Euro në pikiatë, por depozitat në monedhën evropiane veç u rritën

Euro në pikiatë, por depozitat në monedhën evropiane veç u rritën
Gjatë gjithë muajve të këtij viti, dihet nga të gjithë se euro ka rezultuar në pikiatë. Por mesa duket, kjo nuk i ka penguar aspak qytetarët apo bizneset, që t’i shtojnë kursimet e tyre pranë bankave në monedhën evropiane.

Edhe pse me një vlerë shumë të ulët kundrejt lekut, ata kanë preferuar që të kenë më shumë depozita në euro nëpër banka.

Duke shpjeguar në këtë mënyrë edhe argumentin zyrtar që Banka e Shqipërisë ka dhënë mbi rënien drastike të kursit të këmbimit për euron, se në vend ka patur një ofertë të lartë të saj.

Ka qenë pikërisht kjo e fundit, sipas ekspertëve bankarë, ajo që ka çuar automatikisht në rënien e euros në nivelin minimal historik të saj, që prej dhjetë vitesh, prej vetëm 124 lekësh. Dhe që vërtetohet në fakt, edhe me një shtim të saj nëpër kanalet bankare, pikërisht përmes depozitave.

Konkretisht, të dhënat e bankës qendrore flasin për një kulmim të depozitave në euro, deri në 3.762 milionë të tilla, gjatë muajit maj 2018. Kohë kjo, kur ajo njohu edhe zhvlerësimin më të madh të saj kundrejt lekut.

Ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, në banka rezultonin se ishin vetëm 3.575 milionë euro në formë depozitash, prej qytetarëve, por edhe bizneseve. Akoma më pak, edhe në majin pararendës, të viti 2016, kur në banka kishte vetëm 3.252 milionë euro në formë depozitash.

Nga ana tjetër, një dukuri që bie në sy mes shifrave të Bankës së Shqipërisë, është fakti se ndërsa janë rritur depozitat në euro, kanë rënë ato në llogaritë e tjera të klientëve. E thënë ndryshe, klientët kanë preferuar që euron ta kanalizojnë në banka më shumë në formë depozitash, kurse në llogari të zakonshme të mos ta kenë si monedhën e preferuar, mesa duket nga rënia e saj në kursin e këmbimit kundrejt lekut.

Konkretisht, sipas shifrave, llogaritë në euro kanë kapur sivjet në muajin maj një nivel prej 78 milionë eurosh, kundrejt 86 të tillave që kanë qenë një vit më parë.

 

3.762

Milionë euro rezultuan depozitat në monedhën evropiane

gjatë muajit maj 2018, kundrejt 3.575 milionëve vjet, apo  edhe më pak, vetëm 3.252 milionë euro në majin e vitit pararendës 2016

78

Milionë euro rezultuan llogaritë e tjera të klientëve në banka në monedhën evropiane gjatë muajit maj 2018, kundrejt 86 milionëve vjet, duke folur kështu për një rënie të tyre, ndërsa euro ka rënë

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: