Kredi në valutë? Kujdes nga kursi i këmbimit

Kredi në valutë? Kujdes nga kursi i këmbimit
Vetë Banka e Shqipërisë pohon se kredia që u është dhënë qytetarëve në euro apo dollarë, vazhdon të mbetet e pambrojtur nga lëvizjet e kursit të këmbimit të këtyre monedhave, duke bërë që ata të paguajnë më shumë, gjatë kësteve të radhës

“Di që e kam fiks këstin e kredisë. 200 mijë lekë në muaj dhe më vjen gjithmonë duke u pakësuar. Nuk e vras mendjen si lëviz leku në tregun e këmbimit. Prapë lek mbetet, sido që të vejë”. Kështu i përgjigjet Elona, 30-vjeçare nga kryeqyteti, “hallit” që po i “qan” shoqja e saj, se këstet e kredisë që ka marrë në euro, papritur i bëhen më të shtrenjta teksa kjo e fundit forcohet në treg. Një dukuri kjo e cila në fakt shqetëson jo pak, por shumë qytetarë shqiptarë, të cilët i kanë marrë kreditë e tyre pranë bankave në monedhë të huaj. Dhe që pohohet edhe nga vetë Banka e Shqipërisë, në raportin e saj të fundit, saktësisht me citimin se “kredia në valutë mbetet e pambrojtur nga lëvizjet e kursit të këmbimit”. E nuk është fjala për pak, por për rreth gjysmën e kredive të marra në euro apo dollar të cilat përballen me një rrezik të tillë. “Në qershor 2017, kredia në valutë e pambrojtur nga lëvizjet e kursit të këmbimit përbënte 45% të kredisë totale në valutë, ose 26% të totalit të kredisë”, pohojnë ekspertët e BSH-së rreth dukurisë në fjalë. Për të pranuar më tej se “ekspozimi i sektorit bankar ndaj rrezikut të kredisë së dhënë në valutë, kryesisht të asaj të dhënë për bizneset, mbetet i lartë”. “Banka e Shqipërisë vlerëson se ndikimi  i  tërthortë  i  lëvizjeve  të  mundshme  në  kursin  e  këmbimit  mbi  treguesit  e  veprimtarisë  bankare  është  i  rëndësishëm. Pasi në  rast  të  lëvizjes  së  pafavorshme  të kursit të këmbimit, kanali më i mundshëm i ndikimit është cilësia e kredisë në valutë,  në  rastet  kur  të  ardhurat  e  huamarrësit  janë  në  monedhën  lekë”, argumentojnë më tej ekspertët e BSH-së. Për të folur qartë kështu mbi nevojën që paraqet gjithmonë marrja e një kredie pikërisht në monedhën me të cilën një person jo vetëm vepron në jetën e tij të përditshme, por në të njëjtën kohë ka edhe të ardhurat e tij.

45%

E kredisë totale që bankat kanë dhënë në valutë, ose 26% e gjithë kredisë së akorduar prej tyre rezulton të jetë e rrezikuar, por në të njëjtën kohë edhe e pambrojtur nga luhatjet e kursit të këmbimit

“Sipas subjekteve, kredia për bizneset zë peshën kryesore të totalit të kredisë në valutë të pambrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit, me një nivel deri në 73% të tij. Kurse kredia e pambrojtur për individët u ngushtua me nivelin prej -2% në fund të muajit qershor të këtij viti”

 

Kredia e pambrojtur nga rreziku i kursit, kryesisht për të blerë shtëpi edhe dyqane

Kredia, këstet e së cilës ngrihen dhe ulen sipas “kapriçove” të valutave kundrejt lekut, rezulton se është dhënë kryesisht për të blerë shtëpi apo dyqane. Prandaj ajo paraqet edhe rreziqet më të mëdha nga kursi i këmbimit, sepse rezulton të ketë edhe këste të larta në shifra. Kjo konfirmohet nga vetë Banka e Shqipërisë, sipas së cilës, për një arsye të tillë, kjo lloj kredie ka edhe nivelin më të lartë të raportit të kredive me probleme, konkretisht rreth 15.5%. “Sipas qëllimit të përdorimit, peshën kryesore në stokun e kredive me probleme brenda kredisë së pambrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit, e zë kredia për investime në pasuri të paluajtshme, në nivelin prej 49%”, cilësojnë ekspertët e BSH-së. Që përkthehet ndryshe se të paktën një në dy kredi të marra në euro apo dollar për të blerë shtëpi apo dyqane, paraqet rreziqe gjatë shlyerjes së saj, pikërisht nga ulje-ngritjet e këtyre monedhave kundrejt lekut. Teksa nga ana tjetër, konfirmohet se kredia më e parrezikuar prej këtyre të fundit është ajo konsumatore. Kjo e fundit, e cila është edhe në shifra më të ulëta zakonisht se ato që merren për të blerë pasuri të paluajtshme, por që në të njëjtën kohë rezulton se jepet më shumë në lekë. “Nivelin më të ulët nga kategoria e kredive të pambrojtura prej rrezikut të kursit të këmbimit e shfaq kredia konsumatore, me 3.8%. Ndërkohë që ajo zë vetëm 1% të stokut të përgjithshëm të kredive me probleme të kësaj kategorie, rreth 1%”, saktëson BSH-ja lidhur me një situatë të tillë.

“Rreth 80% e kredisë së re në valutë përfaqësohet nga kredia në monedhën evropiane, euro, e cila ishte më e madhe në krahasim me atë të dhënë gjatë së njëjtës periudhë të një viti më parë. Në tërësi, kredia e re e dhënë në valutë sivjet ka rezultuar të jetë 10% më e madhe në krahasim me vitin e kaluar”.

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: