DIKUR NA E KISHIN HEQUR VIZËN, TANI NA LIBERALIZOJNË VIZAT! – OPINION NGA ALFRED PEZA

DIKUR NA E KISHIN HEQUR VIZËN, TANI NA LIBERALIZOJNË VIZAT! – OPINION NGA ALFRED PEZA
Nga Alfred Peza

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

"Jam i lumtur t’ju njoftoj se të gjitha përpjekjet dhe puna e tyre drejt liberalizimit të vizave janë shpaguar dhe prandaj sot mund të konfirmojmë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave", tha komisioneri i Bashkimit Europian për Migrim, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos, gjatë një konference për shtyp me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në Bruksel.

Më në fund, edhe qytetarët e Kosovës do të nisin që të prekin për herë të parë me dorën e tyre, realitetin e integrimit europian. Duke u lejuar edhe atyre që të hipin si "pasagjerë të barabartë" në trenin e Ballkanit Perëndimor, për të udhëtuar kudo nëpër hapësirat e Shengenit, pa patur nevojën e pajisjes më parë me viza nga vendet respektive. "Sot ka filluar shembja e murit të fundit të izolimit të qytetarëve të Kosovës", theksoi me këtë rast Thaçi.

Dikur na e kishin hequr "vizën"

Për popujt që vijnë nga histori të gjata pushtimesh, copëzimesh dhe izolimesh, nuk ka fitore më të madhe sesa liria për të lëvizur lirisht nëpër botë. Duke fituar në këtë mënyrë një dimension të munguar gjatë. Për rastin e Kosovës, lëvizja e lirë e ideve, njerëzve dhe mallrave u privua për shkak të çmimit të lartë të lirisë dhe pavarësisë së saj nga Serbia.

Ajo që ka ndodhur me qytetarët e Kosovës në raport me lirinë e lëvizjes, nga ana njerëzore, është pak më e dhimbshme se ajo që u ndodhi qytetarëve të Shqipërisë. Sepse Shqipëria u izolua prej 45 vjetësh nga diktatura komuniste dhe izolimi ishte i barabartë për të gjithë qytetarët e vet. Ndërsa Kosova, si pjesë e ish-Jugosllavisë, ka përfituar nga "fortësia" e pasaportës së kohës së Titos e më tutje, duke patur mundësinë që të udhëtojnë jashtë kufijve të tyre e të nisnin historinë e emigracionit që në vitet '70, plot dy dekada përpara Shqipërisë.

Shqipëria me gjithë ulje-ngritjet e veta pas rrëzimit të Murit të Berlinit, ia doli që ta fitojë të drejtën e lëvizjes së lirë pa viza në hapësirën Shengen, që në 15 dhjetorin e 2010-tës. Ndërsa Kosova, kishte ende rrugë të gjatë për të bërë pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, duke paguar çmimin e luftës së përgjakshme bashkë me perëndimin, kundër Milosheviçit në 1999-tën. Vetëm pas pavarësimit nga Beogradi, erdhi shpallja e Republikës së Kosovës dhe nisja e proceseve të ndërtimit e forcimit të strukturave të shtetit të ri shqiptar në Ballkan.

Pasaporta e shtetit më të ri në botë, nuk kishte më të njëjtën vlerë për të njëjtët shtetas të Kosovës së re, me atë të dikurshmen. Ndaj, nga 2009-ta dhe deri më sot, sipas të dhënave zyrtare numërohen plot 40 mijë qytetarë të Republikës së Kosovës, që kanë hequr dorë deri më sot, nga shtetësia. Me një mesatare të përafërt prej 5.000 personash në vit. “Në vitin 2014, statistikat flasin për 5.158 persona, që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës. Ndërsa në 2016-tën, ky numër ka shënuar rritje në 5 mijë e 871 persona”, - raportonte pak ditë më parë Radiotelevizioni 21 në Prishtinë.

"Lënien e shtetësisë prej vitit 2009 e kanë bërë rreth 40 mijë vetë, sipas analizave të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Këtu nuk hyn vetëm aspekti ekonomik. Shtetasit që jetojnë më shumë se 10 vjet jashtë Kosovës, u është dashur ta hedhin këtë hap për arsye se dëshirojnë që të rregullojnë dokumentet në shtetet ku kanë emigruar. Ka shtete si Gjermania për shembull që nuk e lejon dyshtetësinë. Ndaj një pjesë e kosovarëve, vihen para zgjedhjes nëse dëshirojnë që të ruajnë shtetësinë kosovare, apo të fitojnë atë gjermane. Zvicra për shembull, është më liberale në këtë drejtim", tha Izmir Zeka, zëvendës-ministër i Punëve të Brendshme.

Metrat e fundit të liberalizimit të vizave

Pyetja që shtrohet pas deklaratës së Avramopoulos, është: A ka një datë konkrete për qytetarët e Republikës së Kosovës, se kur ata do të nisin që të lëvizin lirshëm dhe pa viza në hapësirat e vendeve të marrëveshjes së Shengenit?

“Tani gjithçka është në duart e Parlamentit Evropian dhe Këshillit. Parlamenti duhet të miratojë propozimin e Komisionit Evropian. Më pas, i njëjti shkon në Këshill ku votohet po ashtu ky propozim për Kosovën. Nëse më herët kishim shumë kilometra për të vrapuar, tani jemi në 100 metrat e fundit", tha komisioneri i Bashkimit Europian për Migrim, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësi.

Nga ana e tij, Presidenti i Republikës së Kosovës, duke folur si të shpjegonte me terma të tjerë teorinë e relativitetit të Ajnshtainit, tha se "kilometrat e fundit ishin shumë të gjata... Por jam i lumtur që së bashku po mbërrijmë në cak dhe shpresojmë që shumë shpejt qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza".

Sipas tij, Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe sot është marrë edhe miratimi për këtë çështje edhe nga partnerët europianë. "Ky vendim nuk ishte një dhuratë, por meritë e punës së vështirë që kemi bërë së bashku", tha Thaçi.

Sipas liderëve kosovarë, por edhe atyre të Bashkimit Europian, rekomandimi pozitiv i Komisionit Evropian është hapi i parë drejt fillimit të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave të Kosovës, që tregon tashmë vullnetin pozitiv e zyrtar të unionit. Hapi i dytë, është votimi në Parlamentin Evropian, si institucioni që i jep "firmën" këtij vendimi. Ndërsa "vulën", e vendos procesi i miratimit nga ana e Këshillit të Ministrave të BE-së.

Nisur nga rasti i Shqipërisë dhe praktika e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, nëse këto tri procedura përmbyllen me sukses për Kosovën, atëherë pritjet janë që vendimi përfundimtar të merret diku në fund të këtij viti.

Liberalizimi i vizave për Kosovën përflitej që prej 2015-tës, kur qeveria e Kosovës dhe e Malit të Zi arritën marrëveshjen e parë për ripërcaktimin e vijës kufitare. Por marrëveshja u miratua në Kuvendin e Kosovës vetëm në marsin e këtij viti me ndryshimet e propozuara nga Kryeministri Ramush Haradinaj, i cili duhet thënë se e bllokoi këtë proces përgjatë tri viteve kur ishte në opozitë.

Ky hap "i vogël" për Kosovën, është një hap "gjigand" për gjithë rajonin, drejt proceseve të tjera integruese dhe të ardhmes europiane të Ballkanit. Deri para pak vitesh, ishte thjeshtë e paimagjinueshme që të pranohej zyrtarisht nga Brukseli se Kosova është gati për liberalizimin e vizave të qytetarëve të vet. Ashtu siç dukej po kaq e pamendueshme, që Athina dhe Shkupi t’i zgjidhnin problemet e tyre, sidomos ndryshimin e emrit të shtetit fqinj, në Republika e Maqedonisë së Veriut.

Edhe Athina me Tiranën zyrtare, pas 75 vitesh me male problematikash të bartuara, sot duken më pranë se kurrë një zgjidhje tërësore e përfundimtare të tyre. Deri dje kjo ishte thjeshtë një dëshirë iluzive. Sikundër, ishte po kaq e pakonceptueshme që presidenti i Serbisë dhe ai i Kosovës, të uleshin dhe të takohen rregullisht për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta, mes dy popujve që i kanë ndarë në historinë e largët e të afërt, përrenjtë e gjakut.

Aq proverbiale ka qenë armiqësia e ballkanasve me njëri tjetrin, sa Europa thjeshtë na kishte lënë në folklorizmin tonë tragjik, duke na e hequr vizën, e duke na konsideruar si një rast i pashpresë. Ndërsa sot, mrekullia e lirisë dhe qasja europianizuese e Ballkanit Perëndimor, po e "detyron" Brukselin që të na i hapë portat. Në atë mënyrë sa të gjithë qytetarët tanë, të lëvizim lirshëm e pa viza, nëpër shtetet e tyre. Duke na lejuar që të hyjmë e të dalim sipas qejfit pa viza, si të ishim pjesëtarë të familjes, në shtëpinë e madhe europiane.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: