Juve, shtatë sfidat e Cristiano Ronaldo-s!

Juve, shtatë sfidat e Cristiano Ronaldo-s!
Ylli portugez pas kalimit të bujshëm te Juventus do të jetë para disa sfidave që duhet të kalojë

Aranit Muraçi

Në moshën 33-vjeç, Cristiano Ronaldo vendosi të bashkohet me Juventus, për një shifër prej 105 milion euro. Ai firmosi për katër sezone dhe do të fitojë 120 milionë euro pagë deri në mbyllje të kontratës. Por paratë duket se nuk kanë rëndësi më tepër se sukseset, që asi portugez kërkon të arrijë para se të mbyllë karrierën e tij, me qëllim që të mbetet në historinë e futbollit botëror me disa rekorde, që të tjerët ndoshta do t’iu duhen dekada e shekuj për t’i arritur. - “Më pëlqejnë sfidat”, – theksoi në prezantim e tij me Zonjën e Vjetër futbollisti portugez. Shtatë sfidat e Cristiano Ronaldos te Juventusi janë:

Të tregojë se mbetet më i miri në botë

Kur u prezantua me Juven, ai bëri shaka me moshën: “Unë jam 23…, dua të them 33”. Sfida kryesore e madhe për CR7 tani mbetet të vërtetojë se, pavarësisht moshës, ai është ende vendimtar për ekipin. - “Me moshën time ka lojtarë që shkojnë në Katar apo Kinë”, – tha Cristiano Ronaldo, kur u prezantua te Juve. Disa fjalë që bëjnë të qartë angazhimin e përsosur për të vazhduar në nivele më të larta. Ronaldo kërkon të demonstrojë se edhe pse është 33 vjeç mosha nuk e pengon për të  mbetur një nga lojtarët më të mirë në botë, është sfida kryesore e Ronaldos te Juventusi.

Të fitojë Champions-in e gjashtë

Cristiano Ronaldo synon të jetë një legjendë dhe rekordet në Ligën e Kampionëve do t’i japin të drejtë. “Është një qëllim, por nuk duhet të jetë një mani”, – tha ai kur u prezantua me Juven. Por, e vërteta është Champions mbetet qëllimi i madh i “Zonjës së Vjetër”, e cila nuk e ka fituar trofeun prej 22 vitesh dhe blerja e Ronaldos lidhet edhe më këtë synim. Një sfidë e përbashkët.

Champions në 3 klube të ndryshme

Për të kurorëzuar veten si “Mr. Champions”, Ronaldo dëshiron të ngrejë trofeun Champions-i me tri klube të ndryshme. Diçka që e kanë arritur vetëm Eto’o dhe Seedorf. Nëse triumfon edhe me Juventusin, si me Manchester United dhe Real Madrid, atëherë do të jetë një moment historik për pesë herë fituesin e “Topit të Artë”.

Titull në tri liga të ndryshme

Një sfidë tjetër që asi portugez kërkon të arrijë është titulli kampion në tre vende të ndryshme. Pas titullit në Premier League me Manchester United dhe La Liga me Real Madridin, ai do të kërkojë të njëjtën gjë edhe me Juventus. Ky objektiv është edhe më i arritshëm pasi Juve mbretëron në Seria A dhe shihet favorite kryesore edhe për këtë sezon.

Golashënuesi më i mirë i Seria A

Sulmuesi hungarez, Ferenc Hirzer, mban ende rekordin me golat bardhezi që realizoi brenda një sezoni. Ai shënoi plot 35 gola në sezonin e largët 1925-1926. Pas 92 vitesh Cristiano Ronaldo do të ketë mundësinë për të tejkaluar këtë figurë historike dhe të hyjë në historinë e “Zonjës së Vjetër”.

Këpuca e artë me tri klube të ndryshme

Si arritje tjetër e portugezit mbetet të shënojë sa më shumë gola në kampionatin italian dhe, natyrisht të mbetet në lojë për “Pichichi” (Këpucën e Artë), Seria A. Kjo arritje do të bënte që CR7 të futej në librin e artë me tri skuadra në tri liga të ndryshme. Te Manchester United ai e arriti arë në sezonin 2007-‘08, kur realizoi 31 gola. Te Real Madrid ylli portugez u shfaq 3 herë si golashënuesi më i mirë.

“Topi i Artë” për herë të gjashtë

Bashkë me Leo Messi ai është lojtari me më shumë “Topa të Artë” në histori, plot pesë të tillë. Cristiano Ronaldo do të kërkojë për t’i fituar të gjithë titujt e mundshëm me “Zonjën e Vjetër”, për të qenë favorit. Nëse arrin suksesin ai do ta fitojë për herë të gjashtë çmimin individual më të lartë për një futbollist. Ky nuk është një qëllim, por një sfidë në karrierën e lojtarit portugez. Këtë sukses ai e kërkon që të konfirmojë se mbetet nga më të mirët në botë, edhe pse la Real Madrid.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: