Ish komisari Meçe: 75 vjet ushtri shqiptare! Nga lufta dhe mbrojtja e atdheut, tek hedhja e bukës me helikopter

Ish komisari Meçe: 75 vjet ushtri shqiptare! Nga lufta dhe mbrojtja e atdheut, tek hedhja e bukës me helikopter
INTERVISTA/ Flet ish-komisari i katerave silirues, Ylli Meçe: Pas viteve ’90, ushtria nuk ishte më popullore, pra e humbi misionin e vet. Ta katandisësh ushtrinë tënde për të hedhur bukë me helikopter, apo të hapë kanale hidrovori, siç u bë në vitin 1997, atëherë vetëm ushtri nuk mund të quhet”

Nga një ushtri e lavdishme, shtabi i së cilës u krijua në “zjarrin” e luftës, me qëllimin e lirisë së vendit, në një ushtri që për fat të keq pas viteve ’90 e humbi misionin e vet. Ky ka qenë rrugëtimi i ushtrisë shqiptare, e cila përkujton sot 75-vjetorin e Shtabit të saj të Përgjithshëm, nën një rrëfim të posaçëm rreth saj për “Albanian Free Press” prej ish-komisarit Ylli Meçe. Sipas tij, në kushtet e rritjes së numrit të luftëtarëve për liri, por edhe të nevojës së kryerjes së veprimeve luftarake në gjithë territorin, bënte domosdoshmëri krijimin e një strukture ushtarake profesionale, që të kishte detyrë kryesore dhe të vetme: planëzimin dhe drejtimin e veprimeve luftarake. Prandaj u gjykua dhe u vendos krijimi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare...

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Si do ta komentonit 10 korrikun e vitit 1943, si ish-ushtarak i lartë? 

Kanë për të kaluar vite, dekada e shekuj dhe atëherë kur ne nuk do të jemi më, bijtë e nipërit tanë pasardhës nëpër gjenerata, kanë për të kujtuar me krenari të madhe “ 10 Korrikun”, festën e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare dhe Shtabin e saj të Përgjithshëm, si një nga ngjarjet më të rëndësishme të popullit shqiptar, e cila u formua direkt nën udhëheqjen e Partisë Komuniste Shqiptare në ditët më të errëta të pushtimit nazi-fashist dhe që pas çlirimit të Shqipërisë, u quajt Ushtria Popullore.

Cilët janë ata faktorë që i japin vlerë dhe e bëjnë kaq të rëndësishëm këtë festë të ushtrisë?

Së pari, Ushtria Nacional-Çlirimtare është vepër e vetë popullit shqiptar dhe e Partisë Komuniste shqiptare, bazat e të cilës konturohen në formacionet e para ushtarake të çetave partizane, të cilat përbëjnë gurët e themeleve, e kanë tek krismat e para të 7 prillit 39’ nga dëshmorët e parë, M. Ulqinaku në Durrës, H.Vashko në Vlorë, M. Dhimërtika në Sarandë, etj; të cilët me gjakun e tyre ndezën shpirtin liridashës të shqiptarëve. Ajo u krijua në rrethana të caktuara historike, si një domosdoshmëri objektive, sepse kishte të bënte me fatet e atdheut. Ka një paralelizëm historik, se vetëdija kombëtare që shoqëron çdo popull zgjohet, forcohet dhe unifikohet, kur atdheut i kërcënohen rreziqe, kur vihet në diskutim liria, pavarësia dhe identiteti kombëtar. Rruga e lavdishme e popullit tonë, që prej kohës së Skënderbeut e deri më sot, është dëshmia më e qartë e vitalitetit të shpirtit luftarak tij, por në kushtet e pushtimit fashist, formacionet luftarake patën një ecuri në rritje, jo vetëm të sasisë numerike të partizanëve, por dhe veprimeve luftarake të tyre në rritje.

Së dyti, është i padiskutueshëm fakti se Partia Komuniste shqiptare dhe Enver Hoxha ishin dhe u bënë faktor vendimtar jo vetëm në mobilizimin dhe organizimin e këtyre formacioneve, por ata u bënë dhe boshti ideor nga ku udhëhiqeshin të gjitha veprimtaritë, qofshin ato me karakter politik, ashtu dhe ushtarak. Shumë prej këtyre veprimtarive ishin në përputhje të plotë me direktivat e Fuqive të Mëdha sikurse ishin BRSS, Anglia dhe Amerika, të cilët orientonin popujt e pushtuar nga fashizmi të mobilizoheshin dhe të krijonin një front të përgjithshëm luftarak pa dallime ideore deri në fitoren përfundimtare. Tezë kjo, që u realizua me sukses të plotë nga Konferenca e Pezës në shtator të vitit 42’.

Po roli i Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar? 

Për këtë qëllim u krijua dhe një Këshill i Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar, ku në përbërje të tij u zgjodhën dhe elementë të ndryshëm si Abaz Kupi dhe Ndoc Çoba nga “Legaliteti”, nga “Nacionalistët” e lidhur me PKSH-në, M. Peza, H. Lleshi e Baba Faja Martaneshi etj. Është i njohur fakti se organizatorja dhe inspiruesja e kësaj konference ishte PKSH-ja dhe vetë udhëheqësi i saj, Enver Hoxha. Sikurse dihet, edhe më vonë, në të gjitha hapat politike që u paraprinin situatave do të ishte po kjo parti e cila do t’u jepte tonin ngjarjeve të mëdha për fatet e atdheut, sikurse ishte ajo e konferencës së parë të vendit, e cila u mbajt në mesin e marsit të vitit 1943. Konferencë kjo që në rrethanat e rritjes së valës luftarake dhe rritjes e zgjerimit të formacioneve partizane do të linte si detyrë organizimin e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare dhe krijimin e një udhëheqje të centralizuar ushtarake, e cila sikurse dihet dhe nga historia, u kurorëzua me sukses një muaj më vonë në 10 Korrik 1943.

Çfarë sinjifikon kjo datë?

Kjo datë historike shënon jo vetëm krijimin e Shtabit Madhor të luftës, por nga ana tjetër, u tregonte gjithë aleatëve tanë të mëdhenj se e vetmja forcë e organizuar ushtarake me atributet e një ushtrie të rregullt, ishte Ushtria Nacional-Çlirimtare e formuar nga partizanët dhe njësitë e tyre luftarake, të cilët tashmë e shtrinin veprimtarinë e tyre për çlirimin e atdheut në të gjithë territorin e vendit. Kjo do të thoshte se tashmë kishte një forcë ushtarake, një ushtri çlirimtare, e cila kish marrë në dorë fatet e vendit nëpërmjet një kryengritje të përgjithshme popullore. Krijimi i këtij shtabi nuk ishte rastësi dhe as dëshirë subjektive e ndonjë individi të veçantë. Kurrsesi jo! Ajo ishte domosdoshmëri objektive vetëm në situata të tilla të caktuara, kur formacionet partizane kishin nevojë për planifikime të luftimeve si në shkallë të vogël taktike, në shkallë më të gjerë operative dhe deri në shkallë strategjike në mësymjen e përgjithshme. Në këtë kuadër, ashtu sikurse u veprua dhe në Konferencën e Pezës, u zgjodhën si anëtarë shtabi edhe Abaz Kupi e Baba Faja Martaneshi. I pari përfaqësonte luftëtarët simpatizantë të Mbretit, të cilët do të mbanin premtimin e pambajtur të Zogut, ndërsa Baba Faja komunitetin fetar, që në atë kohë kishte ndikim të madh në popull. Krahas kësaj veprimtarie të gjerë, e cila do të shkonte deri në çlirimin e vendit, shohim edhe disa organizata, të cilat edhe ato në situatat e krijuara mbajtën qëndrimet e tyre politike. Më të spikaturit ishin “Ballistët” dhe “Legalistët”. Të dyja, të përbashkëtën e tyre kishin “nacionalizmin” por të parët e lidhnin këtë çështje me “akoma mospjekjen e kushteve” për të filluar luftën, bile bënin dhe pazarllëqe me pushtuesin, sikurse njihet Protokolli i famshëm “Dalmazo-Këlcyra”. Ndërsa të dytët kishin si qëllim që me fitoren mbi fashizmin, të sillnin përsëri në fron Ahmet Zogun.

A është vlerësuar atë kohë dhe a ka patur jehonë krijimi Shtabit të Përgjithshëm?

Roli i madh që luajti ushtria partizane bëri jehonë të madhe. Ajo jo vetëm entuziazmoi fillimisht dhe aleatët, por befasoi dhe vetë armikun, i cili dështoi me dy operacionet e tij të mëdha, si ai i dimrit 1943 dhe qershorit 1944. Vendi ynë është i vetmi vend që u çlirua me forcat e tij dhe në prag çlirimi, ushtria partizane numëronte rreth 70 mijë partizanë dhe jo vetëm kaq, po ushtria jonë kreu me nder dhe një detyrë me karakter internacionalist, në ndihmë të çlirimit të popujve jugosllavë, duke e ndjekur armikun këmba-këmbës deri në Vishegrad.

 

PAS ’90-tës

“Si e shkatërruan ushtrinë dhe e lanë vendin pa mbrojtje”

“Ushtria partizane deri më 29 nëntor 1944, e kreu me sukses misionin e vet historik, atë të çlirimit të atdheut. Mbas tij, kjo ushtri u kthye në ushtri popullore, tashmë me mision tjetër, atë të mbrojtjes së atdheut. Por më pas, e shkatërruan ushtrinë shqiptare duke e lënë vendin pa mbrojtje dhe më keq akoma, në periudha krize si ajo e vitit ’97, që e çuan vendin buzë gremine dhe në prag të luftës civile. Për herë të parë, në historinë e vet shumë shekullore populli shqiptar do të bëhej dëshmitar i një drame të madhe, ku bijtë e tij do të suleshin kundër atij populli, që i pat mëkuar me dashurinë për atdheun. Pse ndodhi kjo? Sepse ushtria nuk ishte më popullore, pra e humbi misionin e vet, jo vetëm në rrafshin e brendshëm, por dhe të jashtëm. Ta katandisësh ushtrinë tënde siç bëri Berisha për të hedhur bukë me helikopter, apo të hapë kanale hidrovori, siç u bë në vitin 1997, atëherë vetëm ushtri nuk mund të quhet”.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: