Familja “Prenga”, pjesë e suksesit të Laçit në Europa League   

Familja “Prenga”, pjesë e suksesit të Laçit në Europa League   
Volejbollistja e Kombëtares Arjola Prenga, e cila vazhdon karrierën në Norvegji do të ndjekë në stadium ndeshjen e Europa League mes Laçit dhe Molde pasi ekipin e shqiptar e drejton xhaxhai i saj

Aranit Muraçi

Laçi i besoi në mënyrë surprizë stolin një trajneri, që vjen nga një familje me tradita në sportin shqiptar. Emri i tij ishte harruar disi në Shqipëri, duke qenë se prej vitesh Besnik Prenga jetonte dhe punonte në Kroaci.

Me kualifikimin e Laçit ndaj ekipit qipriot të Anorthosis, ai trajner duket se Prenga e ka kryer misionin duke lënë gjurmë brenda një kohe të shkurtër.

Besnik Prenga, ish-futbollist i Kastriotit dhe i Partizanit në fillim të viteve ’90, e pati zhvilluar thuajse tërë karrierën e tij në Kroaci, me disa klube të këtij vendi, ku edhe jeton me familjen prej gati 20 vitesh. Në Kroaci ai vazhdoi më pas punë edhe si trajner. Besnik Prenga drejtoi me sukses ekipet e të rinjve të disa klubeve kroate për të marrë një sezon më parë drejtimin e NK Lucko.

Presidenti i Laçit Pashk Laska, ekipi i të cilit preu një biletë  në Europa League, i besoi Prengës postin e trajnerit me mbylljen e këtij sezoni. Besnik Prenga është xhaxhai i motrave të talentuara volejbolliste të Kombëtares shqiptare, Arjola, Amarilda dhe Adelajda Prenga. Ai në dy ndeshjet e para zyrtare udhëheq Laçin në një mision historik, për të prekur raundin e dytë kualifikues të Europa League.

Përballja e nesërme me ekipin norvegjez Molde, që drejtohet nga i mirënjohuri Ole Gunnar Solskjaer, është komentuar nga mbesa e tij, Arjola Prenga, e cila aktivizohet në Norvegji dhe pritet të jetë një tifoze speciale e Laçit në stadium.

“Xhaxhai im, Besnik Prenga, trajner i Laçit, do të ndeshet të enjten me Molde, në raundin e dytë të Europa League”, ka njoftuar Arjola fansat norvegjezë dy ditë para ndeshjes.

Arjola Prenga plot krenari qe shprehur edhe për djalin e xhaxhait të saj, Herdi Prenga, i cili u bë pjesë e Kombëtares shqiptare në miqësoren e kaluar ndaj Norvegjisë. Është vërtetë rast i veçantë që familja e madhe Prenga i ka dhënë sportit shqiptar kaq shumë emra të spikatur në dy nga sportet më popullore në vend. Rast që tregon se talenti, pasioni dhe puna është në gen për secilin prej tyre.

Risia kuqezi

Herdi Prenga, i biri në gjurmët e babait                

Herdi Prenga, 23-vjeç, mbrojtës i Inter Zapresiç në Kroaci mori ftesë për herë të parë nga Christian Panucci, në miqësoren e marsit ndaj Norvegjisë. Ai është djali i trajnerit të Laçit, Besnik Prenga, dhe karrierën si futbollist e ka nisur te shkolla e madhe kroate, Dinamo e Zagrebit. I riu Prenga ishte pjesë e ekipeve kombëtare të moshave kroate deri në U-21, kur edhe vendosi të bashkohej me Shqipërinë. Pas përfaqësimit me ngjyrat kuqezi U-21, Herdi Prenga u bë pjesë e ekipit kombëtar A, duke ndjekur në mënyrë më të mirë rrugëtimin e babait të tij, Besnikut, si dhe të tre motrave Prenga, volejbollistet e ekipit tonë kombëtar.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: