Francë-Belgjikë, spektakli i garantuar i këtij Botërori 

Francë-Belgjikë, spektakli i garantuar i këtij Botërori 
Aranit Muraçi

Franca për të prekur finalet e tretë të Kupës së Botës do të përplaset me Belgjikën, ekipi që kërkon të prekë finalen e parë. Për shumë analistë kjo do të jetë finalja e parakohshme, sepse fituesin e mundshëm e shohin pikërisht në këtë çift, skuadrat që kanë dhuruar deri tani futbollin më të bukur.

Franca eliminoi Argjentinën (4-3) dhe Uruguain (2-0), dy ekipet e Amerikës së Jugut, të cilat  e kanë fituar më parë secila nga dy herë botërorin. Aktualisht Franca është skuadra më e kuotuar nga katër gjysmëfinalistet për të fituar Kupën e Botës. Nga ana tjetër Belgjika largoi Japoninë (3-2) dhe Brazilin, favorit kryesor, por më kryesorja me gjeneratën e saj të artë nuk mund të jetë kurrsesi e kënaqur me arritjen në gjysmëfinale. Fitimi i trofeut do të ishin “qershia mbi tortë” e kësaj përfaqësueseje që ndonëse nuk e ka prekur asnjë herë finalen e madhe arriti në botërorin 1986 deri në katër më të mirat. Belgjika është skuadra e vetme deri tani, që i ka fituar të gjitha ndeshjet e botërorit.

Megjithatë Franca e Didier Deschamps, pas fitores së vështirë me Australinë në ndeshjen e parë, ka njohur rritje dhe po vjen duke u përmirësuar.  Kylian Mbappe po paraqitet gjithnjë e më mirë, po ashtu edhe Antoine Griezmann. Një skuadër që largoi nga botërori yje si  Lionel Messi e Luis Suarez, vështirë se mund të mos përsërisë të njëjtin sukses, pavarësisht kompaktit që ka Belgjika me yjet e saj, për të arritur finale e tretë në histori. Franca njeh vetëm një humbje në 17 ndeshjet e fundit, ku është përballur me ekipe si Anglia, Holanda, Uellsi, Gjermania dhe Italia. Megjithatë, sfida vendimtare e St Petersburg do të jetë ajo me Belgjikën, që numëron 24 ndeshje radhazi pa asnjë humbje.  Kevin De Bruyne e Eden Hazard me shokë çuan Brazilin në shtëpi, ndaj edhe për shumë analistë nuk përjashtohet mundësia që të bëjnë të njëjtën gjë me Francën. Ekipi i drejtuar nga Roberto Martinez e gjen veten në një moment të favorshëm dhe ajo që është më kryesore kjo ndeshje pritet të dhurojë spektakël. Thomas Meunier i s’kualifikuar nuk përbën asnjë problem për belgët, pasi alternativat janë:  Yannick Carrasco, Nacer Chadli dhe lojtari me origjinë shqiptare, Adnan Januzaj. Nga kampi tjetër, Deschamps nuk ka të ngjarë të bëjë ndryshim në ekip, pas suksesit të fundit, përveç  Blaise Matuidi i cili rikthehet pas pezullimit.

Formacioni i mundshëm i Francës:

Lloris; Pavard, Varane, Umtiti, Hernandez; Kante, Pogba; Mbappe, Griezmann, Matuidi; Giroud

Formacioni i mundshëm i Belgjikës:

Courtois; Alderweireld, Kompany, Vertonghen; Chadli, Witsel, Fellaini, Carrasco; De Bruyne, Hazard, Lukaku

 

Përplasjet direkte “flasin” për belgët, botërori për Francën

Përballja e së martës do të jetë e 74-ta në histori mes dy ekipeve. Belgjika ka shënuar 30 fitore, kundrejt 24 që numëron Franca. Në finalet e Kupës së Botës Franca ka fituar në dy takime që janë zhvilluar më herët, më 1938 dhe 1986. Por Franca nuk ka fituar asnjë ndeshje në tre takimet e fundit me Belgjikën.

Gjysmëfinalet

10 korrik

20:00 Francë – Belgjikë

11 korrik

20:00 Angli-Kroaci

Finalja – 15 korrik

Ora 17.00 (Moskë)

Shpërndajeni me miqtë tuaj: