EKSKLUZIVE/ Punësimi i mësuesve, përcaktohen kriteret

EKSKLUZIVE/ Punësimi i mësuesve, përcaktohen kriteret
Diploma e marrë nga çdo mësues, duhet të përputhet me ciklin arsimor ku do japë mësim. Në të kundërt, ata mësues që nuk kanë diplomën e duhur, do të mbeten pa punë. Ky është një prej kushteve kryesore të nënshkruar në Kontratën Kolektive të Ministrisë së Arsimit dhe Federatës së Arsimit, si dhe Sindikatës së Arsimit. Po kështu, në këtë dokument përcaktohet si do të bëhet rritja e pagave, për të gjithë ata arsimtarë të cilët i përkasin anëtarësisë së këtyre dy grupimeve sindikale. “Albanina Free Press” zbardh të plotë Kontratën Kolektive të mësuesve edhe sa i takon pushimeve, lëvizjeve paralele si edhe pagesat që përfitojnë arsimtarët për vështirësi

 

Sonila Isaku

Pas një sërë diskutimesh dhe pune të kryer nga arsimtarët pa kontrata kolektive, ministria e Arsimit ka firmosur këtë dokument të rëndësishëm me Federatën e Sindikatave dhe Sindikatën e Arsimtarëve Shqiptarë. Kjo kontratë përcakton tashmë të gjitha kushtet e pranimit të mësuesve të rinj, emërimin e tyre, kushtet që duhet të plotësojë çdo mësues me diplomën dhe arritjet profesionale, sipas cikleve të studimit ku ata duhet të japin mësim. Po kështu, kjo kontratë përcakton edhe mënyrën e largimit ose të lëvizjeve paralele të çdo mësuesi nga sistemi arsimor. Sipas afateve të përshkruara, ajo do të jetë e vlefshme deri në 31 dhjetor 2022.

Kriteret e punësimit

Një mësues i cili do të punojë në arsimin parashkollor i duhet të zotërojë diplomë universitare të ciklit të parë të studimeve universitare “bachelor”. Ky është kriteri kryesor për të gjithë ata mësues të cilët janë në kopshte dhe çerdhe. Sa i takon mësuesve të arsimit fillor, atij të mesëm të ulët dhe mësuesit të arsimit të mesëm të lartë, duhet të jetë i pajisur me diplomë të ciklit të dytë të studimeve universitare, si dhe të ketë marrë provimin e shtetit. Ndërkohë, mësuesit e shkollave të profilizuara për muzikë, art dhe gjuhë të huaja, që jep lëndë profesionale, mësuesi i arsimit të orientuar dhe mësuesit që punojnë me aftësisë të kufizuara, duhet të zotërojnë diplomë të ciklit të dytë të studimeve universitare. Këto kritere punësimi janë të detyrueshme, si për arsimin publik ashtu edhe për atë privat. Ndërkohë, arsimtarët të cilët do të emërohen në vendet e shpallura bosh, veç kriterit të diplomës duhet të kenë plotësuar dhe janë shpallur fitues dhe në portalin Mësues për Shqipërinë.

“Në institucionin arsimor publik, përfshirë edhe atë parashkollor, pranimi dhe emërimi i mësuesit në një vend të lirë pune mbështetet në parimin e meritës dhe të drejtën për zgjedhjen e institucionit arsimor. Emërimi i mësuesit bëhet sipas renditjes në portalin “Mësues për Shqipërinë”.

Largimet nga puna

Sa i takon largimeve nga puna, kontrata kolektive ka parashikuar që asnjë mësues nuk mund të hiqet ose të pushohet, nëse nuk ka shkaqe të arsyeshme për të. Në rastet kur ka shkaqe të arsyeshme, pas zbatimit të procedurës normale, punëdhënësi është i detyruar të zbatojë afatet e njoftimit të cilat janë 1 muaj, për mësuesit që kanë një vit punë; 2 muaj për ata që kanë nga 2 - 5 vjet punë dhe 3 muaj për ata që kanë më shumë se 5 vjet punë. Po kështu, në rastet e zgjidhje së kontratës punëmarrësi përfiton edhe shpërblim për vjetërsinë, kur kontrata është zgjidhur dhe marrëdhëniet e punës kanë qenë jo më pak se 3 vjet.

Sa i takon ndryshimit të vendit të punës, sipas kontratës kolektive të miratuar mes 3 palëve në 5 qershor 2018, theksohet se, çdo mësues në rastet kur pretendon për rritje të pozitës së punës, duhet të parashtrojë kërkesën më shkrim brenda muajit maj të çdo viti. Ndërkohë që, për miratimin ose mosmiratimin e kërkesës punëmarrësit për ndryshimin e vendit të punës, duhet të kthejë përgjigje 15 ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, duke dhënë argumentet përkatëse. Ndryshimi i vendit të punës me iniciativën e punëdhënësit, mund të bëhet vetëm kur ka nevoja madhore në arsim; për tu sistemuar në një shkollë tjetër; si dhe për fermat me fëmijë nën 3 vjeç, ndryshimi i vendit të punës nuk duhet të bëhet kur rruga vajtje-ardhje zgjat më shumë se 30 minuta në këmbë; si dhe në rastet kur ndikon në shëndetin e arsimtarit.

Rritja e pagave

Rritja e pagave për arsimtarët do të kryhet gjithmonë pas konsultimeve që do të kryejë ministria e Arsimit me Federatën e Sindikatave si dhe me Sindikatën e Arsimit. Po kështu, konsultimet do të jenë edhe për ndërtimin e raporteve më të drejta midis pagës minimale dhe maksimale në sistemin publik të arsimit parauniversitar, të komponentit të pagës që ka të bëjë me përgatitjen dhe aftësimin profesional të mësuesve, si dhe ndërtimin e një sistemi që inkurajon dhe motivon mësuesit që dallohen për rezultate të mira në objektivin e arsimit cilësor, të cilat zgjidhen nga buxheti i shtetit.

Për ata mësues të cilët punojnë larg vendbanimit të tyre, por që kthehen brenda ditës në vendbanim, përfitojnë një shtesë në formë shpërblimi mbi pagë. Masa e kësaj pagese është përshkallëzuar në varësi të largësisë. Po kështu, punëdhënësi paguan shpenzimet e udhëtimet vajtje-ardhje për mësuesit e sistemit parauniversitar, që punojnë larg vendbanimit të tyre në distancën mbi 5 km dhe që kthehen brenda ditës në shtëpi.

Box

Pushimet

Për periudhën e verës, koha e pushimit nuk mund të jetë më pak se 45 ditë kalendarike dhe nuk mund të ndërpritet më shumë se një herë. Kurse pushimi vjetor për personelin ndihmës dhe personelin e shërbimeve, është jo më pak se 4 javë kalendarike.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: