ÇËSHTJE DEMBELIZMI – KOMENT NGA PLATOR NESTURI

ÇËSHTJE DEMBELIZMI – KOMENT NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Shqipëria është një ndër vendet ku papunësia është një çështje e prekshme dhe si dukuri vërehet në çdo qytet të Shqipërisë. Në shumë vërejtje që mund të bëhen mbi mënyrën e menaxhimit ose edhe të politikave që janë ndjekur ndër vite, mbetet fakt se, për çështjen e papunësisë fajësohet qeverisja, si e vetmja rrugë që duhet t'u sigurojë atyre një vend pune, për të siguruar kushtet minimale në një familje.

Është e vërtetë se, disa njerëz burimin e vetëm të të ardhurave që fitojnë në një punë, sado e ulët të jetë paga që marrin, e kanë të vetmen mundësi për të mbijetuar. Varfëria dhe papunësia është një dukuri që prek një përqindje të ndjeshme të familjeve shqiptare. Disa nga këto familje janë pa prona dhe mundësia për të fituar të ardhura është mjaft e vështirë. Por një pjesë e madhe e kësaj kategorie, për fat të keq, i përkasin atyre familjeve të cilat kanë zbarkuar nga fshati në qytet. Të ardhur nga diku larg dhe duke braktisur tokat e pronat që kanë, njëkohësisht dhe pa ndonjë profesion që t’i përgjigjet tregut të punës në qytet, këto familje e kanë më të vështirë për tu përshtatur dhe për të krijuar shanset e ndërtimit të së ardhmes nëpër qytete. Kjo kategori e ka patur edhe një mundësi tjetër, përveç se të punësohen në vendin ku banojnë për të siguruar të ardhurat për mbijetesë. Mundësia e dytë është vetëpunësimi në tokat që kanë në fshatrat që kanë lënë, duke zbarkuar nëpër qytete. Dhe në fakt, për shumë familje që nuk i janë ndarë punimit dhe prodhimit të produkteve bujqësore, ka rezultuar se ekonomikisht kanë dalë më të përfituar se ato që kanë arritur të integrohen në jetën qytetare. Nga gjithë kjo situatë, ku një pjesë e tokave bujqësore janë me pronarë, por janë dhe të braktisura, rezulton se mbjellja e tokave nëpër të gjithë fshatrat e Shqipërisë, ka rënë ndjeshëm. Njerëzit janë dyndur drejt qyteteve dhe fshatrat jo vetëm janë boshatisur, por tokat edhe pse pjellore, kanë mbetur të papunuara.

Po sikur njerëzit të vetëpunësoheshin në tokat e tyre, a do të kishte kaq të papunë?

Natyrisht që, numri i të papunëve do të ulej ndjeshëm, por jo vetëm. Standardet e jetesës do të rriteshin mjaftueshëm dhe në Shqipëri nuk do kishim kaq shumë probleme sociale, që kanë të bëjnë me diferencat, mentalitetin dhe mundësitë që përbën një treg i vogël pune si ky i yni... Mundësitë për tu vetëpunësuar në fshatrat e Shqipërisë, janë të shumta. Degët më kryesore në vendin tonë, janë bujqësia dhe blegtoria, të cilat mund të shndërrohen jo thjesht në mënyrë mbijetese, por dhe si një faktor mbështetës për industrinë ushqimore dhe turizmin.

Shumë njerëz ankohen për pagat e ulëta që marrin në qytet, ndërkohë që një hektar tokë në fshat, e kanë lënë të papunuar. Nëse do të punohej kjo tokë, të ardhurat e këtyre njerëzve jo vetëm që do ishin më të larta, por do të bënte që numri i të papunëve në familje, të ulej ndjeshëm.

Në çdo vend të botës ekziston papunësia, varfëria, madje edhe në ato më të zhvilluarat. Nëse do të shkojmë në vendin fqinj Itali, do të vërejmë se shumë shqiptarë janë të punësuar dhe puna që disa prej tyre bëjnë, është blegtoria dhe bujqësia. Dhe pronarët e tyre janë fshatarët italianë, të cilët kanë investuar po në vendin e tyre, në fshatrat ku ata kanë pronat dhe kanë arritur edhe të punësojnë të tjerë në punën e tyre. Askush nga këta pronarë nuk e ka fituar pasurinë falë qeverisë, por falë iniciativës dhe dëshirës për të punuar dhe për tu pasuruar më pas.

Ajo që duhet të na habisë në fakt është se si akoma ka njerëz që ankohen për mungesë pune dhe nuk punojnë tokat e tyre! Apo disa të tjerë që ndonëse bij çobanësh, e kanë për turp të merren me blegtori në vendin e tyre, ndërkohë që në vendet fqinje si Itali e Greqi, punojnë si barinj për pak pará që mezi i marrin!

Jemi një vend me shumë probleme, por është e panatyrshme që një pjesë e shoqërisë që tashmë ka zbarkuar nëpër qytete, dhe madje ka zaptuar edhe prona për t’i legalizuar më pas, të ketë në plan të parë të kërkesave, punësimin nga ana e qeverisë. Në të kundërt, problemi i varfërisë dhe i papunësisë me këtë mënyrë qasjeje ndaj punës, do të gjendet gjithmonë në mes tyre. Për t’i zbutur këto probleme, mjafton që shqiptarët t’i përvishen punës dhe të mos jenë dembelë në vendin e tyre.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: