DASHURI-URREJTJE! - PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI

DASHURI-URREJTJE! - PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI
Nga Juela Meçani

Më ndodhi në jetë të jetoj në një qytet të vogël në veri të Italisë, me vetëm 47 mijë banorë. Kishte 8 parqe mesatarë e një kombëtar, bozë lumit Po. Parqet ishin të gjitha me vend për fëmijët e disa grupmoshave dhe në të gjitha parqet kishte burime ujore, shatërvanë dhe çezma me ujë të pijshëm. Nuk mungonin lulet e stolat dhe ishin projektuar që të ishin të mbrojtur nga rreziku që fëmijët të dilnin në rrugë me trafik.

Duke qenë se nuk e dua aspak sistemin djallëzor të diktaturës, nuk e fsheh dot që nëse ka diçka që kujtoj me nostalgji nga fëmijëria ime janë pikërisht parqet, gjelbërimi dhe çezmat me ujë ku ndaleshim fëmijë ose mblidheshim me shoqet e shokët për të luajtur. Pavarësisht se Tirana ishte një qytet në zhvillim e ku ndërtohej, sheshpushimet nëpër lagje kishin rregull. Nga Tiranë drejt kësaj qyteze të vogël, kalimi ishte i lehtë, linear, sepse thjesht modernizimi ishte i përligjur dhe i bukur, duke qenë se ai nuk kishte cunguar aspak cilësinë e jetës së qytetarëve dhe se stresi që bota e civilizuar e ka të përditshëm, me betejën për punën dhe ambicien për pasuri, në një farë mënyra, fashitej nga natyra.

Pra natyra, ajo origjinalja dhe e harlisur por edhe ajo e kanalizuar në projekte arkitekturore, është një katalizator mjaft frytdhënës për një jetesë të shëndetshme.

Por nuk jam e vetmja që sa herë hyj në Tiranë kam një marrje frymë, betoni është bërë i frikshëm, pallatet ose kullat janë të akullta e pa shpirt, duket sikur aty jetojnë marsianë e jo njerëz tokësorë. Rrugët komerciale janë një tollovi tabelash e ngjyrash pa kriter, sheshpushimet janë vetëm cepore të vogla sa për një familje e ujë, ah ujërat, i gjen vetëm në ndonjë bar zemërgjerë që ka menduar për ne.

Nuk ka më qetësues se uji që rrjedh në kombinim me gjelbërimin. Ky është fakt. Por në Tiranën e madhe sa ambiente të tilla gjen pa pagesë?

Në lajme mëson për ato qindra mijëra pemët e mbjella dhe le të jemi mirëbesues se janë. Por ku janë vallë? Parku i Liqenit Artificial është një shfaqje reale se sa e madhe është bërë Tirana, sepse ai tregon se tashmë, ky qytet, është si një kuti me sardele që rrinë shtypur pas njëra-tjetrës.

Nuk ka orë, përveç agimit ose natës, ku aty nuk përplasesh me këdo, ku nuk dëgjon biseda me zë të lartë, shikon shiringa e mbeturina ose ku ndonjë qen që stërvitet për ndonjë garë bastesh, nuk rrezikon të të sulet.

Atëherë ku t’i gjejmë pemët-rrënjët e tua parti?

Ku ta gjejmë atë ujin e pastër që rrjedh e na përhumb për pak momente që të harrojmë se në çfarë rrumpalle jetojmë?

Për shumë si unë që kemi lindur në Tiranë, është fat i madh. Mundësitë tona për shkollim e karrierë kanë qenë më të mëdha, e dimë këtë. Por a na ka bërë Tirana më të lumtur? A e ka bërë ajo jetën tonë më të qetë?

Me që ra fjala, nuk i ha qoftet e as birrën nuk e pi, jo në rrugë të paktën. Dua një gurrë me ujë Shëngjergji ose dhe Selite, një burim me gurë nga ndonjë dorë mjeshtri, pa asnjë modernitet ose pa asnjë firmë studioje të famshme, e dua ashtu të thjeshtë e me shije, si buka e bërë vetë.

Pse vallë na e shpëlatë kaq shumë Tiranën?

Mendohem shpesh se ku na duan vallë të jemi?

Të ikim?

Të fillojmë të popullojmë qytezat?

Si dikur në komunizëm, me dhjetëvjeçarë?

Kjo Tirana jonë, mes dashurisë dhe urrejtjes, tashmë nuk bëhet dot më një perlë e natyrës. Sepse i kanë bërë operacion plastik pa kthim, nga ata permanentët, i kanë ndryshuar plotësisht foton e pashaportës. Ndaj jetojmë të dyzuar, me sytë nga betoni e më shpirtin mes ujërave e barit që na e ka prerë kuçedra.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: