Gianni de Biasi, i tradhtuar nga Polonia

Gianni de Biasi, i tradhtuar nga Polonia
Presidenti i Federatës Polake i premton stolin pas botërorit, por më pas ndryshoi mendim për ish-trajnerin e  Kombëtares shqiptare dhe uli një plak. De Biasi: U ndjeva si të më shkarkonte   

Aranit Muraçi

Presidenti i Federatës Polake të Futbollit Zbignieë Boniek kishte rënë parimisht dakord me ish-trajnerin e Kombëtares shqiptare, por në momentin e fundit ndryshoi mendim, duke ia besuar stolin një trajneri polak, veprim që solli zemërimin e Gianni de Biasi-t.

Pas përfaqësimit të dobët në botërorin e fundit “Rusi 2018”, Polonia shkarkoi trajnerin duke e lënë vendin pezull për një fare kohe.

Presidenti i Federatës Polake të Futbollit ishte shumë i interesuar për të ulur në stolin e kombëtares së tij ish-trajnerin e Kombëtares shqiptare Gianni de Biasi, 62-vjeç.

Por kur De Biasi priste zyrtarizmin dhe marrjen e detyrës së re polaku Jerzy Brzęczek është zyrtarizuar trajner i ri i Polonisë.

Gianni De Biasi ka mbetur tepër i zhgënjyer me këtë sjellje të presidentit të federatës Polake.

“Dy vjet më parë kam qenë pranë stolit të Italisë, por dikush tjetër ndërhyri dhe prishi marrëveshjen. Të enjten isha praktikisht trajner i kombëtares (polake) dhe pastaj Zbigniew Boniek zgjodhi trajnerin polak. U ndjeva sikur isha shkarkuar. Mbeta i zhgënjyer. Do të preferoja që ai të më njoftonte  personalisht, jo përmes gazetave,” – tha De Biasi.

Ish-trajneri kuqezi, i cili kualifikoi Shqipërinë në suksesin historik të finaleve të Europianit “Francë 2016”, një vit pas largimit nga vendi ynë ka drejtuar për një periudhë të shkurtër ekipin spanjoll të Alaves.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: