Franca prek finalen e madhe, zbehen “yjet” e Belgjikës

Franca prek finalen e madhe, zbehen “yjet” e Belgjikës
Francezët shkojnë për herë të tretë në një finale botërori. Më 15 korrik presin fituesin Angli-Kroaci

Aranit Muraçi

Triumf francez në stadiumin e Shën Petërsburgut. Franca mposhti 1-0 Belgjikën dhe preku finalen e madhe të Moskës. Më 15 korrik, ekipi i drejtuar nga Didier Deshpams, synon të ngrejë trofeun e dytë të Kupës së Botës në histori. Deshamps, kapiten i ekipit që ngriti trofeun e parë në vitin 1998, sot si trajner ka shansin e artë të futet në histori edhe si trajner, për të ngritur një trofe të tillë.

Belgjika nuk mundi dot nga ana e saj të arrijë finalen historike, e para për të, pavarësisht se i ishte ekipi i vetëm në garë që i kishte fituar të gjitha ndeshjet e këtij botërori, duke eliminuar në çerekfinale edhe favoritët kryesorë të Brazilit. Por Franca ishte një histori tjetër, në gjysmëfinale. Pas një pjesë të parë të kujdesshme nga të dyja ekipet, me Francën disi më në kërkim të golit, të dyja ekipet u futën në dhomat të zhveshjes, në barazim 0-0.

Umtiti, në 51 goditi me kokë, pas një krosi nga këndi të Griezmann, duke mposhtur fillimisht Fellaini, që po e mbulonte dhe më pas edhe portierin Courtois, i cili u dallua në përballjen e kaluar me Brazilin. Por përballë goditjes potente të Umtiti, portieri belg nuk pati mundësi reagimi dhe pas golit nisi festa për Francën. Ishte loja imponuese dhe më e qartë e francezëve që krijuan bindjen se finalja e madhe e Moskës, ishte edhe më pranë. Franca kërkoi golin e sigurisë në minutat e mbetura, ndërsa Belgjika atë të barazimit. Belgët iu afruan me Vitsel e Lukaku në dy raste barazimit, por Franca u kujdes për të mbrojtur rezultatin që i siguronte finalen e madhe të Moskës. Ishte Franca në fundin e ndeshjes më pranë golit të dytë, por portieri belg u tregua sërish në lartësinë e duhur, sikurse në përballjen e kaluar me Brazilin. Përballë Francës më 15 korrik, do të vihet fituesi i çiftit të mbrëmjes së sotme mes Anglisë e Kroacisë.

Francë-Belgjikë 1-0

Shënues: Umtiti 51’

Franca: Lloris, Pavard, Varane, Umtiti, Lucas, Pogba, Kante, Mbappe, Griezmann, Matuidi (Tolisso 86’), Giroud (Nzonzi 85’). Trajner: Didier Deshpams

Belgjika: Courtois, Alderveireld, Kompany, Vertonghen, Chadli (Batshuayi 90’), Dembele (Mertens 60’), Vitsel, Fellaini (Carrasco  80’), De Bruyne, Lukaku, Hazard. Trajner: Roberto Martinez

Gjyqtar: Andres Cunha (Uruguai)

Statistika:            Francë-Belgjikë

Goditje në portë:             5- 3

Goditje jashtë:                  8-6

Zotërimi i topit (%):         39-61

Korne:                                  3-5

Poz. jashtë loje:                1-1

Faulle:                                   6-16

  1. të verdhë: 2-3

Shpërndajeni me miqtë tuaj: