EKONOMIA, PËR UJË TË FTOHTË - ANALIZË NGA SONILA MEÇO

EKONOMIA, PËR UJË TË FTOHTË - ANALIZË NGA SONILA MEÇO

Nga Sonila Meço

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vapa ikën me gushtin, ndaj korriku kërkon një shpëtim për mendjet e nxehta. Sidomos kur “zhegun” ta bën të papërballueshëm edhe një “oaz” ekonomie, që e sheh veç qeveria.

Ndërtime kullash e pallatesh, lehtësira fiskale për hotelet e luksit dhe për biznesin e kumarit, oferta të pa kërkuara nga koncesionet - këto të reja kemi nga ekonomia shqiptare që, sipas qeverisë dhe një pjese analistësh, po dëshmojnë ekonomi në rritje.

Papunësia, varfëria, pagat, pabarazia, investimet, produktiviteti, borxhi publik, eksportet - këta janë treguesit, që analizohen për të konsideruar ekonominë në rritje.

Për çdo artikull, deklaratë ose analizë që hidhet publikisht, i këshillohet publikut të konsiderojë treguesit e gjithëpranuar, teorikë e praktikë të shëndetit të ekonomisë, pasi të ketë kyçur derën e shtëpisë e të ketë llogaritur me qetësi bilancet e veta, si e me sa jeton. Nën “hijen” e domosdoshme të fakteve, karshi “përvëlimit” shqisor e cerebral, që prodhon propaganda.

Pa ju lodhur e stërmunduar, me një rreshtim të dhënash, në “freski” logjike e jo “zheg” deklaratash pushteti, ja panorama shqiptare e treguesve të ekonomisë:

Papunësia vështirësohet në llogaritje për shkak të formalizimit të ekonomisë dhe emigracionit në rritje. Sot matet 12,5%, duke llogaritur edhe të dy faktorët e mësipërm me një rënie historike nga viti 2008. Se sa regjistrimi i atyre që punonin në të zezë, ose emigracioni masiv e ka ndikuar treguesin, këtë mund ta kuptojmë me një matematikë të thjeshtë. Nëse zvogëlohet numëruesi i thyesës për këto arsye, edhe herësi do të zvogëlohet. Nga të dhënat e INSTAT-it për 10-mujorin e 2017, largimet pa kthim të shqiptarëve shënuan një rritje të re, në diferencën mes udhëtarëve që dalin dhe atyre që hyjnë nga kufiri. Në mungesë të një regjistrimi normal të popullatës, kjo mënyrë e tërthortë është e vetmja për të llogaritur largimet e njerëzve; pra, përmes raportit të atyre që ikin dhe atyre që kthehen, një diferencë që sa vjen dhe shtohet. Sipas të dhënave të fundit, diferenca mesatare historike për kthimin është negative, rreth 250 mijë persona, duke shënuar një tjetër kulm pas 2011, kur ndodhi liberalizimi i vizave dhe 2015, kur u arrit rekord historik. Por ajo që nuk thuhet zëlartë, është papunësia mes të rinjve. Qeveria mund të luajë sërish me thyesën ku janë 30.000 të rinj pak të aftë për punë, për shkak të emigracionit dhe shtesës së ulët natyrore. Por Indeksi Ndërkombëtar i Progresit Rinor na rendit ndër të fundit në rajon për qasjen e ulët të të rinjve në arsim e treg pune.

Pabarazia sipas Forumit Ekonomik Botëror është rritur me 7.7%, në pesë vitet e fundit. Në rënie është edhe treguesi i të ardhurave mesatare ditore për frymë, me 0.1%.

Varfëria sipas Forumit Ekonomik Botëror është rritur me 0,7%, ku norma e varfërisë është 6,8%. Sipas Bankës Botërore, Shqipëria është vendi me nivelin më të lartë të varfërisë në rajon, 1/3 e popullsisë jeton me më pak se 5$ në ditë. Varfëria matet me të ardhurat për frymë dhe aftësinë për të përmbushur nevojat bazë jetike. Të ardhurat për frymë të shqiptarëve janë më të ulëtat në Europë, sa 29% e mesatares së BE-së, ku të gjitha shtetet e Ballkanit kanë ecur para nesh. Në Barometrin e Ballkanit të sapopublikuar, 33% e të anketuarve shqiptarë kanë pohuar se kanë frikë për rënie në varfëri dhe kjo është përqindja më e lartë në rajon, por dhe shumë më e lartë sesa mesatarja rajonale prej 24%. Në Kosovë, ky perceptim është 26%, në Mal të Zi 21%, Maqedoni 27%, Bosnjë 20%, Serbi 21%. Ndërkohë, 31% e shqiptarëve janë përgjigjur se nuk janë të sigurt, nëse do të arrijnë të mbajnë vendin e punës në 12 muajt e ardhshëm, sërish përqindja më e lartë në rajon. 85% e shqiptarëve mendojnë se diferenca mes të pasurve dhe të varfërve, është rritur në ekonominë e tyre. Kjo është përqindja e dytë më e lartë në rajon, pas Bosnjës (92%).

Eksportet shqiptare, sipas Njësisë së Inteligjencës së “The Economist”, janë më të ulëtat në Europë, së bashku me ato të Kosovës. Eksportet dhe Importet janë tregues shumë të rëndësishëm të ekonomisë. I gjithë Ballkani Perëndimor ka një mesatare të eksporteve për frymë prej 2,411 dollarë. Eksportet më të larta për frymë në Rajon i ka Mali i Zi, ku gjatë 2017-s ato llogariteshin sa 3,022 dollarë, i ndjekur nga pas nga Serbia me 2,944 dollarë dhe Maqedonia me 2900 dollarë. Nën mesataren e BP-së, eksportet për frymë të Bosnjës dhe Hercegovinës llogariten 1,773 dollarë. Referuar analizës së Njësisë së Inteligjencës së “The Economist”, eksportet për frymë të Shqipërisë në vitin e fundit, llogariten 1,347 dollarë, duke tejkaluar vetëm nivelin e eksporteve për frymë të Kosovës, të cilat ishin vetëm 780 dollarë. Vetëm në tre muajt e parë të 2018-ës, importet janë rritur dy herë më shumë, pavarësisht rritjes së mpakët të eksporteve ku, tek të fundit, pjesën më të madhe e zënë fasonet, tekstile e këpucë dhe materialet e ndërtimit. Në vend të dytë janë zhvendosur eksportet e "mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë", dikur grupi më i madh i eksportuar në vend. Prej gati tre vitesh, ky grup është në tkurrje ose ngadalësim për shkak edhe të rënies së investimeve. Gjithsesi, sasia e dendur e reshjeve ka ndikuar rritjen e eksporteve të energjisë, por kjo është varësi që prodhon eksporte vetëm në dorë të zotit. Shqipëria mbetet eksportuesi më i ulët në rajon, thënë ndryshe vendi më pak konkurrues. Në një raport të publikuar në fund të 2017, FMN-ja vëren se, arsyet pse Shqipëria ka eksportet më të ulëta në rajon, janë korrupsioni i lartë, institucionet dhe infrastruktura e dobët, kompleksiteti i sistemit tatimor, si dhe vështirësitë e kompanive për të patur akses në financim. Sipas llogaritjeve të BE-së, Shqipëria importon mallra ose shërbime me një vlerë rreth 45% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që eksportet e saj janë sa 27.4 për qind të PBB-së. Pra, ne regjistrojmë një bilanc negativ tregtar prej afro 2.4 miliardë eurosh në një vit, me tendencë përkeqësimi. Deficiti tregtar për vitin 2017, është rritur me 5,2 për qind, i barabartë me 2,66 miliardë euro. Dhe përkeqësimi i bilancit tregtar, veç shëndet ekonomie nuk dëshmon.

Por Shqipëria që nuk ndërton dot ekonomi konkurruese, është e pakonkurrueshme në një tjetër tregues të nivelit ekonomik - paga minimale. Sipas Eurostat-it, që ka publikuar të dhënat më të fundit për pagat minimale në Europë, ku në analizë merren jo vetëm vendet e Bashkimit Europian, por edhe ato kandidate, pavarësisht se gjatë vitit të kaluar paga minimale në vendin tonë u rrit në 24 mijë lekë në muaj, nga 22 mijë lekë, Shqipëria vijon të mbetet vendi me pagën më të ulët në kontinent. Me një pagë minimale në 180 euro në muaj, Shqipëria nuk njeh asnjë konkurrent për vendin e fundit. Ndjekësja më e afërt është Serbia, me 285 euro në muaj pagë minimale. Por si për të kuptuar ecurinë, më 2008-ën, paga minimale në Shqipëri ishte 139 euro, në Bullgari në 113 euro dhe në Rumani në 137 euro në muaj. Pra në 10 vjet, jemi bërë të pakonkurrueshëm. Por që përplasja fytyrës e treguesit të rritjes ekonomike, nuk ndryshon asgjë në faktin kokëfortë, se jetesa nuk është e mirë, e dëshmon edhe raporti i fundit i Bankës Botërore. Banka vëren se, nivelet e pagave ndryshojnë ndjeshëm në vendet e Ballkanit Perëndimor. Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina kanë raportuar nivelet më të larta të pagave, ndërsa Shqipëria më të ulëtat. Dallimet në nivelet e pagave në krahasim me Austrinë, janë ulur me kalimin e kohës në Shqipëri dhe Kosovë në Ballkanin Perëndimor. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor (përveç Shqipërisë), kanë raportuar nivele pagash më të larta sesa Bullgaria. Pagat në Mal të Zi, gjithashtu tejkaluan nivelin e Hungarisë. Në Shqipëri, paga mesatare e matur në Paritetin e Fuqisë Blerëse ishte rreth 25 për qind e nivelit austriak, teksa niveli i pagave në Mal të Zi ishte sa 54 për qind e nivelit te Austrisë. Krahasimi është i dobishëm për të çmontuar propagandën e mirëqenies, në raport me realitetin e dëshpërimit.

Vijojmë udhëtimin në realitet: Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim ka publikuar raportin e fundit për Konkurrueshmërinë në Europën Juglindore në vitin 2018, duke bërë një vlerësim për të paktën 17 dimensione nga Investimet e Huaja te shërbimet publike, çështja e antikorrupsionit, bujqësia, infrastruktura ose çështja e taksave. Shqipëria rezulton më pak konkurruesja në rajon. Lidhur me Investimet e Huaja Direkte, OECD ka bërë një vlerësim me dy komponentë kryesorë. Komponenti i parë është ai i politikave në investimet. Në këtë tregues, Shqipëria ka marrë 3.5 pikë njëlloj sa Bosnja, por më pak se Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, që kanë regjistruar vlerën 4. Zgjidhja alternative e mosmarrëveshjeve është një tjetër tregues dhe këtu Shqipëria renditet e parafundit, duke lënë pas Bosnjë-Hercegovinën, por ndërkohë pjesa tjetër e vendeve janë më mirë sesa ne. Mjafton të kujtojmë gjyqet e arbitrazhit ndërkombëtar, kauzat e humbura në drejtësinë ndërkombëtare, nga sjelljet arbitrare të shtetit e pushtetit shqiptar. Tek nismat për investimet, vendi ynë renditet përkrah Bosnje Hercegovinës dhe Kosovës me 2 pikë, ndërkohë që pjesa tjetër e vendeve të Ballkanit, janë para nesh. Për më tepër, në një raport të fundit, Banka Botërore vlerëson se investimet e huaja direkte në Shqipëri, do të bien ndjeshëm përgjatë dy viteve të ardhshme. Sipas raportit, fluksi i investimeve të huaja në ekonominë shqiptare do të arrijë në 7 për qind të prodhimit të brendshëm në 2018-ën. Rënia do të jetë më e ndjeshme më 2019-ën, vit që Banka Botërore parashikon se fluksi i investimeve të huaja do të bjerë në 5.6 për qind të prodhimit kombëtar. Aktualisht, investimet e huaja në Shqipëri, përbëjnë 8.3% të prodhimit të brendshëm bruto duke qenë një nga kontribuuesit kryesorë në rritjen e kërkesës së brendshme dhe punësimit në ekonominë shqiptare. Më 2016, fluksi i tyre sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, shënoi rekord historik duke arritur 983 milionë euro, ndikuar nga dy projektet TAP dhe kaskada e Devollit, të cilët kishin fazën kulmore të punimeve. Thënë ndryshe, me përfundimin e këtyre dy projekteve presim të na “ushqejnë” premtimet për investime në fjalimet patetike të turit të llogaridhënies.

Sa për investimet publike në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, mjafton të krahasojmë se, në vitin 2018 do të jenë më të ulëta se ato të vitit 1993, kohë kapërcyelli sistemesh e emergjencash jetike. Asokohe qenë 7,3% e PBB, sot 5% e tij. Pavarësisht se qeveria krenohet se janë më të larta në pak pikë se vitet e fundit, mbeten të pakta për të mbështetur një rritje ekonomike, ku investimet e huaja janë të ulëta e ku financimi i ekonomisë nga bankat është anemik. Por çfarë e bën më shqetësues faktin është se, paratë investohen në pjesën e luanit në projektet e Rilindjes Urbane. Vetë FMN-ja, pak kohë më parë, do të deklaronte se në ekonominë shqiptare ka rreziqe të larta, që rrjedhin nga borxhi i lartë publik, huatë me probleme në sektorin financiar, dobësi në institucionet publike dhe në sistemin gjyqësor, si dhe nga mungesa e investimeve të reja të mëdha. Një qerthull mistrec, sepse qeveria është angazhuar të ulë borxhin publik. Kjo bën që burimi i vetëm për investime të reja në ekonomi, të mbetet biznesi vendas. Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia për ekonominë, burimi kryesor i financimit për investimet e reja, vazhdon të mbetet e stopuar.

Si për të hedhur fishekzjarrë për të “përshkënditur” një të ardhme, vetëm në kokën e pushtetit dhe jo tryezat e shqiptarëve, serviren edhe PPP-të. Në thelb të kësaj filozofie qëndron financimi investimeve publike me paratë e subjekteve private, për t’i shlyer ato gradualisht në kohë.

Kjo strategji nuk ka ndonjë ndryshim nga rritja e borxhit publik, me përjashtim të faktit që këto kontrata nuk klasifikohen zyrtarisht si borxh. Por janë borxh që ç’ke me të dhe ne e shlyejmë me breza. Të destinuara në projekte që nuk japin vlerë të shtuar në ekonomi, jo të mirë kontrolluara, me financime të dyshimta. Skemat e PPP-ve në Shqipëri, po vërtetojnë se janë skema që lehtësojnë abuzimet dhe korrupsionin, pasi PPP-të jepen pa transparencë dhe konkurrencë. Kostot mbeten në dëm të mirëqenies së shqiptarëve.

Dhe për t’ju rikthyer butaforisë së pushtetit, rritjes ekonomike që sipas vlerësimeve të BB-së e FMN-së duhet të jetë mbi 6% që të nisë e të japë efekte në mirëqenie: Në raportin periodik të Bankës Botërore ku bëhet parashikimi i ecurisë së ekonomisë globale, nuk ka ndryshuar qëndrimi i saj për rritjen ekonomike në Shqipëri, duke e lënë këtë parashikim në nivelin 3.5%. Parashikimi që bëjnë institucionet ndërkombëtare, është më konservator sesa parashikimi që ka qeveria për një rritje ekonomike prej 4.2% për vitin 2018, ose 4.3% dhe 4.4% për dy vitet pasardhëse.

Dhe pas këtyre “zhytjeve” të kokës në ujë të ftohtë faktesh, një detaj i vogël për kë ende nuk “freskohet” nga logjika: Greqia po vijon rimëkëmbjen pas 10 vjetësh depresioni të rëndë. Dhe mbështetja veç mbikëqyrjes së fortë, vijoi me investimet publike, në vepra publike e infrastrukturore. Në Shqipëri, vështirë të numërosh të tilla, përveç thagmave të “Rilindjes Urbane”, që nuk prodhojnë dot ekonomi, nuk i lëvizin mekanizmat e saj produktivë e konkurrues. Papunësia në Greqi po ulet ndjeshëm, nga 28% më 2014 në 21%, ndërsa vijon me sukses edhe programi i kthimit të më shumë se 500.000 grekëve për të punuar e jetuar në atdheun e tyre. Eksportet po rriten, ekonomia po bëhet konkurruese, bursa e Athinës përjeton rritje, sektorët e shëndetësisë, plastikës, manifakturës, po përjetojnë nivele rritjeje të para krizës. Edhe pse rritja ende nuk është 3%.

Kjo mund të jetë një mënyrë për të “shpëlarë” logjikën nga demagogjia e pushtetit. E do një ujë të ftohtë ekonomia e propagandës... Që mos të na dalë tym nga koka, prej pamundësisë për të mbyllur muajin!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: