GRINDJA PËR ROZAFËN - OPINION NGA FRROK ÇUPI

GRINDJA PËR ROZAFËN - OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Të paktën të na ndodhte të grindeshim për Rozafën! Kjo do të ishte një mrekulli kombëtare, - mrekulli e krahasuar me këtë që po ndodh tani...

E di pse po grindemi tani? Po grindemi për një ndërtesë me mure njëtullëshe, në formën e një depoje socialiste ku ruheshin patatet e Shishtavecit, që ka luajtur rolin e Teatrit që pas fitores së komunizmit në vendin tonë. Nuk po them se është gjë e keqe dhe prandaj po grinden mes tyre: Dikush se “është e keqe”, dikush se “nuk është e keqe”. Jo! Ajo ndërtesë duket se ka bërë një punë fort të mirë gjatë një gjysmëshekulli, në kushte varfërie ekonomie dhe teknologjie ndërtimesh, ka strehuar aktorët e dramës dhe të komedisë. Kur shikon fotot e vjetra, dallon se ngrehina u ngrit në një moçal me ferra e me shkurre rreth e rrotull, dhe më vonë e morën artistët. Artistët?!... Ne nuk kemi pse themi se “jemi Hollivud”, madje as “Bolivud” - që të kërkojmë sot “ç’aktorë zeza!... “ç’teatër zeza!”....

Mes këtyre valëve, si në një varkë, ka lëvizur krenaria dhe diskrecioni ynë kombëtar: Herë me krenarinë se kemi vlera të mëdha e herë me vetëqortimin e një kombi të vogël që, kur u hapëm me Perëndimin thamë se “nuk bëhemi kurrë!” Në njëfarë mënyre, si në lëkundjen në hapësirat kohore mes Rozafës dhe godinës në formë magazine të Teatrit Kombëtar në Tiranë... Në fakt, po të bësh këtë lidhje - shumë të arsyeshme - mes dy “veprave”, bie në dëshpërim: Për çfarë po grinden sot burrë-shtetasit, morracakët, indipendentët, hoxhallarët e priftërinjtë, idiotët, intelektualët....

Të gjithë grinden për “magazinën” në formë Teatri; ose Teatri në formë magazine. Pala e qeverisë ka deklaruar se “do ta shembë” ndërtesën dhe në vend të saj do të ndërtojë një seli “më të vlerë”. Pala e opozitës ka thënë se, “vetëm mbi trupat tanë” mund të kaloni për të shembur “magazinën”. Një palë e padukshme si identitet, janë “tironcit” që titullin “tironas” e kanë edhe identitet edhe titull shkencor. Këta hanë fara e mbajnë fjalime para “hundës” së derës ballore të Teatrit dhe deklarojnë “flijim”, por jo shembje të teatrit...

Të tre “vëllezërit” grinden për “Rozafën” e degraduar. Kur u ndërtua kalaja e famshme e Rozafës, edhe atëherë tre vëllezër ishin ata që i dhanë emër legjendës: E ndërtonin ditën dhe e shembnin natën. Po sa burra të denjë paskan qenë ata që grindeshin..., për çfarë?! Për kalanë e Rozafës që nuk pat burrë e perandori ta shembte më në shekuj! Kalaja e Rozafës ngrihet pranë Shkodrës në veriperëndim të vendit. Ngrihet mbi një shkëmb gjigant - pamja më piktoreske në botë - rreth 130 metra mbi nivelin e detit. Kalaja është e rrethuar nga dy lumenjtë më të bukur të vendit - nga Drini që vjen prej Ohri dhe nga Buna e lundrueshme që buron në njërën anë të Kalasë dhe derdhet në det - në anën tjetër të kalasë. Historianët kurrë nuk e kanë datuar dot kalanë, veçse është përcaktuar si kala e epokës ilire, e përdorur edhe nga perandorët e Romës.

Po çfarë gjenialiteti kombëtar qenka, nëse burrë-shtetasit ose edhe të marrët, grinden për vepra të madhërishme si Rozafa!

Këtë po them: Sa e ulët dhe e turpshme kombëtarisht, qenka që këta grinden për një teatër-depo, ose depo-teatër. Nuk po them vetëm për rastin konkret, por po trishtohem sa herë e gjykoj pse ndodh grindja mes nesh: Ne grindemi për minimumin, ose tentojmë minimumin. Kështu po na vdes vlera e kombit. Burrë-shtetasit dhe idiotët nuk po e lënë kombin të ngrejë kokën dhe të shikojë“Rozafën” - d.m.th., vlerën e lartë - por i ulin kokën. Periudha e regjimit leckaman të komunizmit (por edhe diktaturë e egër), e uli vlerën e kombit deri në grindjen për minimumin bazik të jetës. Pastaj, një gjysmëepokë e quajtur “demokratike”, që në fakt nuk e patëm më as për krenari të tregojmë “kombin” - gjë që u reflektua edhe në politikat globaliste rreth nesh.

Tani, ja ku jemi:

Politikanët grinden për të marrë karrigen e sundimit të popullit më të varfër në Europë. Edhe Teatrin e varfër e përdorin si mjet për të marrë pushtet mbi të varfrit... Në zyrat ku rrinë sot burrat më të lartë të shtetit, nuk ka as hijen më të vogël të madhështisë së “Rozafës”. Në sallën kryesore të Kuvendit, krerët më të lartë ulen në karriget dhe tryezën në formë idiote, të bërë nga diktatori Hoxha; salla plenare është me po atë erë myku të diktaturës... Selia e presidentit është një tjetër “magazinë”, që e kishte ndërtuar ambasadori sovjetik, sa për të bujtur ca net. Në selinë e qeverisë, as komunizmi nuk mundi të bëjë gjë më të mirë se italianët fashistë, përveç një basorelievi të vendosur nga babai i kryeministrit të sotëm...

Po ç’është kjo punë, që nuk bëjmë për lart!? Kjo është edhe arsyeja që lëshohen “tironasit” për të mbrojtur Teatrin-magazinë si pjesë identiteti.

Njerëzit grinden për një copë tokë dhe për një curril ujë ( në vendin me rezervat më të shumta ujore në Europë). Njerëzit grinden në fshatrat mes pyjeve, se nuk kanë dru për dimër. Grinden familjarët kur ndahen çiftet, sepse kanë vetëm një banjë...

Grindemi për minimumin jetik, ç’është kjo punë?! Nuk kuptojmë, a jemi të pasur apo jemi aq të varfër! Sepse të pasurit dhe fisnikët ndërtuan “Rozafën” dhe kishin pse luftonin. Ndërsa këta që luftojnë tani, luftojnë për shkak të varfërisë në shpirt... E di? Një gjë që duket se e kemi me tepri, edhe për këtë grindemi më thellë. Grindemi për lirinë. Shumica - mund të them me guxim - nuk durojnë lirinë, prandaj hahen me bishtin e tyre, si e si ta bëjnë minimum lirinë. Kërkojnë prapë “perëndinë e vdekur” diktaturën e Hoxhës; “atëherë kishim siguri”, thonë...

Njerëzit janë mësuar të shikojnë shumë poshtë dhe burrë-shtetasit i nxisin të shikojnë më poshtë!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: