Kreditë në lekë, më të preferuara sesa në valutë

Kreditë në lekë, më të preferuara sesa në valutë
“Kredia e re në lekë ishte sa 53% e fluksit të përgjithshëm të kredisë së re”, vlerëson BSH.

Kreditë në lekë kanë nisur që të preferohen më shumë nga qytetarët shqiptarë. Pikërisht nisur nga “telashet” më të pakta që ata duan të kenë me këmbimin e valutave, duket se po zgjedhin gjithmonë e më shumë monedhën vendase për marrjen e tyre prej bankave.

“Kredia e re në lekë ishte sa 53% e fluksit të përgjithshëm të kredisë së re. Sipas monedhës dhe afatit të maturimit, kontributin kryesor në ecurinë e kredisë së re gjatë periudhës e dha kredia në lekë dhe ajo afatshkurtër”, cilësojnë lidhur me një dukuri të tillë vetë ekspertët e Bankës së Shqipërisë.

E thënë ndryshe sipas tyre, i bie që një në dy kredi nga këto të fundit që kanë akorduar bankat gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, të ketë qenë në lekë.

Duke shtuar se kreditë në lekë, nëse e krahasojmë me atë të dhënë gjatë vitit të kaluar, rezulton të jetë deri në nivelin prej 15% më e lartë.

Në tërësinë e saj, rezulton ndërkaq se gjatë gjysmës së parë të këtij viti, sektori bankar ka dhënë kredi të re në masën prej 128 miliardë lekësh.

“Prirja  e  viteve  të  fundit  për  zgjerimin  e  kreditimit  kryesisht  në  lekë,  ka  ndikuar në rënien e ekspozimit të mësipërm, ndaj duhet mbështetur më shumë nga industria bankare dhe agjentët ekonomikë”, vlerëson mes të tjerash BSH-ja.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: