Jane Janex: “The Woods” dritare e re në rrugëtimin tim muzikor

Jane Janex: “The Woods” dritare e re në rrugëtimin tim muzikor
Flet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi ku jeton, kantautorja e talentuar Xhejn Kumrija, në art Jane Janex: Çmimi në IMA, Independent Music Awards, ishte vlerësim dhe motivim për të vazhduar përpara. Kënga “Alone” e cila është një remix i këngës time të fundit “Mermaids”, fitoi Fan Pick Award, ndër kategoritë e Dance/Electronica. Ceremonia e çmimeve u zhvillua në Lincoln Plaza, Manhattan dhe ishte një eksperiencë tepër inspiruese!

Kanë kaluar rreth një vit e gjysmë nga intervista e parë me të. Më intrigoi ta njohja ca më mirë këngëtaren me një stil thuajse unik dhe me një “kokëfortësi” artistike në ruajtjen e një identiteti thuajse personal në muzikë. Më pas pata rastin edhe ta ndiqja në performancat e saj live në Tiranë dhe pak a shumë e kuptova se përse, pavarësisht stilit të vështirë për t’u deshifruar menjëherë, ajo pëlqehej. Në fillim për Jane ishin daljet sporadike me miqtë duke kënduar në klubet e Tiranës, më pas erdhi “Pas shiut lind diell” me Gjergj Kaçinarin në “Top Fest por u pagëzua “Janex Trio” në “Voice of Albania” ku këndoi me të motrën. Nisi dashurinë me artin si piktore por rrugës zbuloi dhe zbuluam se ajo kishte një vokal të veçantë, muzikalitet dhe stil unik në panoramën shqiptare të muzikës. Dhe u shpërblye nga kryeqyteti. Këngët e saj, bëheshin hit në radio, videoklipet klikoheshin e dëgjoheshin në “youtube”. Të rinjtë e donin Jane dhe e ndiqnin kudo ku ajo performonte “live”. Por befas, rrufeshëm, bëri me dije se do të fluturonte drejt Amerikës së madhe. Sigurisht që disa kohë mësuam pak ose asgjë rreth saj, por ja që Jane nuk i zhgënjeu fansat e saj, pavarësisht se ajo është tepër kritike ndaj vetes. Madje, në një treg “të egër” si ai amerikan, synoi dhe fitoi edhe një çmim prestigjioz. Ndaj ja ku e gjeni edhe rrëfimin e saj të fundit për Albanian Free Press.

 

Intervistoi për Albanian Free Press: Juela Meçani

Nga biseda jonë e fundit kanë kaluar shumë muaj. Ju vazhdoni të jetoni në SHBA?

Saktë, vazhdoj të jetoj në Neë York, në SHBA.

Asokohe ju më treguat se ndodheshit atje për çështje personale por edhe për projekte të ardhme. Kanë marrë udhë këto projekte?

Mund të themi që po! Muajt e fundit kanë qenë tepër produktive përsa i përket krijimtarisë. Një listë e gjatë këngësh është në pritje për t’u lançuar.

Korrik 2018. Ka parë dritën projekti juaj më i fundit, “The Woods”. Më tregoni më shumë rreth kësaj kënge...

Atëherë, me “The Woods” unë hap një dritare të re përsa i përket rrugëtimit tim muzikor, është single i parë që do të lançoj pas kaq shumë kohësh. E kam kompozuar muaj më pare, kënga është e shkruar nga unë dhe aranzhimin ja kam besuar Gjergj Kaçinarit, i cili ka qenë ndër të parët bashkëpunëtorë të projekteve nën siglën “Janex”, të cilat nisën me projektin tim të parë “Someday”. Kuriozitet rreth “The Woods”: Dhe pse e papërcaktuar në këngë, në fakt “The Woods” është e frymëzuar nga një bar që mban të njëjtin emër në lagjen e famshme të New York, Williamsburg.

Ishte një pranverë produktive, ju patët bashkëpunim me producentin dhe DJ e talentuar amerikan, Noah Stradamus. Si lindën këto projekte dhe si e njohët artistin amerikan?

Me Noah jemi njohur nëpërmjet Bojken Lakos, kur Noah ishte në Shqipëri për të përzgjedhur artistë për label-in “360M”, i cili u projektua nga ky i fundit për artistët shqiptarë. Pasi kishte dëgjuar single “Shadows & Lights”, isha një ndër përzgjedhjet e tij për këtë label dhe kështu lindën bashkëpunimet artistike si dhe një miqësi e këndshme.

Me këtë emër të njohur ju jeni në dy bashkëpunime, shihni mundësinë e një vazhdimësie?

Me Noahn kemi disa variante bashkëpunimesh por ende të pa finalizuara. Në kohën e duhur besoj që do mund të flasim më konkretisht. Por besoj që do ketë vazhdimësi patjetër. Të dy krijojmë në mënyrë konstante dhe tani që jetojmë më afër njëri-tjetrit, ndajmë shpesh ide përsa i përket projekteve të mundshme.

Në prill erdhi lajmi se kënga me këtë producent dhe DJ ishte fituese në një konkurrim prestigjioz. Duke qenë se ju qetë aq modeste për këtë fitore, tani mund të na e rrëfeni më gjatë atë?

Po, çmimi në IMA (Independent Music Awards), përveç se çmimit tim të parë në tokën Amerikane, ishte vlerësim dhe motivim për të vazhduar para, pas një periudhe, le të themi, të qetë timen kur nuk arrita të kompozoj muzikë për shkaqe personale, për një kohë të konsiderueshme. Kënga “Alone” e cila është një remix i këngës time të fundit “Mermaids”, fitoi Fan Pick Award, ndër kategoritë e Dance/Electronica. Ceremonia e çmimeve u zhvillua në Lincoln Plaza, Manhattan dhe ishte një eksperiencë tepër inspiruese!

Ikët nga Shqipëria me shumë ëndrra, besoj, por përsëri kishit një karrierë në ngjitje. Deri tani mendoni se ja ka vlejtur ?

E vërtetë. Mendoj që ja ka vlejtur, pavarësisht karrierës në ngjitje, përsa i përket arritjeve personale, nuk ishte as gjysma e asaj që unë kërkoja për veten, qoftë në nivel artistik, por dhe personal. Mendoj që shpërngulja në SHBA ishte vendim totalisht i duhur dhe pse ishte një vendim pothuajse i minutës së fundit. Rrugëtimi është më i gjatë dhe më i egër por të paktën ka shumë për të eksploruar dhe mësuar, sepse “qielli është limiti”, gjë që e bën të gjithën këtë eksperiencë me intriguese. Jetesa në SHBA ka kontribuar goxha në mënyrën sesi shkruaj dhe shprehem në muzikë, një ndër arsyet përse jam këtu, për t’i dhënë më konkretizim asaj çka bëj dhe rrugës që kam zgjedhur.

Kur ke mall për vendlindjen ose miqtë, çfarë bën?

Amerika ka një gjë të mirë, që dhe po të duash të ndjesh mall, të mban aq të zënë sa që ndonjëherë nuk ke kohë as të mendosh!

Sigurisht që kam nostalgji dhe mall për miqtë, familjarët apo dhe rutinën artistike, vende të caktuara, etj. Nuk është se mund të bësh shumë gjithsesi, kështu që, ndonjëherë thjesht shkoj tek fotot e vjetra në telefon, lë ndonjë mesazh ose koment nëpër social media tek personat për të cilët ndjej mungesë, me familjen flas më shpesh se më këdo tjetër.

Je përshtatur mirë me realitetin amerikan?

Për një vit e gjysmë, mund të them që kam bërë punë të mirë me përshtatjen, ose përshtatja ka bërë punë të mirë me mua ha ha ha! Kam pasur fatin të udhëtoj pak përreth, gjë që më ka ndihmuar të kuptoj më shumë rreth Amerikës dhe të jem më në brendësi të realitet dhe mentalitetit amerikan. Ka disa gjëra që janë të ekzagjeruara, e disa të tjera që janë për t’u admiruar, por mendoj që kam gjetur veten ku kam dashur ta gjej. Dhe pse, këtu çdo ditë mëson diçka të re, kush jeton në New York të paktën, e përshkruan atë si një marrëdhënie love and hate, kështu që në proces e sipër dhe unë ha ha ha.

Cila është përshtypja për industrinë e muzikës atje?

S’kam qenë ndonjëherë fanse e zjarrtë e muzikës amerikane, por e asaj angleze. Është sigurisht një industri e egër dhe një botë totalisht tjetër. Kryeson muzika Hip Hop dhe R&B si dhe Pop, por ka dyer të hapura për çdo zhanër, gjë që i jep krahë çdo artisti që të shkëlqejë në fushën që ka pasion.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: