FUNDI I BALLKANIT DHE RIKTHIMI I EUROPËS JUGLINDORE - ANALIZË NGA PLATOR NESTURI

FUNDI I BALLKANIT DHE RIKTHIMI I EUROPËS JUGLINDORE - ANALIZË NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Që nga hyrja e Kroacisë në BE, e cila u bë ylli i njëzet e tetë që iu bashkëngjit yjësisë së BE-së, me dhënien e statusit të vendit kandidat Serbisë dhe, më në fund, ajo që fare mirë mund të quhet mrekullia e Brukselit, hapjen e negociatave dhe me Kosovën – çka, në një farë mënyre, është një sfidë diplomatike e politike për atë pesëshe vendesh anëtare të BE-së që, duke qenë peng të mendësive nacionaliste dhe anakronike, ende nuk pranojnë ta njohin realitetin e ri gjeopolitik në Europë - përvijohet në mënyrë të qartë e ndoshta përfundimtare, harta e asaj që një ditë shpresojmë do të quhen Shtetet e Bashkuara të Europës. Edhe pse politikanët ngurrojnë ta pranojnë haptazi këtë gjë, janë të shumtë studiuesit që e shohin kështu hartën e ardhshme të shtetit të përbashkët të europianëve. Në këtë fazë të re të procesit të integrimit europian, Ballkani, ish-fuçia e barutit, vjen e shndërrohet në Europë Juglindore. Në këtë pikë, emri i vjetër dhe anakronik lypset flakur tej, për t'i lënë vendin emrit të kahershëm paraosman, që sot rifiton shkëlqimin e vjetër të bjerrë prej zgjyrës së kohës dhe tingëllon po aq modern e bashkëkohor! Dhe gjasat janë që një periudhë historike luftërash, konfliktesh, mërish etnike dhe fetare, të mbyllet për t'i hapur udhë një epoke të re, një konteksti të ri gjeopolitik, atij të të qenit europianë. Kësisoj, retorika politike e diplomatike, me të cilën jemi ushqyer tash e njëzet vjet si me një lugë bosh, vjen e tërhiqet, duke i lënë vendin një realiteti të ri dhe një koncepti të ri gjeopolitik. Edhe pse e gjendur në kulmin e një krize ekonomike, politike e morale, në një farë mënyre, Europa dëshmoi se ka një vizion për të ardhmen.

E megjithatë, rruga është ende e gjatë dhe procesi larg mbylljes. Pas marrjes së statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim, Mali i Zi ngjan vendi që po ecën më shpejt se fqinjët e tij ballkanikë drejt Brukselit. Maqedonia, edhe pse ka avancuar në proces, përveç nyjës gordiane të emrit, ngjan ende e ngërthyer në konvulsionet e veta nacionaliste. Bosnjë-Hercegovina vijon të lëpijë plagët e luftës në kërkim të një identiteti të trefishtë, që ngjan si një petk që i rri ngushtë. Ndërsa Shqipëria, ngjan sikur, më në fund, mund të marrë frymë lirisht prej sherr-shamatasë së politikës, në pritje të çeljes së dritës jeshile, ndonëse nga Komisioni Europian e ka marrë viston për hapjen e negociatave për anëtarësim. Paradoksalisht, jemi i vetmi vend anëtar i NATO-s në Europë, që nuk e gëzojmë këtë të drejtë, në qoftë se mund të shprehemi kështu. Jo pa një ndjenjë keqardhjeje, vërejmë se, shqiptarët, këndej dhe andej kufirit, ashtu si njëqind vjet më parë kur ishin të fundit që u shkëputën për të jetuar më vete prej të "sëmurit të Bosforit", i cili sikur donte t'i merrte me vete në rrugëtimin e tij drejt greminës, edhe këtë herë janë tejet të vonuar në pikëpjekjen e tyre me historinë, ndaj dhe të vetëdijshëm vrapojnë për të kapur vagonin e fundit të trenit europian.

Ndaj sot, më fort se dje, besojmë se shprehja gjeografike Ballkan, do të shërbejë thjesht për t'i dhënë një ngjyresë stilistikore veprave të shkrimtarëve dhe historianëve, kur të flasin e shkruajnë për të shkuarën; me fjalë të tjera, një objekt antikuariati që, si i tillë, e ka vendin në muzeun e historisë së qytetërimeve të popujve të kësaj pjese të botës, që prapësitë e fatit i ndanë në mënyrë të panatyrshme nga kultura dhe qytetërimi, pjesë e të cilit kanë qenë qysh nga ngjizja e tyre.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: