KOMA PAS NJË BOTËRORI - ANALIZË NGA SONILA MEÇO

KOMA PAS NJË BOTËRORI - ANALIZË NGA SONILA MEÇO
Nga Sonila Meço

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Në kulmin e një kampionati botëror të çuditshëm, që po sheh largimin një nga një të skuadrave elitë, atyre që kanë bërë historinë e futbollit; një dalldie kolektive mbi përjetimin e sportit si një biznes bastesh, me rritjen më shumë se 30% të fitimit të kompanive të basteve dhe bombardimit me programe mbi Botërorin, ku flitet edhe për shtatzënitë e Vip-ave, fobitë e këngëtareve dhe pushimet verore të yjeve të instagramit, veç për futboll jo, është zgjedhur (enkas), të konsumohet edhe një maskaradë që në turbullirë e sipër interpretohet e koklavitet keqas, për të realizuar një ndër synimet më të egra të kësaj qeverie: Keqpërdorimin e pasurisë publike!

Çfarë po ndodh me Teatrin Kombëtar nuk është më çështje thjesht e një teatri, një trashëgimie kulturore, një tjetërsim prone në shkelje të ligjit, një keqadministrim i pronës publike për të shpërblyer oligarkinë. Dhe kjo në një situatë skiç vëmendjeje, në mes të Botërorit, në nisje të pushimeve verore, në çmeritjen e retorikës mbi hapjen a jo të negociatave. Sepse kjo që po ndodh, është nguti i pashmangshëm i një qeverie që, të vetmen mënyrë për të përfituar vetë, ka kalimin në kolaps total të ekonomisë, nëpërmjet shërbimit symbyllazi ndaj parasë, sidomos asaj të zezës, të oligarkisë, krimit të organizuar. Tashmë që gjithçka që mund të dilte si pengesë në skemën e dizenjuar enkas për të zhvatur pasuri publike (për sa kohë nuk di e nuk do ta vësh në përdorim në mënyrë eficiente), nga gjykatat e paralizuara, institucionet e kapura, opozita e dobët, nënshtrimi i mediave dhe varfërimi i mjaftueshëm i njerëzve për t’i blerë lehtësisht, tashmë është vënë nën kontroll, ka mbetur vetëm ekzekutimi pa paralajmërim i saj.

Ajo çfarë një autokrat i një ekonomie të pasuksesshme kërkon, është të ndalojë ata jashtë pushtetit të bien në një mendje dhe të mos lejojë asnjë krisje mes atyre që janë brenda. Ndaj, o burra fakteve me kokë, sepse tragjedia e vërtetë është se, ky dështim ekonomik është menduar të jetë i tillë! Të shkatërrohet çdo nismë e lirë, të dekurajohet talenti dhe entuziazmi i qytetarëve, duke ndërtuar një fushë loje me rregulla arbitrare, për t’ju bjerrë atyre çdo mundësi! Asnjë gabim nuk ka në këtë skemë, as institucionet e dobëta e as drejtësia e munguar. Gjithçka e renditur qartazi e me afate për të çuar në koma një shtet të tërë, sepse vetëm kështu mund të bësh ç’të duash me të.

Dhe që të kuptojmë se çështja e teatrit është një metastazë më shumë në një trup të rënë në koma, siç është ekonomia jonë, ja një skaner i situatës aktuale, me fakte e kontroll faktesh, që do të ndihmojë të kuptojmë se kjo situatë nuk është rastësore, se Teatri nuk është viktimë e radhës pas Stadiumit e paraprirës i fatit të Galerisë së Arteve nën Kullë, por pjesë e një skeme funksionale për forcimin e rrënjëve të pushtetit, në një ekonomi të çuar në kolaps qëllimisht.

Eurobarometri i pranverës i Bashkimit Europian dhe vendeve kandidate, do të publikonte pak ditë më parë shqetësimet kryesore të shqiptarëve: Situata ekonomike, papunësia dhe kosto e lartë e jetesës. Përqindjet respektive dyfish a shumëfish më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian. Dhe në këto pohime, besimin më të lartë shqiptarët e kanë te BE, sesa te qeverisja e brendshme. Pak kujdes këtu! Shqetësimi për papunësinë sipas Eurobarometrit, nuk përputhet me entuziazmin e një shifre të publikuar nga qeveria për uljen e saj në nivelin historik 12,5%. Dhe besimi ynë te BE-ja, mori një shuplakë me mos hapjen e negociatave dhe mosnjohjen e fatit të tyre deri në fund të vitit të ardhshëm. Pra, ta lëmë mënjanë “mrekullinë ekonomike” që po sjell “punësim historik”. Çfarë ka pas manipulimit kaq flagrant të shifrave? Çfarë po fshihet?

E përditshmja franceze Liberation do të nënvizonte në faqet e saj, pak ditë më parë, atë që pëshpëritim jashtë valëve të propagandës vendase, se dyshimet e forta për bashkëpunim mes qeverisë socialiste dhe bandave të trafikut të drogës, pritet të rëndojnë pozitat e Shqipërisë, aty ku paratë e drogës janë kthyer në pará të politikës. Sipas kontrollit të fakteve të gazetës, nëse është e vërtetë se fluturimet e Guardia di Finanzas gjatë 2017-ës, kanë pikasur vetëm 99 plantacione të dyshimta me kanabis, përkundër 2086 copëve në 2016-ën, sipas Nicola Albertino, gjeneral brigade në jug të Italisë, janë sekuestruar 860 kilogramë kanabis më 2015-ën, 13,9 tonë në 2016-ën, 34,9 tonë në 2017-ën dhe 10 tonë përgjatë 4 muajve të parë të 2018-ës. Duke shtuar se, pas analizimit të përqindjes së agjentit aktiv të pranishëm në produkt me qëllim përcaktimin e vjetërsisë së tij, rezulton se prodhimi është i 6 muajve të fundit. Ku shkojnë këto pará? Sipas gazetës në Tiranë, kantieret për ndërtesa luksi janë duke u shumëfishuar në një ndër vendet më të varfra në Europë. Por as Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk është i bindur nga këto partneritete publiko-private, të konsideruara si jotransparente, ndërkohë që ka plot dyshime në lidhje me origjinën e financimit të këtij bumi ndërtimi në kryeqytet. Kujdes këtu! Një ministër nën hetim e një tjetër nën akuza të forta për lidhjet e të vëllait me krimin e organizuar. Ky i fundit ka lulëzuar me trafikun e narkotikëve. Paratë e siguruara tashmë, kërkojnë të bëjnë vend në ekonomi. Dhe ka një shprehje të vjetër, që ekonomistë botërorë e përdorin shpesh kur vjen fjala te zgjidhja e situatës me paranë e pistë: paraja e zezë është si një tumor në qendër të kokës, tento ta heqësh dhe pacienti me siguri do të vdesë. Pra, çështja është mos e lejosh deri në palcën e ekonomisë, se po hyri, keq e më keq ta lësh, keq e më keq të tentosh ta zhdukësh. Ndaj u shpikën Partneritetet Publik-Privat, për të cilat pak ditë më parë ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri, do të deklaronte: “Qeveria shqiptare ka zgjedhur një nga format më të suksesshme e të kontrollueshme nga pikëpamja e financimit dhe alokimit të riskut, që është përfshirja e partneritetit privat në investime, në ndërtimin e rrjetit rrugor shqiptar ose modeleve të tjera të transportit dhe zhvillimit.” Kontrolli i fakteve sjell në vëmendje se, FMN-ja dhe Banka Botërore janë çjerrë duke i bërë thirrje qeverisë të mos vijojë më me kontrata PPP-je me kompanitë private, pasi ato po jepen pa asnjë analizë financiare, pa transparencë, duke rritur borxhin dhe riskun në dëm të taksapaguesve. Sipas BB-së, qeveria shqiptare nuk duhet të pranojë çdo ofertë të pakërkuar që i vjen nga kompanitë private, por duhet të japë me PPP vetëm ato projekte që kanë kaluar procedurat e parashikuara nga ligji e standardet europiane dhe që kanë fizibilitet të lartë. E megjithatë, Parlamenti vendosi të bëjë të pabërën, të fusë me procedurë të përshpejtuar në punimet e tij, një projektligj të dyshimtë, që nuk respekton kuadrin ligjor ekzistues për të dhënë me koncesion jashtë procedurave konkurruese, 8,465 metra katrorë tokë publike në qendër të Tiranës. Toka është vlerësuar sipas një vendimi absurd të qeverisë, për më pak se 470 euro për metër katror, në një zonë ku një apartament i zakonshëm kushton mbi 2,500 euro për metër katror, ndërsa një dyqan 5,000 euro për metër katror. Për këtë është parashikuar një “procedurë e veçantë”, që u përdor pa sukses për ndërtimin e Rrugës së Arbrit nga një kompani kineze, si dhe ndërtimi i portit të Karpenit nga një kompani fantazmë. Çfarë do të thotë procedurë e veçantë? Të anashkalosh ligjin për PPP-të, i cili gjithsesi imponon që propozimi i pakërkuar, si ky që është bërë për Teatrin Kombëtar, të hidhet në garë publike ku mund të marrin pjesë kompanitë e tjera të interesuara. Dhe të mendosh se, e gjithë situata konsumohet mbi një pronë publike. Pra, anashkalim ligjesh e procedurash, për të përvijuar me ngut një skemë në dëm të interesit publik, për të toleruar futjen e një sasie të madhe parash në ekonomi, në një sektor që as i shërben rritjes dhe as zhvillimit. Por le të vijojmë me skanerin:

3.4 milionë euro të krimit u kapën javën e kaluar në portin e Durrësit. Dhe çfarë thotë kontrolli i fakteve? Forcimi jo normal i lekut, që edhe pas ndërhyrjes së jashtëzakonshme të Bankës së Shqipërisë vijon revanshin pa asnjë shpjegim nga institucioni që duhet të garantojë stabilitet, ka krijuar prej kohësh dyshime mbi rolin e parasë së zezë në ekonomi. Nëse 3,4 milionë arrijnë të kapen në port, sa milionë të tjera gjejnë format për të hyrë në ekonomi? A na lind e drejta të dyshojmë se, paratë e përfituara nga trafiku i drogës janë faktori kryesor pas forcimit të lekut gjatë viteve të fundit? Dhe se çdo nismë qeveritare për t’ia lënë partneritetit me privatin pasuritë publike, është në funksion të krijimit të hapësirave ku paraja e zezë të mund të akomodohet serbes serbes në ekonomi? Se ta themi troç, Banka e Shqipërisë nuk ka as këllqet e as tagrin të ndërhyjë për të normalizuar situatën e krijuar nga hyrja masive e parasë kriminale në Shqipëri. Pará që, sipas kontrollit të fakteve po hyn me shumicë për t’u riatdhesuar, duke na shndërruar gradualisht edhe në një ferr-parajsë fiskale. Ferr për publikun, parajsë për krimin dhe pushtetin. Dhe meqë leku po mban me nder mbivlerësimin prej muajsh tashmë, kjo dëshmon se praktika e qarkullimit të parasë së pistë është konsoliduar dhe si e tillë ka gjetur vend në bizneset ekzistuese dhe në filozofinë qeverisëse, që e lejon si formë të mbajtjes së ekonomisë dhe garantimit të fitimeve të veta. Po të vendos sërish kontrollin e fakteve në veprim, Banka e Shqipërisë pak ditë më parë, dha alarmin se disa banka në vend kanë rrezik të madh për pastrim parash. Përfundimi i takon vlerësimit të 60 subjekteve financiare në vend, ku gjysma e tyre në Shqipëri kanë rrezik të lartë për t’u përfshirë në pastrim parash.

Ja pra një renditje faktesh e zhvillimesh të vetëm javës së fundit, dëshmon për kolapsin e dizenjuar të ekonomisë shqiptare. Teoria dhe përvoja historike kanë dëshmuar disa mënyra se si një vend çohet në kolaps dhe Shqipëria po i përmbush me zell të gjitha hapat. Shqipëria e burimeve të bollshme natyrore, e ditëve me diell e tokës pjellore, dy deteve, liqeneve e lumenjve. Tamam si ajo vajza e bukur, por me trurin çuar në koma, për të bërë enkas ç’të duash me të.

Ndërkohë, “kush luan sot dhe sa janë koeficientët?” - pyet dikush në tryezën ngjitur me timen.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: