BSH: Kreditë e këqija rrezikojnë sistemin bankar, plan për t’i ulur

BSH: Kreditë e këqija rrezikojnë sistemin bankar, plan për t’i ulur
“Me gjithë rënien e ndjeshme të kredive me probleme gjatë vitit të kaluar, niveli aktual i tyre konsiderohet ende i lartë, duke ndikuar në qëndrueshmërinë afatgjatë të bankave e të sistemit bankar”.

Ky është konstatimi i fundit zyrtar që Banka e Shqipërisë ka bërë lidhur me ecurinë e kredive të ashtu-quajtura si “të këqija”, në Raportin e Mbikëqyrjes 2017. Duke pohuar se “reduktimi i nivelit të tyre do të vazhdojë të jetë në fokus të procesit mbikëqyrës dhe gjatë vitit 2018”.

Por si do të arrihet konkretisht një gjë e tillë?

Ekspertët e bankës qendrore japin rreth kësaj detajet e asaj që ata e cilësojnë si nismë, e cila do të nisë pikërisht me identifikimin e të gjithë personave që kanë marrë kredi dhe nuk e shlyejnë dot.

“Banka e Shqipërisë, në kuadrin e programit kombëtar për adresimin e kredive me probleme ka nxitur marrjen e një nisme për rregullimin e bashkëpunimit midis bankave për adresimin e kredimarrësve të përbashkët në vështirësi financiare për shlyerjen e detyrimeve. Kjo nismë do të konkretizohet gjatë vitit 2018, nëpërmjet hartimit të një kuadri rregullator të posaçëm për mundësinë e zgjidhjes jashtëgjyqësore të kredimarrësve me probleme, me ekspozime në më shumë se një bankë”, pohojnë ata.

Duke shtuar më tej, ata sqarojnë se pikërisht, ky kuadër do të shërbejë si një mekanizëm për të sjellë bankat në një emërues të përbashkët për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme afatgjatë për  këtë kategori kredimarrësish.

E thënë më thjesht, të gjithë ata që figurojnë se kanë marrë kredi në më shumë se një bankë dhe nuk po i shlyejnë dot, do të hyjnë në negociata me to, për të gjetur mundësinë e shlyerjes, pa patur nevojë të kalojnë nëpër gjyqe dhe deri te përmbarimi.

 

“Me asistencën e BB dhe FMN po hartohet një kuadër rregullator, që synon të nxisë bankat të bashkëpunojnë për  adresimin e kredimarrësve të përbashkët, duke filluar që në  fazën e hershme të shfaqjes së problemeve. Aktualisht, ky kuadër është hartuar dhe pas diskutimit me bankat, pritet të miratohet gjatë vitit 2018. Ai ofron si  ndihmesë, marrëveshje bashkëpunimi midis vetë bankave dhe kredimarrësve”, citojnë ekspertët e BSH-së.

 

Nga bilanci, vjet u fshinë 16.7 miliardë lekë kredi të humbura

Kreditë me probleme kanë ndjekur tendencën rënëse të katër viteve të fundit edhe gjatë vitit 2017. Niveli i tyre gjatë vitit të kaluar ka arritur në 13.23%, por që gjithsesi konsiderohet i lartë prej ekspertëve.

“Treguesi mbetet ende i lartë dhe kërkon masa të mëtejshme për të përmirësuar edhe më tej tendencën rënëse të evidentuar, nëpërmjet mirëmbajtjes së portofolit ekzistues të rregullt dhe zgjidhjes sa më efikase të portofolit me probleme”, cilësojnë ata.

Duke saktësuar se rënia prej rreth 30 miliardë lekësh e kredive me probleme gjatë vitit të kaluar ka ardhur si rrjedhojë e procesit të fshirjes së kredive të humbura nga bilanci në masën 16.7 miliardë lekë; rasteve të zgjidhjes së disa prej kredimarrësve të mëdhenj nga bankat; rasteve të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura nga ana e kredimarrësve; si dhe rasteve të përmirësimit të klasifikimeve të tyre.

Nga ana tjetër, BSH-ja sqaron se edhe këtë vit po vazhdon prej bankave procesi i ndjekjes së kredive me  probleme, si dhe hartimi i Planeve të Rimëkëmbjes e të Zgjidhjes për kredimarrësit e mëdhenj. Duke synuar qartësimin e nivelit të marrëdhënieve me çdo kredimarrës, në mënyrë që të gjendet edhe zgjidhja efikase për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.

 

Provigjionet që mbulojnë kreditë e këqija mbeten të larta, 71.7%

Moskthimi në kohë i kredive, dihet se është një proces që ka një kosto të caktuar për bankat, pasi ai shoqërohet me vënien në punë të atij që njihet nga të gjithë si fondi “provigjion”, pra ai atij që zëvendëson kredinë e keqe.

E me gjithë trendin në rënie të kësaj lloj kredie, ky fond sërish paraqitet i lartë. K

ëtë e ka pohuar edhe vetë Banka e Shqipërisë në raportin e saj të fundit. “Niveli i mbulimit me provigjione të kredive me probleme mbetet i lartë dhe është rritur me 1.2%, krahasuar me një vit më parë, duke arritur në nivelin prej 71.7%”, saktësojnë ekspertë e saj lidhur me një dukuri të tillë. Gjithsesi, ekspertët janë optimistë, pasi e shoqërojnë këtë, me pohimin se “gjendja e likuiditetit të sistemit bankar mbetet e kënaqshme, në nivelin prej 40.79% në fund të vitit 2017, nivele pothuaj të njëjta me fundin e vitit të kaluar”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: