E veçanta e Francë-Belgjikë, Hazard dhe Henry

E veçanta e Francë-Belgjikë, Hazard dhe Henry
Sot në stadiumin e Shën-Petërburgut gjysmëfinalja e parë e Kupës së Botës, Francë-Belgjikë, ora 20:00, pritet me interes mbarëbotëror jo vetëm për rëndësinë që ka aktiviteti, por edhe faktin se dy ekipet kanë dhuruar spektakël në ecurinë e deritanishme dhe shihen si favorite për të ngritur trofeun. Ndeshja mes dy vendeve fqinje të Europës Perëndimore do të gjykohet nga Andres Cunha (Uruguai) dhe pritet të shoqërohet me emocione për shkak të lidhjeve të ngushta mes lojtarëve dhe stafeve përkatëse. Kësisoj, futbollisti kryesor i Belgjikës, Eden Hazard ka pranuar se më herët ka qenë tifoz i Francës, ndërsa në stolin belg figuron një emër i njohur francez, Thierry Henry.

Eden Hazard

Eden Hazard zbuloi se ai kishte mbështetur Francën në fëmijëri para se të bëhej futbollist dhe të arrinte në nivelet ndërkombëtare, për të luajtur me Belgjikën. Sulmuesi i  Chelsea ndihmoi kombin e tij të arrijë në gjysmëfinale të Kupës së Botës për herë të parë pas botërorin 1986. Hazard dhe shokët e tij fituan 2-1 ndaj Brazilit favorit, duke arritur gjysmëfinalet. Para se Belgjika të përballet me Francën, Hazard pranoi se kishte bërë tifo për Francën në finalet e botërorit 1998, vit kur francezët fituan për herë të parë trofeun e Kupës së Botës.

Thierry Henry

Portieri i Francës, Hugo Lloris, u shpreh i bindur për Thierry Henry, i cili sot është në stolin e Belgjikës kundër kombit të tij, se  zemrën do ta ketë të ndarë. “Luajta me të për dy vite në ekipin e Francës dhe ai ishte një lojtar i madh. E vërtetë është që duket pak cinike ta shohësh atë në stolin e Belgjikës, por e tillë është karriera. Të ardhmes nuk i dihet asnjëherë. Besoj se zemra e tij do të jetë e ndarë nesër (sot), sepse para së gjithash ai është francez. Ka përjetuar momente të mëdha me fanellën e Francës. Ka shënuar gola dhe ka luajtur për shumë kohë me Francën. Ne e njohim, ai ka një pasion të madh për futbollin. Sot është me Belgjikën dhe do të japë gjithçka si profesionist për të ndihmuar ekipin e tij të shkojë më tej.” Franca i ka prekur dy herë më parë finalet, ndërsa për Belgjikën do të jetë hera e parë dhe historike arritja në finalen e madhe të 15 korrikut.

Trajneri i Francës: Didier Deschamps:

“Ne i njohim mira dhe ata na njohin mirë. Ka shumë lojtarë të ekipit të tyre dhe të ekipit tim që luajnë ose kanë luajtur me të njëjtat klube. Ky është avantazh për të dyja ekipet. Ne do të përpiqemi të shfrytëzojmë çdo mundësi për të arritur finalen e madhe.”

Trajneri i Belgjikës, Javier Martinez:

Ky grup duhet të luajë pa frikë deri në fund. Nëse ne gjatë ndeshjes do të tregojmë shenja frike, do të rrëzojmë veten dhe nuk do të jemi në gjendje të bëjmë më shumë se ç’kemi bërë deri tani. Të luajmë pa frikë, besoj se do të jetë gjëja më e rëndësishme  që duhet të bëjmë”.

 

Përplasjet direkte

Përballja e së martës do të jetë e 74-ta në histori mes dy ekipeve. Belgjika ka shënuar 30 fitore, kundrejt 24 që numëron Franca. Në finalet e Kupës së Botës Franca ka fituar në dy takime që janë zhvilluar më herët, më 1938 dhe 1986. Por Franca nuk ka fituar asnjë ndeshje në tre takimet e fundit me Belgjikën.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: