Kujtimet e Rita Markos: Enveri përgatitej që më parë për çdo bashkëbisedim, për çdo detaj

Kujtimet e Rita Markos: Enveri përgatitej që më parë për çdo bashkëbisedim, për çdo detaj
EKSKLUZIVE/ “Albanian Free Press” vijon me botimin e dorëshkrimeve personale, të cilat përmbajnë kujtime të rralla të ish-anëtarit të Byrosë Politike, Rita Marko

“Gjithmonë kur ndaheshim me Enverin, thosha me vete: Si i di të gjitha, madje kaq mirë, deri në detaje... Për këtë, kishte vetëm një përgjigje: Enveri përgatitej që më parë për çdo bashkëbisedim”. Ky është një element i ri që zbulon rreth ish-udhëheqësit komunist, Enver Hoxha, rrëfimi i sotëm i Rita Markos, ish-anëtari i Byrosë Politike, dorëshkrimet e të cilit “Albanian Free Press” ia sjell sot ekskluzivisht lexuesit për të 11-tin numër radhazi. Pasuar edhe me rrëfimin sesi ai u emërua prej Enverit si ministër i Industrisë. “Në vitin 1950, më thërret në zyrën e tij e më thotë: “Është menduar të emërohesh ministër i Industrisë. Partia ka besim te ty, si thua?”. Mendova për një çast moshën e re, mungesën e njohurive të nevojshme dhe të përvojës për një detyrë aq me përgjegjësi, detyrë që as në ëndërr s’e shikoja dhe i thashë: “Barrë shumë e madhe për mua kjo, shoku Enver, nuk e bëj dot”. “E bën, e bën. Këto punë ne do t’i bëjmë. Kush ka merak për punën, e bën. Do të kesh edhe shokë të tjerë të mirë”... tregon Rita Marko në dorëshkrimet e tij rreth kësaj çështje.

 

Përgatiti: Albert Zholi

(Vijon nga numri i kaluar)

Enver Hoxha ishte njohës i shkëlqyer i psikologjisë së popullit tonë

Rita Marko tregon sesi ish-udhëheqësi komunist e dinte se ku i dhembte popullit, dinte se ç’dëshironte ai dhe sesi t’u fliste për t’i mobilizuar

Shkonte në veri dhe malësorët i uleshin tek gjuri dhe ndiznin me të duhan. Mos ishin injorantë malësorët?! Përse i shkonin dhe i qëndronin te gjuri?! I qëndronin atje, se malësorët shikonin tek udhëheqësi i tyre njeriun e zemrës, njeriun që u zhduku gjakmarrjen, njeriun që u arsimoi djemtë dhe çikat, njeriun që u dërgoi në fshat mjekun, shkollën, telefonin, rrugën... Shkonte Enver Hoxha në Dropull dhe mijëra njerëz, deri edhe në shi, qëndronin për ta dëgjuar. Por si ndodhte kështu? Mos ishin injorantë minoritarët? Mos kishin frikë? Si ndodhte që t’i grumbulloheshin aq shumë! Përgjigjjia është e thjeshtë: Enver Hoxha dinte se ku i dhembte popullit, dinte se ç’dëshironte të dëgjonte nga udhëheqësi, dinte sesi t’u fliste për t’i mobilizuar. Shkurt, ai ishte njeri i madh midis njerëzve.

Thuajse tani çdo ditë gjakmarrja merr jetë njerëzish!

Mijëra vetë janë ngujuar nëpër banesa nga frika e saj. U hap një plagë e mbyllur thuajse shumë dekada më parë. Tashmë mblidhen të ashtuquajturit pajtues gjaqesh, mirëpo... Asgjë nuk është bërë! Dhe zor se ka për t’u bërë gjë! Mirëpo çudia është se askush nuk dëshiron t’i kthehet përvojës së shkëlqyer të PSH dhe mësimeve të Enver Hoxhës. Që gjatë LANÇ-it, gjëja e parë që u bë, ishte pajtimi i gjaqeve. Duhej bashkimi i popullit shqiptar dhe ky bashkim fillonte, kuptohet, që në kompani apo batalionin partizan, në lagje e në fshat. Qindra e mijëra gjaqe u falën gjatë luftës për liri. Gjatë 50 vjetëve të ndërtimit të socializmit, gjakmarrja u ndërpre falë punës së shkëlqyer të komunistëve dhe veprimtarëve të tjerë shoqërorë, por edhe falë zbatimit pa asnjë hezitim të ligjeve të shtetit. Të ndodhte një gjakmarrje diku, binte “tërmet” në mbarë Shqipërinë. Ndërsa sot vriten njerëzit për hiçgjë. Ç’gjëmë kombëtare! Të them të drejtën, më ka qëlluar që gjatë punës të jem zënë disa herë ngushtë. Para ndonjë problemi delikat, kur nuk kam qenë i sigurt për saktësinë e mendimit tim, jam rezervuar. Po të ngutesha, mund të prishja punë dhe do të duhej kohë që gjërat të viheshin në vendin e vet. “Të pyes njëherë e pastaj ju jap përgjigje”, thosha. Dhe pyesja shokun Enver. Ai ishte ngaherë i gatshëm të diskutonte, të rrihte mendimet, të sugjeronte zgjidhje për problemin që i ngrije. Madje, këtë gjë e nxiste vetë. “Të pyesësh, nuk është turp; turp është të mos dish. Për një gjë që nuk e di, kur nuk ke shokë, pyet shkopin, na mëson populli”, më pati thënë njëherë. Edhe Enveri, për të verifikuar mendimet e veta, u drejtohej punëtorëve, kooperativistëve, specialistëve të ndryshëm sa herë që gjente rastin.

Ja ç’më ndodhi njëherë: Kur ngriheshin kooperativat e para, me dy-tre shokë më dërguan për ndihmë në Gjirokastër. Këtu bëheshin përpjekje, punohej dhe njerëzit e partisë e të pushtetit në rreth dhe në fshat lodheshin, por ngritja e kooperativave ecte me vështirësi. Ishte vendosur që problemi të analizohej në byronë e Komitetit të Partisë të rrethit. Në mbledhje u shprehën dy mendime: disa thoshin se kolektivizimit tek ne nuk i ka ardhur koha, se ai është i shpejtuar dhe se fshatarësia nuk e do, prandaj të presim. Disa të tjerë, edhe këta të lëkundur, shpreheshin: “Kooperativat t’i ngrejmë, por të rrimë edhe ca, sa të sigurojmë shumicën. Tani për tani, ata që duan të hyjnë në kooperativë, janë të paktë”. Rasti qe delikat. Kuptohet, paqartësia në bazë qe më e madhe. Siç kisha dëgjuar, pikëpamje të tilla që frenonin kolektivizimin, qenë shprehur edhe në rrethe të tjera. Pra, këtu ishte fjala për një udhëzim, apo për një këshillë unike për kuptimin e zbatimin e një direktive me rëndësi vendimtare për të ardhmen e fshatit. Nisur dhe nga porosia për të mos u ngutur, porosi që ma kishte dërguar vetë shoku Enver, në Gjirokastër e lamë çështjen të hapur. Erdha menjëherë në Durrës për ta pyetur shokun Enver. Ky kërkoi të dinte nëse ishin të bindur apo jo ata që kishin shfaqur dëshirën për t’u futur në kooperativë. I thashë “Po”. “Kjo ka rëndësi”, - më tha. Dhe vazhdoi: “Edhe kur e filluam Luftën Nacional-çlirimtare, nuk ishin të gjithë të bindur. Në fillim u bind pakica, disa ishin kundër, disa nuk na kuptonin, por ne kishim të drejtë, prandaj dhe gjithë populli, gradualisht, u bashkua me LANÇ-in, na erdhi pas, derisa fituam. Pra, edhe tani, që ngrejmë kooperativat, po qe shumica e bindur në drejtësinë e qëllimit, pakica do të vijë prapa, do të bashkohet në kooperativa. U thoni shokëve, se edhe me pak fshatarë, kur këta janë të vendosur, kooperativat do t’i ngrejmë”. Ashtu u bë. Duke respektuar besnikërisht parimin e vullnetarizmit, kolektivizimi vazhdoi dhe ritmet e tij pas kësaj u shpejtuan.

Historia e partisë dhe e popullit tonë e viteve të pasçlirimit, ka patur çaste kyçe, në të cilat është dashur mendimi i shokut Enver, që ngjarjet të rridhnin në rrugë të drejtë. Dhe ai ka thënë kurdoherë atë që duhej.

 

Guximi, trimëria e besimi në fitore ishin veti dalluese të karakterit të shokut Enver

Sipas Rita Markos, ai shumë herë e pati vënë jetën në rrezik, qoftë edhe për të fituar një njeri, që e gjykonte se i duhej luftës

Guximi, trimëria e besimi në fitore ishin veti dalluese të karakterit të shokut Enver. Ato kanë lënë gjurmë të rëndësishme në veprimtarinë e gjithanshme të tij dhe duke qenë të lidhura me ngjarje për fatet e atdheut dhe të popullit, kanë hyrë në histori. Vetëm një njeri me guxim e trimëri të rrallë si Enver Hoxha mund të dilte vetë së bashku me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-çlirimtare nga rrethimi, apo të merrte në sy rrezikun e madh, e me kokë në torbë, përmes reaksionit, nëpër postblloqe të armikut, që në fakt ishin pusi të ngritura për të, të shkonte në Vlorë për të shpartalluar fraksionin e rrezikshëm të Anastas Lulos e Sadik Premtes. Vetëm ai, Enver Hoxha, trim e guximtar i pashoq, me qëndrimin e vet të prerë dhe urdhrin e rreptë që dha, mund t’i kthente përsëri në det ushtri të huaja, që kishin ardhur si pushtues për t’u shtruar këmbëkryq në Shqipëri. Gjithashtu, nuk do të zgjatem në qëndrimet e prera dhe konsekuente të partisë sonë ndaj lakmive shoviniste të shteteve fqinje për të aneksuar Shqipërinë, apo të Fuqive të Mëdha për të na nënshtruar, qëndrime këto që lidhen me rolin e veçantë të shokut Enver, por do të sjell ndonjë shembull për ngjarje më pak të njohura, të cilat flasin për të vërtetën, që ai, edhe pse udhëheqës kryesor i partisë dhe i luftës, ishte kudo së bashku me popullin, me partizanët, trim e i guximshëm, në vijën e parë, pa iu shmangur rrezikut. Janë të shumta rastet në të cilat shoku Enver, pa e përfillur rrezikun, kur ka qenë e domosdoshme është futur në qendër të reaksionit dhe ka realizuar detyra delikate që mund t’i nxirrte mbanë vetëm Ai. Disa takime ilegale me atdhetarë të ndershëm e të dëgjuar, që më pas i hodhën ata në anën e popullit, shoku Enver i ka realizuar pikërisht aty ku armiku e reaksioni kishte marrë masat më të forta për ta penguar depërtimin e partizanëve dhe të ilegalëve. Sa herë e pati vënë jetën në rrezik, qoftë edhe për të fituar një njeri, që e gjykonte se i duhej luftës.

Vite më parë, shoku Enver kishte menduar të bënte një vizitë në familjen e një veterani dhe më tha të shkonim bashkë. Rrugës më pyeti: “A e njeh të zotin e shtëpisë ku po vemi?” “Po, - iu përgjigja, - e njoh. Dikur më ka bërë një të mirë e nuk ia harroj”. “Edhe unë, -vazhdoi bisedën, -për të mirë e për të ndershëm e njoh, prandaj dhe thashë t’i vemi e ta urojmë për festë. Ka qenë oficer i ushtrisë, por kur i bëmë thirrje, u lidh me LANÇ-in e qëndroi i palëkundur deri në fund”.

Nga të tjerë kisha dëgjuar, se për atë, tek i cili po shkonim, shoku Enver kishte vënë jetën në rrezik. I zoti i shtëpisë, një burrë matian, në atë kohë ca i moshuar, në fillim të luftës vazhdonte të punonte si oficer i rekrutimit në degën ushtarake të Elbasanit. U kishte bërë partizanëve dhe ilegalëve disa lehtësi dhe dukej që e shikonte me simpati luftën e popullit. Por, kur bëhej fjalë që të hidhej në mal, mëdyshej. Atëherë, shoku Enver kishte zbritur nga Çermenika përmes rreziqeve dhe ishte takuar me të ilegalisht. I kishte shpjeguar qëllimin e luftës që udhëhiqte partia, i pati vënë në dukje se ishte në dijeni të përkrahjes që u kishte dhënë partizanëve dhe ilegalëve në Librazhd e në Elbasan, se partia ia çmonte këtë kontribut dhe i qe drejtuar me thirrjen, që të kalonte në anën e Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare. Si shumë patriotë të tjerë, edhe atij i kishte bërë përshtypje fjala e ngrohtë e bindëse e Enverit dhe aty për aty, pati dhënë fjalën e besës. Edhe për Qamil Çelën, që e përmend në librin e tij me kujtime “Vite të rinisë” dhe për sa e sa të tjerë, njerëz të mirë e me influencë, Enveri ka rrezikuar veten për t’i takuar e për t’i hedhur e mbajtur në anën e popullit, në anën e luftës për çlirimin e atdheut. Puna me njerëzit, shokut Enver i jepte kënaqësi të veçantë. Kuadrot e rinj ai i shikonte me besim, i ndihmonte pa u lodhur, i inkurajonte e i nxiste t’u futeshin punëve me guxim. Edhe kritikën shoqërore nuk ua kursente kur vinte re që thyheshin nga vështirësitë, plogështoheshin, ose humbisnin në vorbullën e punëve të shumta, pa dalluar mes tyre ç’ishte kryesore dhe ç’ishte e dorës së dytë. Sa kohë punova me shokun Enver, ashtu si dhe shokët e tjerë, kam ndjerë kujdesin e tij të madh duke më mbajtur afër dhe ndihmuar pa kursim që të aftësohem, të ngrihem në lartësinë e detyrave të rëndësishme që vazhdimisht më janë besuar, të bëhem i dobishëm me punën e ndihmesën time modeste për partinë e për popullin.

 

Emërimi im si ministër i Industrisë

Rita Marko rrëfen sesi u emërua prej Enver Hoxhës në këtë post të rëndësishëm, edhe pse si fillim me mosbesimin tek vetja. Porse Enveri i dha kurajo se ai mund ta bënte shumë mirë këtë detyrë

... Në vitin 1950, më thërret në zyrën e tij e më thotë: “Është menduar të emërohesh ministër i Industrisë. Partia ka besim te ty, si thua?”. Mendova për një çast moshën e re, mungesën e njohurive të nevojshme dhe të përvojës për një detyrë aq me përgjegjësi, detyrë që as në ëndërr s’e shikoja dhe i thashë: “Barrë shumë e madhe për mua kjo, shoku Enver, nuk e bëj dot”. “E bën, e bën. Këto punë ne do t’i bëjmë. Kush ka merak për punën, e bën. Do të kesh edhe shokë të tjerë të mirë”. Shokun Xhafer Spahiu e emëruan atëherë zëvendës-ministër të parë. Filluam punën. Vështirësitë e telashet e asaj kohe nuk kishin të sosur. Por shoku Enver, si të rinj që ishim, na ndiqte në punë, na ndihmonte, na udhëzonte me durim edhe kur punët nuk i shtynim dot, na kritikonte me kujdes, gjithnjë duke na inkurajuar. Ndodhte që udhëzimet e këshillat i jepte aq të hollësishme, sa ndonjëherë s’na mbetej, veçse t’i zbatonim. Në një mbledhje të qeverisë, p.sh. kur analizohej plotësimi i planit, shoku Enver m’u drejtua: “Pse, si thoni ju të industrisë, akoma do të vazhdojmë të sjellim qymyrguri nga Polonia për fabrikën e çimentos në Shkodër?! Kjo nuk mund të bëhet. Na nxjerr shumë telashe e pengesa. Apo nuk flas drejt? Sa herë ka vajtur prodhimi në të ndalur? Jo, kështu nuk mund të ecet! Problemi duhet të zgjidhet këtu, me qymyret tona, prandaj, ti si ministër, shko vetë në Shkodër dhe me specialistët zgjidhe! Bisedoni me punëtorët, bëni prova me qymyrin e vendit, duke e përzier me atë polak. Duhet t’u dalë mirë. Pa këshillohuni me njerëzit që e njohin problemin; këshillohuni njëherë edhe me punëtorët e vjetër. Ata i ka argasur puna, janë të vuajtur. Kush vuan, edhe mëson. Shikojeni këtë problem me merak! Unë them që do ta zgjidhni patjetër”.

Të nesërmen në mëngjes, se atë ditë mbledhja mbaroi shumë vonë, unë me dy-tre shokë të tjerë specialistë që ishin të sektorit, u gjendëm në Tarabosh, tek fabrika e çimentos. Iu bëmë punëtorëve dhe specialistëve të njohur porosinë e kryeministrit, kërkuam mendimin e tyre. Kur u thamë mendimin e shprehur prej tij për përzierjen graduale të qymyreve, duke rritur vazhdimisht masën e atyre të vendit, vumë re që ndjenë njëfarë lehtësimi.

Problemin e ndoqëm së bashku me shokun Xhaferr. U krijua një grup pune me punëtorët dhe specialistët më me përvojë. Nisën provat. Në fillim, përzierja u bë duke marrë 10% qymyr vendi dhe 90% qymyr eksporti. Ky raport erdhi duke ndryshuar, derisa bazë u bë qymyri ynë. Furra e pjekjes së klingerit punonte me sukses. Kur e njoftuam për rezultatin, shoku Enver u gëzua shumë dhe na porositi: “I falënderoni dhe i përgëzoni punëtorët e specialistët e çimentos nga ana ime. U thoni se me novacionin e tyre, i kanë bërë shërbim të madh Shqipërisë”.

Në atë kohë, qeveria kishte edhe një komision që shpërblente për novacionet e racionalizimet. Na pyetën, se kush qenë novatorët që bënë zëvendësimin e qymyrit polak me atë të vendit. Cilët të jepnim? Të gjithë zbatuam një porosi, nxitja e këmbëngulja ishin të shokut Enver. Megjithatë, punëtorëve të çimentos shpërblimi iu dha. Atë shpërblim nuk pranoi ta marrë asnjë dhe njëkohësisht, e morën të gjithë. Me to u ndërtua një klub, në një vend të bukur, në afërsi të fabrikës. Kjo ishte dëshira e tyre, dhuratë e qeverisë dhe e kryeministrit. Në bazë të parimit të lidhjeve me masat, Partia krijoi organizatat shoqërore: Bashkimet Profesionale, Bashkimin e Rinisë dhe Bashkimin e Grave të Shqipërisë. Shoku Enver Hoxha e çmonte shumë rolin e këtyre organizatave, mbështetjen që ato i bënin shtetit për realizimin e planeve dhe për kërkesat e tyre, prandaj kujdesej vazhdimisht drejtpërdrejt vetë, që ato të ishin luftarake, përherë në aktivitet e në aksion.

Mua më takoi të jem shumë vjet president i Këshillit Qendror të Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë. Shoku Enver qëllonte që më thërriste, por edhe unë i shkoja dhe vetë. Më dëgjonte me interesim kur i ngrija ndonjë problem. Zakonisht nuk më ndërpriste. Kjo ishte veti karakteristike e tij. Kësisoj, inkurajonte bashkëbiseduesin. Vetë fliste në mënyrë të tillë që të bënte të përfshiheshe në bisedë, të shpreheshe për ato që thoshte. Kështu, bashkëbisedimi me Enver Hoxhën bëhej krejt i natyrshëm. Edhe kur ndonjëherë pata hyrë i tensionuar, sepse punët nuk shkonin gjithnjë mirë, falë thjeshtësisë e qetësisë së tij, shpejt çlirohesha, filloja të shpjegoja lirshëm; shqetësimi zbutej dhe kësisoj, e ndjeja veten të lehtësuar. Më këshillonte e vinte detyra. Pati ndodhur që të më tërhiqte vëmendjen e të më kritikonte, por gjithnjë, siç dinte ai, me ngrohtësi, me një mënyrë që të mobilizonte dhe të inkurajonte për punë. Dhe kjo vinte, sepse shpjegonte me durim e argumentim se ku e kishe të keqen, nga se vinte dhe si duhej të kapërcehej. Në këtë të fundit, ngulmonte shumë.

Kurdoherë fliste me një njohje të thellë për punën e organizatave profesionale, aq sa jo rrallë, kur ndaheshim, thosha me vete: “Si i di të gjitha, madje kaq mirë, deri në detaje!”. Për këtë kishte vetëm një përgjigje: Enveri përgatitej që më parë për çdo bashkëbisedim, sidomos për perspektivën që do çelte dhe për detyrat që do të shtronte. Prej tij ndaheshe plot energji, vullnet e dëshirë për t’iu përveshur punëve.

Shoku Enver ishte shumë parimor dhe i drejtë në kritikat që bënte. Kërkonte që ai që kritikohej, të bindej; të shihte se kishte gabuar, sepse kështu do të korrigjohej. “Kritika shëron, por edhe vret kur është e paargumentuar dhe përdoret pa vend. Të jemi të kujdesshëm, kritikën ta zhvillojmë përherë në mënyrë të tillë, që të ndreqim gabimet, t’i mobilizojmë me të komunistët dhe kuadrot për t’i shpënë punët përpara”, këshillonte ai vazhdimisht.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: