GREQI/ Rritet numri i të viktimave, disa pyetje që lindin për tragjedinë

GREQI/ Rritet numri i të viktimave, disa pyetje që lindin për tragjedinë
“Ferri” në Greqi vazhdon...

 Pas zjarrit fatal të dy ditëve më parë, dje Greqia ka përjetuar një tjetër ditë “ferri”. Shifrat e viktimave janë shtuar, ndërsa vijojnë ende kërkimet për trupa në rrënojat e shtëpive të djegura. Autoritetet greke kanë pohuar se ka arritur në 81 numri i njerëzve që humbën jetën nga zjarri që përfshiu  zonat e Matit, Rafinas dhe Neo Voutzas, të kryeqytetit Athinë.

Duke pohuar se numri i tyre mund të shkojë në 100 dhe ka raportime të shumta për njerëz të humbur. Ndërkaq, ekipet e shpëtimit u futën dje në shtëpitë e djegura për të identifikuar trupa të mundshëm njerëzish, që nuk kanë arritur të shpëtojnë prej flakëve të tij. Ata kanë mundur të gjejnë trupat e katër personave, që të gjithë në moshë të thyer. Nga ana tjetër, ndër të plagosurit që përfunduan në spitale, një i moshuar ndërroi jetë, kurse 60 të tjerë raportohet se ndodhen në gjendje serioze, mes tyre katër fëmijë.

 

Disa pyetje për tragjedinë në Atikën Lindore

Ndërsa ende nuk ka një panoramë të plotë shifrash të pasojave nga zjarret tragjike në Atikën Lindore, në Greqi po shtohen presionet mediatike për disa pyetje, që sipas tyre kërkojnë urgjentisht përgjigje. Përkundër faktit se ende nuk është koha që të dalin përgjegjësitë, zemërimi i qytetarëve që kanë humbur të afërm dhe pasuri është i tejskajshëm. Çfarë ndodhi në Athinë? Pafuqi e përhershme e aparatit shtetëror? Apo gabime tragjike dhe paaftësi e organeve kompetente?

Mediat qendrore greke vënë në dyshim nëse ka pasur një përmirësim të infrastrukturës për përballimin e zjarreve të sivjetshme. Ato evidentojnë se parashikimet ishin se po shkonim drejt një prej stinëve verore më të nxehta në botë. Por, duke kujtuar tragjedinë e vitit të kaluar në Portugali, çfarë hapash janë ndërmarrë për të përmirësuar planet e zjarrfikjes?

Në këtë kuadër, çfarë masash janë ndërmarrë për të parandaluar zjarret? Në pikëpyetje janë dhe gjëra të thjeshta si “a janë pastruar barërat e thata dhe a janë marrë masa që çezmat të furnizoheshin me ujë, po ashtu dhe aparatet zjarrfikëse të shpërndara kudo”.

Dyshime hidhen edhe për mungesë kontrolli, sa u përket pyjeve, duke evidentuar se nuk janë respektuar distancat minimale të pemëve pranë shtëpive. Pyetje tjetër që shtrohet është nëse ka patur një planifikim real për evakuuimin e zonave nga Sekretariati i Përgjithshëm për Mbrojtjen Civile dhe Rajoni i Atikës? Në këtë pikë vlerësohet se në rajonin e Atikës Lindore, numri i viktimave do të kishte qenë më i vogël, nëse do të ishin marrë masa parandaluese dhe plane efektive evakuuimi. Një tjetër pyetje që po shtrohet në mediat greke është se pse nuk ka asnjë një dorëheqje deri tani, edhe pse 81 vetë humbën jetën dhe pati një dështim të dukshëm të sistemeve të mbrojtjes civile, që duhet të funksionojnë në një fatkeqësi natyrore, fatkeqësi që ndodhi vetëm pak kilometra nga qendra e Athinës.

 

VENDIMI

Qeveria shqiptare i akordon 100 mijë euro ndihmë Greqisë

Shqipëria ka vendosur të ndihmojë financiarisht Greqinë, me një shumë prej 100.000 eurosh, për lehtësimin e pasojave të dëmeve të shkaktuara nga zjarret e fundit që morën shumë jetë njerëzish dhe lënduan mjaft të tjerë.

“Qeveria shqiptare aprovoi një donacion në shenjë solidariteti me vëllezërit e motrat tona”, pohoi kryeministri Edi Rama lidhur me këtë ndihmë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: