DUHET NJË MESAZH SI I SALVINIT, KUNDËR KRIMIT - OPINION NGA PLATOR NESTURI

DUHET NJË MESAZH SI I SALVINIT, KUNDËR KRIMIT - OPINION NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Mesazhi i ministrit të Brendshëm të Italisë, Salvini, në vilën e sekuestruar të një mafiozi në Siena, ka bërë xhiron e botës në media. Duke përdorur një gjuhë të ashpër kundër trafikantëve, skafistëve dhe mafiozëve, ministri dëshmoi se, forca e shtetit do të jetë e pamëshirshme ndaj krimit - qoftë ndaj atij ordiner qoftë atij të organizuar. Lideri i Legas që rezultoi si parti fituese brenda koalicionit të djathtë, duke lënë pas Berluskonin, arriti të krijojë një shumicë së bashku me 5 Yjet e Di Mateos, çka dizenjoi një qeveri shumë të ndryshme nga politika klasike italiane. Në fakt, Salvini arriti të grumbullonte më shumë vota, edhe për fushatën e tij që nuk drejtohej vetëm kundër politikave toleruese për refugjatët, por dhe për rritjen e kriminalitetit në vend - sidomos atij ordiner, që kishte krijuar një klimë pasigurie në zona të caktuara me vjedhjet e vilave dhe shtëpive, nga vjedhës kryesisht nga vendet ish-lindore. Kështu, pas vendimit drastik për mbylljen e porteve italiane për të mos lejuar më ankorimin e anijeve me refugjatë klandestinë, çka shkaktoi dhe tensione midis Italisë dhe BE-së, tashmë vjen një mesazh tjetër i fortë - ai i vendosmërisë së luftës kundër krimit dhe që bëhet pikërisht në mjediset e një vile të sekuestruar mafiozi.

Pavarësisht populizmit që ka ky veprim, ndonjëherë, elementët propagandistikë krijojnë më efekt. Natyrisht që krimi luftohet ditë pas dite dhe nga organet e specializuara në këtë drejtim, por dhënia e një mesazhi të fortë politik, ndikon në dy faktorë. Së pari, ai jep mesazhin e forcës, gjuhë që vetë krimi e njeh më mirë dhe e kupton më drejt;  njëkohësisht e tulat atë me anë të vendosmërisë së shtetit. Së dyti, vetë qytetarët ndihen jo më të harruar dhe jo të pashpresë, atëherë kur krimi ka tronditur jetën e përditshme. Dhe ky besim është dhe mbëtetje shtesë për organet shtetërore në luftën ndaj krimit, si atij ordiner ashtu dhe atij të organizuar.

Në kushtet e Shqipërisë ku lufta ndaj krimit të organizuar është çështje e përditshme e debatit politik, por edhe si një kërkesë nga ndërkombëtarët për avancimin në proceset e integrimit, shembulli Salvini mund të jetë një detaj, se si shteti duhet të tregojë forcën e tij. Është e vërtetë që nga shifrat rezulton se ka një efektshmëri më të madhe të organeve ligjzbatuese, në kapjen dhe evidentimin e krimit. Po ashtu, në shifra kemi dhe një ulje të numrit të vrasjeve ose të kategorive të tjera kriminale. Por duket se kaq, jo gjithmonë mjafton. Përtej shifrave që përcjell INSTAT-i ose edhe raportet e policisë e institucioneve të tjera ligjzbatuese, diskutimi për statistikat mbi krimin, mbetet thjesht në raport krahasues me vitin e mëparshëm, sesa në evidentimin dhe marrjen e masave.

Pasi vijohet ende me shpërthime tritoli në qendra të banuara, ende është i lartë numri i vjedhjeve të banesave e bizneseve, ashtu siç duket normale dhe qarkullimi i njerëzve të armatosur në mjediset publike. Të gjitha këto kanë të bëjnë me çështje perceptimi dhe qytetari nuk ndihet i qetë e i mbrojtur në përditshmërinë e tij. E shumëfishuar kjo dhe me raportimet mediatike që, lajmin kryesor e mbajnë te kronika e zezë, çështja e sigurisë qytetare lëkundet. Në fakt, garantimi se ligji do të jetë më i ashpër në mbrojtje të tyre, është mjeti më efikas që uniformat blu të ndihen më të motivuara në luftën kundër krimit. Duhet rend dhe jo retorikë spekulative dhe koha nuk pret! Dhe për këtë, duhen gjetur dhe forma që shteti të dëshmojë forcën e tij. Në këtë mënyrë, i jepet një mesazh i qartë vetë krimit të organizuar, se vullneti i shtetit në këtë luftë do t’i nxjerrë të humbur, por kështu fitohet edhe qytetari me rritjen e besueshmërisë së tij. Në gjithë Europën, së fundmi, problematikat e krimit dhe lufta kundër tij është zhvendosur nga komisariatet e policisë në politikë e në aulat parlamentare, si një problem serioz. Madje, mbi këto probleme po ngrihen dhe fushata elektorale që të çojnë drejt pushtetit. Dhe në Shqipëri, nuk mund t’i shmangemi kësaj dukurie. Thjesht, duhet më shumë vendosmëri në këtë luftë, nga ku përfitojmë të gjithë!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: