Buxheti, jo të gjitha ministritë i kryen projektet që kishin në listë

Buxheti, jo të gjitha ministritë i kryen projektet që kishin në listë
Një listë me projekte dhe programe që duhej të ishin realizuar gjatë harkut kohor të një viti. Por që në fakt, jo të gjitha arritën të shihnin “dritën” e zbatimit të tyre.

Kjo është situata me listën e atyre që ishin parashikuar të kryheshin me paratë e shtetit të vitit të kaluar. Dhe që në buxhetin faktik 2017, (aty ku paraqiten shifrat reale të shpenzuara) nuk rezultojnë të gjitha të finalizuara.

Konkretisht, në këtë dokument (që tashmë u është paraqitur deputetëve të Kuvendit për analizim të saktë të tij, sesi janë shpenzuar vjet paratë e arkës së përbashkët të shqiptarëve), shihet se nga totali i 1347 programeve të planifikuara, ministritë kanë arritur të kryejnë plotësisht vetëm 1174 të tilla. Ndërsa në 109 prej tyre, kjo u arrit të realizohej vetëm pjesërisht. Për të lënë kështu plot 64 programe apo projekte pa u kryer fare, ndryshe nga planifikimi i shtetit.

“Nga 1347 produkte të parashikuara për vitin 2017, janë realizuar plotësisht 87% e tyre dhe pjesërisht se 8%. Ndërsa nuk janë realizuar fare 4.75% nga të planifikuarat në vitin 2017”, saktësojnë ekspertët e Financave lidhur me një dukuri të tillë. Duke vërtetuar edhe këtë herë, se gjithmonë në fund të vitit ekzistojnë mosrealizime me paratë e shtetit, edhe pse ato kanë qenë “taksur” që në fillim të tij ndaj dikastereve.

Sipas të dhënave, rezulton se mosrealizimet më të mëdha i ka ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës, me plot 32 programe të parealizuara fare gjatë vitit të kaluar, ose rreth ¼-ta e totalit prej 122 të tilla, të parashikuara. Madje te ky dikaster, vihet re edhe një dukuri tjetër, ajo e një pjese të madhe të tyre që janë realizuar vetëm pjesërisht, plot 33, kundrejt vetëm 57 të përfunduarave.

Më pas, dikasteri i dytë që bie në sy për numrin e lartë të programeve që i ka lënë fare pa realizuar gjatë vitit të kaluar ka qenë ai i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me 15 të tilla.

Apo edhe ai i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ku gjithashtu, ekziston një numër i konsiderueshëm programesh që ende “flenë” në sirtarët e saj, 8 të tilla.

1347

Produkte ishin parashikuar për t’u realizuar gjatë vitit të kaluar 2017 me paratë e buxhetit për të gjitha ministritë në rang vendi, por kanë arritur të kryejnë plotësisht vetëm 1174 të tilla dhe 109 vetëm pjesërisht

 64

Produkte që ishin parashikuar për t’u realizuar gjatë vitit të kaluar 2017 me paratë e buxhetit për të gjitha ministritë kanë rezultuar të panisura fare për asnjërën prej tyre, ku 32 vetëm në ministrinë e Shëndetësisë

 

Mbrojtja sociale, ajo që mori pjesën e “luanit” të parave të buxhetit

Mbrojtja sociale, ose siç njihet ndryshe, sektori që merret me  pensionet, ndihmën ekonomike dhe invaliditetin, rezulton që të ketë marrë gjatë vitit të kaluar pjesën e “luanit” të parave të buxhetit. Kështu rezulton të paktën sipas të dhënave të ministrisë së Financave rreth buxhetit faktik 2017, sipas të cilave në këtë sektor janë kryer plot 144 miliardë lekë. Ose rreth ¼-ta e totalit prej 461 miliardë lekësh, që kanë dalë nga arka e buxhetit të përbashkët të shqiptarëve vjet përgjatë 12 muajve. Një shumë kjo, e cila ua kalon në fakt edhe shpenzimeve publike si të tilla, të realizuara në rang vendi gjatë gjithë vitit të kaluar. Konkretisht, bëhet fjalë për 85 miliardë lekë që kanë marrë ato nga buxheti 2017, pasuar nga 53.6 miliardë që shteti i ka shpenzuar për çështjet ekonomike, apo 48 miliardë për arsimin dhe 45 të tjera për shëndetësinë në tërësi. Që të dy këta të fundit, sektorë me mjaft rëndësi për popullatën shqiptare.

 

Bujqësia, Kultura dhe Diplomacia, ministritë që s’lanë asnjë program bosh

Janë tre ministri, të cilat i harxhuan vjet të gjitha “fishekët” që u kishte taksur buxheti i shtetit për programe dhe projekte. Fjala është konkretisht, për atë të Bujqësisë, të Kulturës dhe atë të Punëve të Jashtme, të cilat rezultojnë se nuk kanë lënë asnjë të tillë pa u realizuar, nga ato të parashikuara në fillim të vitit, të kryheshin me paratë e buxhetit të shtetit. Edhe pse në fakt, me disa prej tyre të kryera vetëm pjesërisht, ato gjithsesi nuk kanë lënë t’u shpëtojë asnjë pará nga buxheti. Konkretisht, ministria e Bujqësisë nga 67 të parashikuara në total, ka kryer plotësisht 57 dhe pjesërisht 10. Ajo e Kulturës, nga 15 programe ka realizuar plotësisht vetëm 4 dhe 11 të tjera pjesërisht. Kurse ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme nga 44 të tilla, vetëm dy ka të realizuara pjesërisht.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: