Flet shoku Blendi Klosi: Turistët turq, mund t'i shikojnë telenovelat e tyre pa pagesë!

Flet shoku Blendi Klosi: Turistët turq, mund t'i shikojnë telenovelat e tyre pa pagesë!
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Kryeministri ynë para tre, a dy ditësh nxori në video projektin e rrugës hyrëse të qytetit të Tepelenës. Themi lajm i mirë, pasi projekti ishte punuar mjaft mirë, kuptohet grafikisht. Jo se projektet e rrugës hyrëse të Fierit dhe Vlorës, apo Milotit ishin punuar keq, por mua personalisht m'u duk se ai i Tepelenës kishte diçka të veçantë. Ndoshta dashuria për vendlindjen, bën që të vlerësoj më shumë punimin grafik të kësaj rruge. Urojmë dhe shpresojmë që të tilla punime grafike, Kryeministri t'i përshfaqë sa më shpesh.

E meqë ra llafi te turistët. Para 2.5 ditësh shoku Blendi Klosi, në cilësinë e Ministrit të 6 milionë turistëve deri më tani, shkoi në qytetin e Durrësit. Këtë herë, jo për të takuar shokun Gjushi e te bisedonin për ngritjen e ndonjë kompanie bastesh. Shkoi sepse në portin e këtij qyteti kishte mbwrritur një anije e madhe, që neve në gazetari i themi kroçerw.

Ne biseduam me shokun. Blendi, direkt pasi ky takoi për disa minuta, kapitenin turk të anijes.

Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena: Përshëndetje shoku Blendi! Ju pamë tek llafosnit kokë më kokë me kapitenin e anijes turke në Durrës. Mund të dimë se ç'biseduat me të?

Blendi Klosi: Nga mos të ishte i mërzitur! Jo vetëm ai, por edhe Erdogani.

Antena: Do të thoni që, edhe Tahipi është i mërzitur. E përse?

Blendi Klosi: Si mos të jetë. Gjatë gjithë muajit të Botërorit, telenovelat turke janë parë nga shumë pak burra. Tahipi është bërë tym.

Antena: Është bërë tym, Tahipi?! Kapiteni i anijes jua tha këtë besoj.

Blendi Klosi: Po pra, e ndaj Tahipi kishte dërguar atë ushtarakun. Për të parë nga afër gjendjen dhe për të më shprehur shqetësimin e tij.

Antena: Përse nuk shkoi në takim shoqja Mirela e Kulturës, por shkuat ju?!

Blendi Klosi: Po të shkonte ajo, bëhej publike shqetësimi i Tahipit, ndaj. Asaj nuk i mban gjë goja. Nuk ja thotë fare nga politika.

Antena: Po tjetër ç'biseduat me kapitenin e anijes së udhëtarëve turq? Dëgjuam se ai tha që, pas kësaj vizite do vijnë edhe anije të tjera me turistë turq. A ...?

Blendi Klosi: Po, po do vijnë. I thashë atij kapitenit që, turqit mund të vijnë t'i shikojnë telenovelat e tyre në vendin tonë, pa patur nevojë për të paguar. Jam i bindur që kështu do bëjnë. Tani që do nënshkruajmë marrëveshje me Greqinë, numri i turqve që do vijnë në vendin tonë, do shtohet. Është kërkesë e Tahipit.

Antena: Ka thënë vetë Tahipi që të vijnë turistë turq?! Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për ne. E përse ka thënë tani, e jo më parë?

Blendi Klosi: Tani pra, se tani del marrëveshja e detit me fqinjët e Greqisë. Kushedi sa turq do mbërrijnë tani në Shqipëri. Tahipi po e monitoron nga afër më shumë se neve, këtë marrëveshje, se nuk do "që ta humbasë" Shqipërinë. E tillë është politika. Është i madh Edi, luan me dy porta. Nënshkruan marrëveshje me Greqinë, që të shtojë turistët turq këtu.

Antena: Po tjetër çfarë biseduat me kapitenin e anijes turke?

Blendi Klosi: Më pyeti për të rinjtë që pritën anijen e tyre. Ata të projektit tonë "Smile".

Antena: Çfarë ju pyeti, konkretisht?

Blendi Klosi: Sa lekë marrin këta të rinjtë, më tha? Kur i thashë unë që një pjesë e tyre janë vullnetarë, filloi të qeshte. -Si mo arkadash punojnë badjava? Po si ju bëhet që buzëqeshin, kur nuk marrin lekë? më tha.

Antena: Po ju ç'i thatë?

Blendi Klosi: I thashë atë që thotë edhe Kryeministri ynë, që tani për tani nuk kemi lekë, se vetëm një vit kemi që tepsinë e kemi vetëm. Ama njerëzit na mirëkuptojnë. Kështu i thashë.

Ju bë qejfi kur i thashë që për buzëqeshjen e tyre ka meritë edhe Turqia.

Antena: Si ka meritë Turqia?!

Blendi Klosi: Meqë shumë prej të rinjve që ju buzëqeshin turistëve, zbardhjen e dhëmbëve e kanë bërë në klinikat turke, të vendit tonë, ndaj...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: