Kapet pas 10 vitesh i dënuari për vrasje në Itali

Kapet pas 10 vitesh i dënuari për vrasje në Itali
Një 42-vjeçar shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për “Vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim” u arrestua pas 10 vitesh.

Policia sqaron se më datë 12 korrik 2018, në sajë të shkëmbimit të informacioneve mes strukturave të Policisë Shqiptare dhe asaj Italiane, në kuadër të operacionit policor i koduar ‘Fundi i arratisë’, u bë lokalizimi dhe kapja e shtetasit shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar Ylli ( Fatmir) Vangjelaj, 42 vjeç, banues në Vlorë.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë me shkresën Nr. 3077 të datës 24 prill 2009 ka dërguar urdhrin për ekzekutimin e vendimit Nr.45 të datës 25 mars 2009 të Gjykatës së Rrethit Vlorë e cila e ka dënuar me 23 vjet burg, për veprën penale të ‘vrasje me dashje kryer në bashkëpunim’.

Vrasja për të cilën është dënuar ky shtetas është kryer në Itali në vitin 1999, si porosi e një grupi kriminal, ku është vrarë një shtetase ekuadoriane e cila dyshohej se punonte si prostitutë.

Ky shtetas i fshihej drejtësisë që prej 10 vitesh duke përdorur gjeneralitete të rreme.

Gjithashtu u sekuestruan në cilësinë e provës materiale :

- një automjet i markës “Wolksvagen Passat”.

- një leje drejtimi e cila dyshohet e fallsifikuar pasi përmbante gjeneralitetet e të vëllait të personit të kërkuar

- dy telefona celular

Ky shtetas ju dorëzua shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë për ekzekutimin e vendimit penal, pasi Gjykata e Vlorës ka njohur vendimin penal të Gjykatës Italiane e cila e ka dënuar këtë shtetas me 23 vite burg.

/l.k./