DUHET REFERENDUM PËR TEATRIN KOMBËTAR – OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA

DUHET REFERENDUM PËR TEATRIN KOMBËTAR – OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA
Nga Eduard Zaloshnja

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Romana Vllahutin, komentoi para disa ditësh  çështjen e ndjeshme të Teatrit Kombëtar.

"Kemi marrë letra dhe kërkesa që kanë të bëjnë me këtë çështje. Po bëjmë një analizë të bazës ligjore. Përgjigjja jonë do të vijë pas një analize të thellë, lidhur me çështjen e teatrit" - tha ajo, duke iu drejtuar shtetarëve shqiptarë, me këshillën që t'i dëgjojnë qytetarët, në mënyrë që të ketë një vendimmarrje sa më të mirë në përfitim të tyre.

"Këshilla ime do të ishte: Dëgjoni qytetarët tuaj! Flisni me qytetarët tuaj, për të gjetur zgjidhje në përfitim të këtyre qytetarëve! Është e rëndësishme të dëgjohen qytetarët. Kur ka një vlerë emocionale, duhen dëgjuar qytetarët", - tha Vllahutin.

Duke marrë shtysë nga këto fjalë të ambasadores Vllahutin, drejtuesit e një reviste që botohet këtu në anglisht, komisionuan një sondazh elektronik kombëtar, të cilin e zhvillova unë.

Janë të shumta arsyet dhe argumentet e atyre që janë kundër vendimit të shumicës për prishjen e godinës ekzistuese të Teatrit Kombëtar dhe për ndërtimin e një të reje në vend të saj, në kuadër të një kontrate PPP. Por meqë një sondazh elektronik duhet të jetë sa më konciz, edhe pyetjen kryesore të tij e bëra koncize: "A duhet ndërtuar një Teatër i ri Kombëtar në vend të teatrit ekzistues?" Në këtë pyetje mund ta gjejnë veten të gjitha ata që janë pro ose kundër vendimit të shumicës në lidhje me Teatrin Kombëtar, pavarësisht nga arsyet dhe argumentet e ndryshme që mund të kenë pro ose kundër.

Çdo banor i rritur i Shqipërisë me akses ndaj celularëve, tabletëve e kompjuterëve, kishte probabilitet të ekspozohej ndaj pyetjes së mësipërme (përmes reklamave në Google, Facebook, Instagram, portale shqiptare dhe përmes shpërndarjes me Whatsup, eti.,). Sidoqoftë, niveli i pjesëmarrjes në anketim nga banorët jashtë Tiranës, ishte krejt i papërfillshëm nga pikëpamja statistikore. Për këtë arsye, vetëm rezultatet për banorët e Tiranës, janë statistikisht të vlefshme. Kampioni për Tiranën përbëhej nga 1024 anketa të plotësuara dhe marzhi i gabimit statistikor të kampionit ishte plus/minus 3% (shihni në grafikun shoqërues shpërndarjen probabilitare të gabimit statistikor të mundshëm).

Ndër ata banorë të bashkisë së Tiranës që e kanë krijuar tashmë një opinion të përcaktuar rreth çështjes së Teatrit Kombëtar, 50% janë për të ndërtuar një teatër të ri kombëtar në vend të ekzistuesit, ndërsa 50% janë kundër. Dhe kjo ndarje e opinionit i kalon sinorët politikë; jo të gjithë të anketuarit që janë shprehur pro, kanë votuar vjet për partitë e shumicës, ndërkohë që jo të gjithë ata që janë kundër, kanë votuar vjet për partitë e opozitës.

Me përkufizim,  sondazhi nuk është një instrument preciz (ka marzh gabimi). Instrumenti më preciz për matjen e opinionit të publikut rreth një çështje të caktuar, është referendumi, mjeti më i drejtpërdrejtë demokratik për marrjen e vendimeve të bazuara në mendimin e qytetarëve.

Unë nuk kam arsimin ose njohuritë autodidakte juridike, për të argumentuar juridikisht nevojën dhe mënyrën e inicimit të një referendum, por si statisticien, mund të them se një referendum në bashkinë e Tiranës, është i domosdoshëm. Përderisa, siç deklaroi ambasadorja Vllahutin, çështja e teatrit ka një vlerë emocionale dhe opinioni i kryeqytetasve është i ndarë në lidhje me të, referendumi lokal do t'i vinte kapak asaj. (Sondazhi i sipërcituar shërben si indicie se, një referendum kombëtar do të përbënte një shpenzim të kotë kohe e parash, pasi pjesëmarrja jashtë Tiranës, do të ishte e papërfillshme).

Le t'i shpalosin publikisht argumentet ata që janë pro apo kundër vendimit të shumicës për prishjen e godinës ekzistuese të Teatrit Kombëtar dhe për ndërtimin e një të reje në vend të saj, në kuadër të një kontrate PPP. Por në fund, le të jenë qytetarët e Tiranës, ata që do të japin verdiktin përfundimtar, nëse godina ikonë 80-vjeçare e Teatrit Kombëtar, duhet prishur ose duhet ruajtur!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: