Kroacia vjen si një frymëzim për “kombet e vegjël”

Kroacia vjen si një frymëzim për “kombet e vegjël”
Trajneri i cili drejtoi një vit Dinamon në kryeqytetin shqiptar, Zlatko Daliç pas suksesit historik me Kroacinë në Botëror beson se tani edhe finalja për kombëtaren e tij është “mision i mundur”

Aranit Muraçi

Kroacia beson se ka ende energji të mjaftueshme për të kaluar Anglinë, çka do t’i mundësonte kombit më të vogël në garë finalen historike të Kupës së Botës, Rusi 2018. Pas eliminimit të Rusisë, vendit organizator, dhe pavarësisht se siguroi një biletë në gjysmëfinale falë kualifikimeve drithëruese, si ndaj Danimarkës dhe Rusisë, trajneri i saj  Zlatko Daliç beson se tani edhe finalja është një “mision i mundur”.

Ndryshe nga “Tre Luanët”, të cilët e kanë fituar një trofe të Kupës së Botës, Kroacia synon të arrijë finalen e parë të Botërorit në tërë historinë e saj.

“Sigurisht, kemi disa fuqi rezervë për Anglinë,” – tha Dalic.

Ai e vlerësoi lojtarin kryesor të ekipit të tij, Luca Modric, si të një “planeti tjetër”.

Kroacia ka luajtur 30 minuta më tepër se Anglia, pas kalimit të dy raundeve të fundit kualifikuese, ndaj edhe shihet si më e lodhur krahasuar me të besuarit e Southgate.

Portieri Danijel Subasic pati një problem para gjuajtjeve të penalltive me Rusinë, por e mbylli ndeshjen si një hero i vërtetë, duke i kthyer në një personazh të këtij botërori.

“Nuk ishte një ndeshje e bukur, ishte një betejë, një betejë për gjysmëfinalet”, tha Dalic. Ai pranoi se Kroacia ishte me fat.

Lidhur me ndeshjen ndaj Anglisë, ish-trajneri i Dinamos në kryeqytetin shqiptar, u shpreh: “Nuk duam të ndalemi. Do të përpiqemi të luajmë një ndeshje tjetër të madhe. Janë edhe dy ndeshje në lojë dhe jemi shumë të motivuar.”

Në rast eliminimi, Kroacia do të luajë për vendin e tretë, por këtë sukses e shënoi në Francë 1998, ndaj edhe ekipi i vetëm ballkanas që po shkruan historinë në Rusi, kërkon të kapërcejë kufijtë për finalen e madhe të Kupës së Botës.

Kualifikimi për në gjysmëfinale është shoqëruar me festime të mëdha në Kroaci.

Arritja e mundshme në finale dhe fitimi i trofeut, do të ishte jo vetëm historia e një kombi me një popullsia gati sa Shqipëria, por edhe një moment frymëzimi për kombet e vogla që synojnë të bëhen të mëdha përmes sportit.

Nga Europa e kanë ngritur deri tani trofeun e Kupës së Botës ekipe si Gjermania (4), Italia (4), Franca (1), Spanja (1 )dhe Anglia (1). Janë pothuajse të gjitha kombet më të mëdha e më të zhvilluara.

Holanda, ekipi që ka shkruar historinë e Kupës së Botës, nëse shkoi tre herë në finale, nuk e ka ngritur kurrë trofeun.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: