Farmacistët, datat për regjistrimin e praktikës profesionale

Farmacistët, datat për regjistrimin e praktikës profesionale
Prej datës 10 korrik, të gjithë farmacistët e rinj do të kenë mundësinë të bëjnë regjistrimin për kryerjen e praktikës profesionale.

Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë zbardh datat e regjistrimit të praktikës për të gjithë të interesuarit, si dhe dokumentacionin që duhet të dorëzojnë kandidatët.

“Regjistrimet për kryerjen e praktikës profesionale për sezonin korrik – tetor 2018, do kryhen gjatë periudhës 10 – 16 korrik 2018. Praktika profesionale kryhet në farmacitë e rrjetit të hapur ose spitalore, nën drejtimin e një farmacisti me jo më pak se 3 (tre) vjet përvojë pune”, - thekson UFSH.

Më tej, kjo e fundit bën me dije se, praktikantët duhet të dorëzojnë pranë zyrës së Urdhrit dokumentacionin që nevojitet për regjistrim.

Përkatësisht, farmacistët duhet të paraqesin: kërkesën; vetë deklarimin; një kontratë tip për kryerjen e praktikës profesionale; një fotokopje të certifikatës së anëtarësimit në UFSH të drejtuesit të praktikës; si dhe një fotokopje të noterizuar të diplomës dhe listës së notave.

Gjithashtu, praktikantët duhet të dorëzojnë edhe një fotokopje të kartës së identitetit; raportin mjeko-ligjor; fotokopjen e planvendosjes së farmacisë, si dhe 3 fotografi në përmasat 3×3.5 cm.

Ndërkohë, të gjithë ata që do të kryejnë praktikën profesionale 3-mujore për profesionin e rregulluar të farmacistit, duhet të dorëzojnë edhe mandat pagesën në shumën prej 100 mijë lekësh të vjetra, në numrin e llogarisë së përcaktuar nga UFSH.

Praktika profesionale do të kryhet në ato institucione shëndetësore që plotësojnë standardet për realizimin e kërkesave dhe përvetësimin e njohurive praktike-teknike dhe etike të praktikantit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: