KISSINGER DEL TEK URA... - OPINION NGA FRROK ÇUPI

KISSINGER DEL TEK URA... - OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Pas samitit mes presidentit të Shteteve të Bashkuara, Trump, dhe presidentit të Rusisë, Putin, jam ndjerë si i vetmuar në tokën time. Të gjithë më janë dukur sikur sapo mbërritën nga Helsinki, madje nga salla brenda selisë së Presidencës finlandeze. Të ishin të gjithë në sallën e bisedimeve - pyes!?... - përderisa të gjithë flasin sikur ndodheshin aty. Madje, kam dëgjuar dje në mbrëmje një nga këta gazetarucët që mbledhin thërrimet e partisë, në një televizion te merrte poza e thoshte:

“E di pse e kemi marrë inat Trump-in..., se atë tjetrin as ia zë emrin në gojë”.

Tmerr i vërtetë! Marrëzia në lojën me superfuqitë këtu, është mbartur nga periudha e idiotësisë izolacioniste të diktaturës komuniste. Skenat duket sikur përsëriten në një teatër absurd...

Njësoj si këta që sapo “janë kthyer” nga Helsinki, ka qenë Haziri, d.m.th., një “Hazir”. Ai dilte tek Ura e Matit (ura me harqe), mbante para gojës një gjysmë ibriku metalik dhe fliste si në megafon: “Këtu po do që të vijë Kissingeri, armiku i popullit tonë...”, dhe vazhdonte fjalimin sikur po ndeshej në të njëjtën fushë beteje me kapitalizmin amerikan dhe borgjezinë e botës. (Henry Kissinger ishte sekretar i shtetit i SHBA) Të gjithë të marrët e tjerë që shfaqeshin rrugëve ose qyteteve, policia komuniste i mbyllte nëpër biruca; ndërsa Hazirin e Urës së Matit, nuk e arrestoi kurrë. Vetë regjimi komunist, ai krijonte një paralele me marrëzinë që e afronte armikun e largët, deri në cepin e urës.

Kësaj here, të gjithë e bënë “copë-copë” samitin e Helsinkit, mes dy liderëve më të fuqishëm të botës. Kur flasin këta këtu në ekrane dhe në rrugë, duket se po e bluajnë botën sipas midesë së tyre.

Deri tani kemi dëgjuar se, “Trump-i gaboi që u takua me armikun Putin”. Kemi dëgjuar se, “tani e kemi radhën ne shqiptarët, që të na bashkojë me ortodoksët”. Kemi dëgjuar se, “Putin-i e mundi Trump-in” në samit... Gjithfarë tregimesh të formuluara sipas shijes së gjithsecilit.

Psikologët (nëse kemi), do ta analizonin këtë si një sëmundje venoze marrëzie. Në fakt, nuk e shikoj kështu, sepse nga këta që “sapo u kthyen nga Helsinki, askush nuk nxjerr në shesh vetëm atë që përmbajnë venat e tij. Post Helsinki këtu po nxjerr mbi lëkurë atë që po ndodh, sa mes njerëzve më të varfër të Europës dhe superfuqive, aq edhe atë që po ndodh mes rendit botëror ekzistues dhe një rendi të ri që pritet të vijë.

1.

Raportet individ i rraskapitur - superfuqi botërore.

Ky është një raport i njohur botërisht në gjithë jetën dhe që ka shkaktuar trauma të mëdha, edhe pse individi i rraskapitur është aq i padukshëm para “elefantit” superfuqi. Kulmin e traumës, ky raport e arriti në orën e djegies së Bastijës në Francë në vitin 1789. Atje, një grup i vogël fshatarësh, iu drejtuan kështjellës së Luigjit XVI, kërkuan vetëm topat e mbetura nëpër kthina... dhe, më në fund, vranë shefin e rojeve. Kaq ishte, por bota e mbretërve u nëpërkëmb nga fshatarët e vegjël, sepse u hap lajmi se u dogj Bastia. Sot e kësaj dite, kështu besohet. Në rastin tonë, me Trump-in dhe Putin-in po guxon secili, i kamur a i rreckosur, që t’í afrohen dhe t’i japin qortime secilit nga liderët. Edhe në këtë rast, njësoj si me Bastijën e Francës, nuk tregohet forca e individëve të paditur, por “dobësia” e superfuqive. Të dy liderët, në sy të botës së mësuar me rendin botëror të konfliktit dhe të Luftës së Ftohtë, duket se janë të dobët. Jo vetëm me shqiptarët po ndodh kjo, por me gjithë individët që ende e kanë të vështirë të marrin kthesën. Deri më tani, nuk ishin mësuar që njëri nga liderët e superfuqive të thotë fjalë të mira për tjetrin. Deri më sot, njëri lider qëndronte në llogoren e tij dhe lëshonte bomba kundër armikut. Diktatori komunist Hoxha thuri një legjendë, sikur doli nga salla e mbledhjeve në Kremlin dhe u nis me trena e nëpër gëmusha drejt Shqipërisë, si hero... Ndërsa po ndryshon rendi botëror, po ndërtohen marrëdhënie paqeje, po lihet pas lufta, po takohen liderët kundërshtarë dhe po bëhen plane. Ja, kjo është “dobësia”.

2.

Kush do të fitojë në këtë terren të gjerë ndryshimi?

Askush nga iniciatorët e mëdhenj të “rendit të ri”, deri më tani nuk ka thënë se “do të fitojmë ne”. Mes rendit të vjetër e të lodhur dhe rendit të ri, ka dy balanca. Balanca e numrave dhe e kotësisë, peshon për nga rendi i vjetër. Rendi i vjetër, edhe në Europën Perëndimore, do që të mos prishë status qou-në: Zyra pa fund, shpenzime pa fre për qejfe dhe për autoritete, ligje të panumërt (vetëm ligjet që rregullojnë marrëdhëniet e kombeve anëtare me BE-në, po të viheshin në radhë, do të arrinin deri në Mars); një BE si qeveri, por pa komb dhe pa zgjedhje; një raport i prishur mes qeverive dhe zgjedhësve ku dominon mashtrimi dhe jo vepra; mungesë sovraniteti, superioritet “gay” dhe rrënimi i familjes; familje europiane pa pjesëtarë europianë; zhdukja e butë e kombeve..., etj.

Rendi i ri botëror i ka themelet e para në Brexit dhe në zgjedhjen e presidentit Trump, si presidenti i Shteteve të Bashkuara. Rendi i ri botëror po zgjerohet përmes lëvizjeve sovraniste konservatore në Perëndim. Tani harta e sovranistëve (pro rendit të ri), gati po pushton Europën. Europa zyrtare, d.m.th., BE-ja, tenton të frenojë lëvizjen dhe vetë motorin e Shteteve të Bashkuara. Europa kërkon që të paguajë Amerika edhe për shtëpinë e Europës. Në momentin kur projekti i doktrinës Trump lëviz për nga “rendi i ri” botëror i bashkëpunimit edhe me Rusinë, i çarmatimit me Korenë e Veriut, i lënies së Sirisë në sovranitetin e vet..., atëherë Europa libertariane lëviz në drejtimin e kundërt...

Iniciatorët e “rendit të ri botëror” nuk kanë thënë se, “ne jemi që do të fitojmë”, sigurisht. Mund të ndodhë edhe e kundërta, sot për sot. Por kjo gjë po ndodh...

...Këta që ngatërrohen si “të marrë” në vorbullën e ndryshimit, nuk do të thotë se janë të sëmurë venoz. Jo, janë thjesht të paditur dhe ndjejnë aromë ndryshimi. A nuk e ndjente Haziri tek Ura e Matit se, Kissinger-i,sekretar i shtetit i SHBA-së, lëvizte nëpër botë?...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: