KJO BOTË E DEHUR DHE... TJETRA – KOMENT NGA FRROK ÇUPI

KJO BOTË E DEHUR DHE... TJETRA – KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

“Tjetra” është bota që po tenton të dalë prej “moçalit” ose, sipas presidentit Trump, “drain the swamp” - (të thajmë moçalin)... Ndërsa bota e dehur nuk është vetëm zoti Juncker- president i Komisionit të BE-së, që u shfaq para gjithë botës krejt i dehur; ky është vetëm simboli i një bote që nuk ecën dot më.

Prej kaq ditësh, apologjetët e “moçalit”po ngrenë stuhi kundër botës që po kërkon ndryshimin, ose rendin e ri botëror. Aktualisht, janë fokusuar kundër takimit Trump- Putin. Edhe vetë zoti Juncker i BE-së, tek e mban prej krahësh zoti Poroshenko i Ukrainës, - drejton gishtin për nga “armiku”. Me një mendje nën avuj alkooli, presidenti i BE-së guxoi të tundë gishtin para presidentit të Amerikës, teksa zbriste në samitin e NATO-s dhe ti flasë për mendjen: “Eej ti, ki mendjen në vend kur të vish në BE!” - tha.

A është vetëm ky paradoksi?

Që prej ardhjes në Shtëpinë e Bardhë, zoti Trump është sulmuar si “i papërshtatshëm”. Është sulmuar doktrina “America First”; “lufta e tregjeve”; ideja e kufijve të mbrojtur; ideja e kombit dhe ndalimit të emigracionit të rremë masiv; ideja e qeverive të vërteta dhe jo mashtruese...; është sulmuar vetë Brexit dhe përhapja e lëvizjes konservatore sovrane në Europë....

Bashkimi Europian, një aparat gjigant burokracie, me 33.000 institucione që gëlltisin miliarda në vit, ka zënë pozitën e të “sëmurit për mend”; që këtej sulmon botën “tjetër” në lëvizje. Jean Claude Juncker - i dehur, nuk është veç një ish-nazist i lodhur, por është simboli i një botë në dekadencë.

“Europa” po lodhet me fshehjen e vetvetes, me apologjinë e të keqes. E gjithë filozofia e “Europës”, po rreket të na mbushë mendjen se “Juncker-i nuk ishte i dehur”. A veç për kaq na duhet BE-ja?... Ne pyesim kështu, ndërsa burokratët e BE-së janë të kënaqur vetëm me kaq.

Me kaq, çfarë?

1.

Fshehja e të vërtetës në sytë e të gjithë botës

Në mbrëmjen “gala” të samitit të NATO-s, video që bëri xhiron e botës paraqiti zotin Juncker-in  të pazotin të ngrihej më këmbë, pastaj të paaftë të bënte dy hapa për t’u ngjitur  në podium. Ishte dehur sa pa shkuar mesi i darkës. Presidenti i Ukrainës, Poroshenko, por nuk e mbante dot; atëherë erdhën në ndihmë Mark Rutte - kryeministri i Holandës dhe Antonio Costa - kryeministri i Portugalisë. Juncker-i është një burrë europian veç 63 vjeç, por nuk e mbajnë këmbët... Kur u pyet nga gazetarët, veç pas pak, Juncker-i tha se vuan nga një “shiatik sporadik”. I pyetur muaj më parë po për “dehjen me alkool”, po Juncker-i kishte thënë se ka një “problem në gjurin e majtë”. Sy për sy, para gjithë botës, presidenti fshehu të vërtetën. Një ushtri e tërë nëpunësish të BE-së, u shfaqën në konferenca e në ekrane për të fshehur të vërtetën e presidentit të dehur. Gjithë BE-ja shpenzon energji pafund, për të fshehur realitetin. Njësoj si BE-ja, plot qeveri liberale të elitës së vjetër, gjatë gjithë kohës, bëjnë”strehën” për fshehjen e së vërtetës. Sa shumë energji për të qëndruar në vend...!

2.

Pastaj e vërteta bëhet edhe më rrënuese...

Shumë njerëz nëpër botë, edhe pse pa pikën e  dyshimit se Juncker-i ishte një i dehur, kanë bërë pyetje pa përgjigje: “Po pse vallë ky, gjatë kohës që shfaqet në samit, nuk ka asnjë pikë dhimbjeje, nuk mbledh buzët nga ndonjë dhimbje..., dhe në fund i merren këmbët, e mbajnë për krahësh..., për shkak të dhimbjeve të “shiatikut”. Zoti Juncker u pa shumë në formë, i qeshur dhe energjik, kur nisi darka derisa piu shishen e parë...

Po të ishte “shiatik” nuk mund të ndodhnin këto.

Mandej, bota e pa presidentin e BE-së, pas dy ditësh, që u nis “me vrap”, pa dhimbje këmbësh, për një vizitë në Kinë dhe Japoni. Nëse ishte shiatik, si mund të vizitonte dy shtete pas dy ditësh? Shiatiku jep dhimbje të papërballueshme - thonë mjekët. Një nga diplomatët është tallur me zotin Juncker: “Në qoftë se Juncker-i vuan nga një molisje e tillë, atëherë ai qenka qenie e jashtëzakonshme, i pajisur me moral të jashtëzakonshëm, që përballon dhimbjet për të mirën e Europës!”

Por Europa prapë vuan duke mbledhur “në gënjeshtrat” që i dalin nga hatllat.

Pastaj...,  kush thotë të vërtetën, ai ndëshkohet nga BE

Kushdo që ka guxuar të thotë se e ka parë zotin Juncker duke kthyer shishe me verë dhe me xhin, është “i dënuar”. Kushdo që guxoi të thotë se bota e ka parë zotin Juncker të dehur, po ndëshkohet nga nëpunësit e BE-së. Viviane Reding, anëtare e PE-së dhe ish-komisionere e Luksemburgut, tha se “është e turpshme” ta quash Juncker-in të dehur. Martin Selmayer- sekretar i komisionit të BE-së, dhe një nga njerëzit që po komploton për t’i zënë vendin Juncker-i, sulmoi mediat që thanë se Juncker-i ishte i dehur. “Është e papranueshme” - tha ai.

Një botë që nuk ecën ka për detyrë “genuine” që të mbrojë ngecjen...

... Ja, kjo është ajo çfarë ndodh mes “botës së dehur” dhe botës tjetër.

Atmosfera në Bruksel është bërë një reminishencë e fundit të epokës së Brezhnjevit - ka shkruar Jean Quatremer, gazetar francez, autor librash mbi BE-në... Ne (në BE) kemi një “aparat burokratik tamam si në ish-Bashkimin Sovjetik, që shërben për të fshehur prova të rëndësishme”.

Gjithçka çfarë bëjnë “zotat”, na kushtojnë ne njerëzve “të vdekshëm”; mbi të gjitha kushton “dehja”, d.m.th., mendja e prishur, shpenzimet pa fre, mashtrimet, propaganda, tallja me ne, fshehja, kërcënimi... Dhe më në fund, thonë “demokraci”!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: