e Korçës. Karvanxhinjtë e Voskopojës gjallëronin rrugët në të katër anët e vendit e gjer në pazaret e Ohrit, Manastirit, Përlepit, Selanikut. Voskopoja ka vuajtur shumë gjatë shekujve. Ajo është djegur e kthyer disa herë në gërmadhë. Voskopojarët janë plaçkitur nga bejlerët e Dangëllisë, të Kolonjës e të Beratit. Voskopojarët kanë qenë njerëz përparimtarë. Ata që në fillim u bashkuan dhe përkrahën politikën e partisë dhe punuan për të gjer në fund. Një nga celulat e para të prefekturës së Korçës ishte ajo e Voskopojës. Midis partizanëve të parë qenë voskopojarët Miha Dollaku, Naum Miçinoti, Jorgji Pina dhe shumë e shumë të tjerë. Nuri Resmja, ishte sekretar komuneje, ka luajtur një rol me rëndësi në Voskopojë. Ajo u kthye në një qendër të rëndësishme për lëvizjen nacionalçlirimtare. Këtu, për një kohë të gjatë kishte selinë e tij Komiteti Qarkor i Partisë për Prefekturën e Korçës. Për në Voskopojë merrnin drejtimin partizanët dhe rinia prej këtej nisej nëpër çetat partizane. Si gjithë partizanët e krahinave të tjera, edhe bijtë më të mirë voskopojarë dhanë jetën për lirinë e lumturinë e popullit tonë”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: