FOTOREPORTAZH/ Flakët fatale të Athinës, pamje si të një vendi të bombarduar nga lufta

FOTOREPORTAZH/ Flakët fatale të Athinës, pamje si të një vendi të bombarduar nga lufta
Pamje të frikshme ato që vijnë nga disa zona të kryeqytetit grek, ku lokalitete si Mati dhe Limani i Kuq duken si vende të bombarduara.

Në Mati, sikundër shikoni fotot e shkrepura nga reporterët në terren, vendi duket sikur i ka rënë bomba dhe kudo duken skena të një teatri lufte të shkaktuara nga zjarret vrasëse.

Qytetarët mezi arrijnë të flasin, ata janë të shokuar.

Përreth tyre gjenden njerëz të vdekur nga flakët e të tjerë të mbytur nga deti. E po ashtu, plot e përplot shtëpi e dyqane të zhuritura. Ngado hedh sytë gjen dhe shumë makina të shkrumbuara.

Poshtë në tokë e aty pari buzë detit, klithma njerëzish që dëshpërohen nga ajo që po ndodh, të tjerë vajtojnë ata që ikën. Lart në qiell, zhurma therëse të mjeteve ajrore të shpëtimit, që përpiqen të shuajnë zjarret e të tjera mjete në tokë që bashkë me ekipe zjarrfikëse, bëjnë përpjekje të gjejnë të mbijetuar.

Atyre u bashkohen plot njerëz që japin në dorë, aq sa munden.

E sakaq, në Mati, pikërisht në Neo Voutza, një çift të moshuarish, trondit me atë që i ndodhi. Kishin mikpritur me mall nipër e mbesa bashkë me dadon e tyre. Të vegjlit, bashkë me kujdestaren, ia dolën të shpëtojnë mes flakëve që përfshinë shtëpinë ku gjendeshin. Kurse pleqtë, nuk po mundeshin. Ata u përpoqën të shpëtojnë. Telefonuan duke treguar se e kishin të pamundur të dilnin. Policia dhe zjarrfikësit, disa orë më pas shkuan atje, por konstatuan vetëm tragjedinë. I moshuari, s’kishte mundur dot të dilte, e shoqja, mund të shpëtonte. Por zgjodhi të mos e lërë vetëm as në vdekje, ashtu sikurse gjithë jetën e kaloi me të.

Dyqind metra më tutje, në det dëgjohen klithma dëshpërimi. Një baba me vajzën e tij të vogël, kërkon djalin. Pak çaste më vonë, e gjen të mbytur në det.

Zjarrfikësit janë edhe më të shokuar. Pohojnë se në det kanë gjetur trupa njerëzisht të djegur dhimbshëm e më pas mbytur fatalisht, trupa që dukeshin si manekinë apo kukulla fëmijësh të zhuritura. /Albanian Free Press/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: