Klodiana Vata: Jam e ndërgjegjshme, duhet bërë shumë për ta ruajtur suksesin!

Klodiana Vata: Jam e ndërgjegjshme, duhet bërë shumë për ta ruajtur suksesin!
Flet këngëtarja e talentuar, Klodiana Vata: “Të qenit me shpirt shkodrane, unë e shikoj në çdo gjë që bëj, pasi është pasioni, dashamirësia me njerëzit dhe humori, pjesë këto të karakterit tim, të cilat mi ka dhuruar ky qytet kaq bujar në vlera.”

Është shumë e re, por ka plot 10 vjet që këndon - sigurisht për shumë vite në festivalet për fëmijë e tashmë me këngë për të rritur. Madje, Klodiana Vata, shkodrania plot hijeshi, ka fituar edhe çmime ndërkombëtare, të cilat askush më parë nuk ka mundur t’i arrijë. Pak kohë më parë, fituese e një burse stazhi në Francë, vajza me pasion këngën, nisi edhe një ëndërr të re, atë që një ditë, pse jo, të studiojë e jetojë në vendin e romancës dhe bukurisë. Sigurisht që, karriera e saj është në ngritje, por nga ky rrëfim ekskluziv për Albanian Free Press do të dalloni një vajzë me këmbë në tokë, që dashuron vendlindjen dhe, mbi të gjitha, ka një mirënjohje të thellë për familjen!

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Si kanë rrjedhur gjërat, pas publikimit të videoklipit tënd të parë, “Shi lodre”...

Menjëherë pas publikimit të këngës “Shi Lodre”, e ndjeva se u vura në vëmendjen e fansave, atyre që pëlqenin muzikën e mirëfilltë si dhe mediave, atyre vizive ashtu si dhe të shkruara.

Je këngëtarja që ka fituar shumë çmime të rëndësishme në festivalet ndërkombëtare të fëmijëve... Cilat janë mbresat prej këtyre eksperiencave?

Pjesëmarrja ime në këto aktivitete që në moshë të vogël, është shoqëruar edhe me fitimin e shumë çmimeve, gjë që më ka dhënë gjithnjë shtysë, që asnjëherë të mos mungoja në aktivitetet e zhvilluara brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Ke filluar të këndosh prej moshës 6-vjeçare. Mendon se kënga do të jetë më pas edhe profesioni yt?

Për momentin jam e fokusuar shumë te kënga, pasi jam e ftuar në koncerte të shumtë, por krahas kësaj, po drejtoj një emision muzikor në Radio Shkodra. Të prezantuarit në radio, është një ndër pasionet e mia, pasi kam 2 vjet që i jam përkushtuar. Për momentin, këtu jam fokusuar më së shumti, ndërsa për të ardhmen, është ende herët të flas.

Sa mendon se ka brenda teje nga shpirti i Shkodrës?

Të qenit me shpirt shkodrane, e shikoj në çdo gjë që bëj, pasi është pasioni, dashamirësia me njerëzit dhe humori, pjesë këto të karakterit tim, të cilat m’i ka dhuruar ky qytet kaq bujar në vlera.

Si po shkon eksperienca jote me Francën? Si erdhi angazhimi yt atje dhe më pas fitorja e çmimit të parë?

E them pa frikë se, ajo është një ndër përvojat më të bukura që kam kaluar deri tani. Të konkurrosh në një shtet si Franca, krahas përvojës që ti merr si këngëtar, njëkohësisht të bën të ndihesh keq, se si këto norma të vendosura në këto shtete nuk njihen dhe nuk respektohen në vendin tonë.

Sa e rëndësishme ka qenë mbështetja e familjes tënde, duke qenë se ke qenë një vajzë shumë e vogël?

Mbështetja e familjes ka qenë ekzistenciale, pasi ka qenë shtysa ime më e madhe. Për një vajzë të vogël siç isha unë, në kushtet kur vija nga Shkodra në Tiranë për 10 vjet rresht, për të ndjekur çdo aktivitet të moshës sime, kërkonte jo vetëm lodhje fizike, por edhe shpenzime.

Je e ende shumë e re, por ku e shikon veten, në Shqipëri apo jashtë vendit?

Momentalisht, po vazhdoj studimet dhe me mbarimin e shkollës do të rikonsideroj mundësinë për të studiuar në Francë.

Çfarë muzike dëgjon ti me shoqërinë, cilat stile preferon?

Me shoqërinë, dëgjojmë rryma muzikore të ndryshme, por muzika pop është ajo që dëgjojmë më së shumti.

Ke një këngëtare ose këngëtar idhull në Shqipëri? Po në botë?

Këngëtarja ime e preferuar është Lara Fabian.

Emocionet i mund apo të mundin ato ty?

Kam arritur të gjej një të mesme, deri aty ku ato nuk më mposhtin.

Ke filluar aktivizimet në koncerte live, nëpër qytetet e Shqipërisë. Si ndihesh përpara një publiku të gjerë?

Është një ndër përvojat më të bukura dhe është nder të ndaj skenën me këngëtarin e mirënjohur, Devis Xherahu. Festa e birrës është ndër më të veçantat, pasi njerëzit bashkohen për të dëgjuar muzikë, për të kërcyer; ndaj, jo më kot, quhet “festa e miqve të mirë”.

Je shprehur se je gjithmonë në sfidë me veten. Mendon se në tregun shqiptar të muzikës ka kompeticione të drejta?

Kjo është pjesa ku unë flas në bazë të përvojës sime dhe pak më lart e citova se, të vjen keq që Shqipëria, në krahasim me standardet e vendeve të tjera, lë shumë për të dëshiruar në këtë fushë!

Përveç këngës, cilat janë pasionet e tua?

Veç këngës, pasioni im është prezantimi. Se fundmi, kam prezantuar “Festivalin Ballkanik për fëmijë” në Maqedoni.

E shikon veten ndoshta si një kantautore më vonë?

Më pëlqen të shkruaj dhe në bllokun tim, kam disa tekste këngësh të shkruara, por duke qenë se jam tepër kërkuese ndaj vetes, nuk marr guximin t’i prezantoj asnjë kompozitori, por mbase në të ardhmen do ta bëj.

E ke njohur suksesin shumë e re. A mendon se duhet shumë pjekuri për ta ruajtur atë edhe më pas?

Rruga ime drejt karrierës ka ardhur hap pas hapi, pasi kam 10 vjet që këndoj. Ajo çfarë më ka bërë mua të eci në këtë rrugë, ka qenë edhe fakti se nuk jam vlerësuar gjithmonë me çmimet e para dhe kjo ka qenë shtysë për mua - të kërkoj gjithmonë për më të mirën! Jam e ndërgjegjshme se duhet bërë shumë për ta ruajtur suksesin dhe kjo është arsyeja që po punoj shumë për projektin e radhës.

Kjo verë, ku do të të gjejë?

Kjo verë ka filluar dhe do të mbyllet me aktivitete brenda dhe jashtë vendit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: