DASH: Shqipëria ka ligje të mira, por investitorët kanë ankesa. Problem koncensionet

DASH: Shqipëria ka ligje të mira, por investitorët kanë ankesa. Problem koncensionet
Shqipëria po i krijon biznesit hapësirat e duhura ligjore që të kryejë aktivitetin e tij privat, por sërish ai paraqet rezerva. Një situatë e tillë paraqitet në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), mbi klimën e investimeve në vendin tonë për vitin 2018.

“Investitorët e huaj përmendin korrupsionin, veçanërisht atë në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave, si probleme të vazhdueshme në Shqipëri”, cilëson ky raport.

Duke shtuar se ka edhe investitorë të mëdhenj që “raportojnë presion për të punësuar nënkontraktorë të lidhur politikisht. “Rregulloret dhe ligjet që rregullojnë veprimtarinë e biznesit ndryshojnë shpesh dhe pa konsultime me komunitetin e biznesit”, është gjithashtu një tjetër rezervë që paraqet raporti i DASH-it. Duke mos e hedhur gjithsesi poshtë faktin, se ligjet ekzistuese në Shqipëri për biznesin janë favorizuese.

“Sistemi ligjor shqiptar duket se nuk bën diskriminim ndaj investitorëve të huaj”, citon ai lidhur me një dukuri të tillë. Për të shtuar se “ligji për Investimet e Huaja synon të krijojë një klimë ligjore mikpritëse për investitorët e huaj”.

Sipas ekspertëve të DASH-it, sistemi rregullator i Shqipërisë është përmirësuar në vitet e fundit, por gjithsesi sfidat mbeten.

“Zbatimi i pabarabartë i legjislacionit, burokracia e rëndë dhe mungesa e transparencës janë të gjitha pengesat për komunitetin e biznesit”, citojnë ata rreth kësaj.

“Shqipëria nuk i kufizon as investitorët vendas për të investuar jashtë vendit”, është një tjetër dukuri që vë në dukje raporti në fjalë, për të pranuar kështu faktin se në vendin tonë po përmirësohet klima edhe për biznesin shqiptar që është i interesuar të investojë jashtë vendit.

 

“Shqipëria mban një regjim liberal të investimeve të huaja, i projektuar për të ndihmuar në tërheqjen e tyre. Ligji për Investimet e Huaja përshkruan mbrojtje specifike për investitorët e huaj dhe lejon 100% të pronësisë së huaj të kompanive në disa sektorë. Legjislacioni shqiptar nuk bën dallimin midis investimeve vendase dhe atyre të huaja”

 

“Kontratat koncesionare të llojit PPP po ngushtojnë mundësitë për konkurrencë”

“Raportet e korrupsionit në prokurimet e qeverisë janë të zakonshme. Përdorimi në rritje i kontratave të Partneritetit Publik Privat ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë edhe investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë”. Ky është një tjetër fakt që përmendet në raportin e DASH-it për klimën e biznesit në vendin tonë. Sipas tij, analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave të llojit PPP janë shqetësime të vazhdueshme. “Qeveria kishte nënshkruar më shumë se 200 kontrata të tilla deri në fund të vitit 2017”, vë gjithashtu në dukje ai. Duke shtuar nga ana tjetër se të drejtat e pronës mbeten një sfidë tjetër në Shqipëri, pasi që titulli i pronësisë sipas tij është i vështirë për t'u marrë. Për të përmendur më tej edhe Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit 2017 të “Transparency International”, i cili e perceptonte Shqipërinë si vendin e dytë më të korruptuar në Ballkanin Perëndimor. “Shqipëria vazhdoi të shënojë dobët në fushat e zbatimit të kontratave, regjistrimit të pronës dhe marrjes së energjisë elektrike”, citon DASH-i në këtë kuadër.

“Nuk bëhet dallim mes investitorëve të huaj edhe atyre vendas”

“Investitorët në Shqipëri kanë të drejtën e mbrojtjes ligjore, lidhur me investimet e tyre. Sistemi tatimor i Shqipërisë nuk bën dallim midis investitorëve të huaj dhe atyre vendas”, janë disa lehtësira të tjera që DASH-i i përmend në raportin e tij, lidhur me klimën e të bërit biznes në vendin tonë. Duke shtuar gjithashtu edhe faktin se “Kushtetuta shqiptare garanton të drejtën e pronës private”. “Energjia, turizmi, furnizimi me ujë dhe kanalizimet, rrugët dhe hekurudhat, minierat dhe teknologjia e komunikimit e informacionit paraqesin perspektiva më të mira për investimet e huaja direkte në Shqipëri gjatë disa viteve të ardhshme”, thuhet mes të tjerash në raportin në fjalë të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH).

Shpërndajeni me miqtë tuaj: