BSH: Katër banka në Shqipëri, rrezik për pastrim parash

BSH: Katër banka në Shqipëri, rrezik për pastrim parash
Katër banka private në Shqipëri paraqesin një rrezik të lartë të pastrimit të parave. Ky fakt konfirmohet nga vetë banka qendrore, sipas së cilës, kjo dukuri jo vetëm që është e pranishme, por edhe mund t’i dëmtojë ato.

“Një nga rreziqet që mund të dëmtojë bankat dhe institucionet financiare në mënyrë të menjëhershme, ka si element kryesor vlerësimi: dyshimet e mundshme për përfshirje apo përdorim të tyre për qëllime të pastrimit të parave/financimit të terrorizmit”, vlerëson zyrtarisht Banka e Shqipërisë.

Më tej, pa dhënë në fakt emrat konkrete të tyre, ajo pohon se ka qenë pikërisht vlerësimi i transfertave të kryera përmes tyre, ai që tregoi se katër prej tyre paraqiten me rrezik mesatarisht të lartë. Dhe këtë, ia ka faturuar mosraportimit të të dhënave të sakta prej tyre, gjë e cila sipas ekspertëve bankarë, çon pikërisht në shtimin e mundësisë për të qarkulluar përmes kanaleve bankare pará jo të pastra. Një vlerësim ky, i bërë për herë të parë në fakt në të gjithë sistemin financiar në vend. Dhe që rezultoi se përveç katër bankave, janë edhe 18 institucione financiare të tjera jo bankare, si edhe 7 shoqëri kursim krediti që paraqesin gjithashtu rrezik të pastrimit të parave, për shkak të mosraportimit të të dhënave.

Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë ka komentuar se këtë dukuri e favorizojnë sidomos modernizimet e shërbimeve bankare.

“Nga gjerësia e tyre dhe zhvillimi i produkteve elektronike që mundësojnë kryerjen e transaksioneve në distancë, mund të krijohen hapësira për elementët që synojnë kryerjen ose fshehjen e aktiviteteve të  jashtëligjshme”, sqarojnë ekspertët e BSH-së.

Kujtojmë sakaq, se gjatë vitit të kaluar, pas kallëzimeve të bëra nga drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave janë sekuestruar zyrtarisht 9 milionë euro, ndërsa u konstatuan 369 transferta të dyshimta.

 

9

Milionë euro  janë sekuestruar vitin e kaluar nën dyshimin se ishin jo të pastra, ndërsa në total u konstatuan 369 transferta të dyshimta

 

 

APELI

 

“Të shtohet vigjilenca!”

 

Në mënyrë që të shmanget dukuria e mundshme e pastrimit të parave përmes kanaleve bankare, banka qendrore ka hartuar edhe një nismë të posaçme mbi të ashtuquajturën “Vigjilenca e duhur dhe vigjilenca e zgjeruar”. Ai konsiston pikërisht në

justifikimin e transaksioneve të kryera për punonjësit e bankës; përputhjen e të dhënave të bankës me profilin e klientit dhe aktivitetin e tij; disponimin e dokumenteve që  provojnë burimin e fondeve, për transaksione me para fizike (cash) në llogaritë individuale dhe tregtare; disponimin e dokumentacionit për marrëdhëniet ndërmjet disa kompanive  që kryejnë transferta hyrëse në shuma të mëdha në

llogaritë e tyre dhe plotësimi i të dhënave të klientëve biznes në sistem.

 

 

 

 

Bankat, të dënuara me gjoba për shkelje të rregullave kundër pastrimit të parave

 

5 masa ndëshkimore, me një gjobitje në total prej 17 milionë lekësh janë akorduar vjet ndaj bankave që nuk kanë respektuar rregullat kundër pastrimit të parave

 

U janë bllokuar disa llogari bankare për klientë që dyshoheshin se pastronin pará, sikundër edhe janë gjobitur për shkelje të rregullave që synojnë parandalimin e kësaj dukurie. Këto janë disa nga masat ndëshkimore të ndërmarra ndaj bankave gjatë vitit të kaluar, prej Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave. “Gjatë vitit 2017, janë nxjerrë 52 urdhra bllokimi të përkohshëm kryesisht për llogari bankare, në një vlerë totale prej rreth 11.2 milionë eurosh, nga të cilat janë sekuestruar me vendim prokurorie-gjykate rreth 9 milionë euro”, citojnë drejtuesit e këtij institucioni. Duke shtuar më tej se “totali i vlerës së masave administrative të vendosura vjet ka qenë është 28.6 milionë lekë, ku peshën kryesore e zënë bankat ndaj të cilave janë aplikuar 5 masa me vlerë 17 milionë lekë, të ndjekura nga shoqëritë e ndërtimit, ndaj të cilave janë vendosur 9 masa me vlerë totale 6 milionë lekë”. “Minimumi i gjobës së vendosur është 300.000 lekë dhe maksimumi 5.000.000”, sqarojnë mes të tjerash ekspertët. Që të gjitha këto për shkelje të rregullave të tilla si mosidentifikimi i klientëve; mosmonitorim i biznesit për burimin e fondeve; mosanalizim i transaksioneve; mosraportim i transaksioneve në pará fizike, etj.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: