BSH: Ekonomia e fortë i mban bankat të forta, por kujdes dhe kur janë të tilla

BSH: Ekonomia e fortë i mban bankat të forta, por kujdes dhe kur janë të tilla
“Rritja ekonomike ka një efekt pozitiv në stabilitetin e  bankave. Ai është statistikisht i rëndësishëm në nivelin 1%. Kurse efekti e dominancës së bankës në treg, ose madhësia e saj ka një tjetër efekt pozitiv ndaj stabilitetit, i cili renditet në nivelin prej 5%. Kjo nënkupton se ekonomia e shkallës ekziston në sektorin bankar shqiptar dhe efekti i saj ndaj stabilitetit është pozitiv”, cilësojnë ekspertët e Bankës së Shqipërisë

Sa më i madh të jetë zhvillimi ekonomik i vendit, aq më stabilitet paraqesin bankat që veprojnë brenda tij. Dhe sa më e madhe të jetë banka, aq më e madhe është aftësia e saj për të përballuar periudhat e krizave.

Këto janë dy përfundimet kryesore, në të cilat ka arritur një studim i posaçëm i Bankës së Shqipërisë lidhur me faktin sesa të ndikueshëm janë rreziqet mbi stabilitetin bankar si të tillë.

“Është  gjetur  se përmirësimi i kushteve makroekonomike dhe i atyre  financiare janë ndër faktorët  specifikë të bankave, që ndikojnë më tepër në stabilitetin e tyre”, citojnë ekspertët bankarë, lidhur me një dukuri të tillë.

Konkretisht, ata argumentojnë se sa më e lartë të jetë rritja ekonomike në vend dhe zhvillimet e saj, aq më shumë rritet aftësia e bankave për të përmbushur angazhimet e tyre.

“Prandaj, pritet që treguesi i lidhur me aktivitetin ekonomik të ketë një shenjë pozitive”, sqarojnë ata.

Ndërsa për ndikimin e madhësisë së bankës në suksesin e saj, këtu gjithsesi ata paraqesin disa rezerva.

“Mund të ndodhë që përtej një niveli të caktuar apo në kushte të caktuara, rritja e dominancës së  një banke kundrejt bankave të tjera mund të jetë  kundër-produktive. Sepse nëse një përqindje më e lartë e tregut vjen përmes kapitalit më të lartë ose politikave më  agresive,  kjo mund të çojë në një atraktivitet më të lartë të produkteve të reja, por të rrezikshme, që sjell depozita më të larta ose një ndërmjetësim më të madh. Dhe në këtë mënyrë, edhe një rritje të tërthortë të rrezikut bankar, si dhe probabilitet falimentim”, analizojnë ata, lidhur me një dukuri të tillë.

Duke vlerësuar kështu se bankat gjithsesi, duhet të kenë kujdes edhe kur janë të fuqishme në treg, pasi kjo mund t’u kthehet në një efekt të kundërt, nëse nuk do të dinë të ofrojnë shërbimet dhe ofertat e duhura, pikërisht falë madhësisë dhe forcës që ato kanë në tregun bankar vendas.

 

“Kapitali, një tampon kundër humbjeve financiare bankare”

“Kapitali vepron si një tampon kundër humbjeve financiare,  duke mbrojtur bankën nga rreziqet e paaftësisë paguese”. Ky është një tjetër konstatim i bërë nga studimi në fjalë i Bankës së Shqipërisë. Duke vlerësuar kështu sasinë e një kapitali që mund të ketë banka në themel, për stabilitetin e saj financiar. “Një sasi e mjaftueshme kapitali, e cila shërben si një amortizues dhe element mirëqenieje e bankës nga  pikëpamja e sigurisë, është gjithashtu i rëndësishëm për  veprimtarinë e përditshme  operacionale të saj. Kjo për shkak se kapitali vepron si një tampon kundër humbjeve financiare. Një nivel i mjaftueshëm kapitali u mundëson bankave të  përmbushin raportin minimal të mjaftueshmërisë së kapitalit aksioner, prandaj, supozohet se çdo politikëbërje në nivel bankar, pasqyrohet tek struktura dhe nevoja për mirëkapita-lizimin e bankës”, argumentojnë ekspertët bankarë lidhur me një dukuri të tillë. Duke shtuar se prandaj,  pritet që rreziku i aftësisë paguese të zvogëlohet me  kapitalizimin e bankës, duke i lejuar asaj të absorbojë çdo  goditje që mund të përjetojë. “Ndaj një raport i tillë pritet të jetë pozitivisht i lidhur me stabilitetin e bankës”, cilësojnë gjithashtu ekspertët.

 

“Rritja e ndërmjetësimit financiar rrit gjithashtu stabilitetin bankar”

“Rritja e ndërmjetësimit financiar rrit stabilitetin bankar”. Ky është një tjetër konstatim i bërë nga ekspertët e Bankës së Shqipërisë. E thënë më thjesht, sa më shumë veprime të kryejë një bankë, apo sa më shumë depozita dhe kredi të lëvrojë ajo, aq më e qëndrueshme paraqitet në aktivitetin e saj. “Edhe depozita, edhe kredia kanë gjithashtu një koeficient pozitiv. Kjo tregon se rritja e stokut të depozitave dhe atij të kredisë, të cilat janë burimi kryesor i likuiditetit apo i investimeve të këtyre fondeve për bankat, rrit besimin në sektorin bankar. Pra, këto rezultate sugjerojnë se besimi i sektorit bankar rritet me rritjen e ndërmjetësimit financiar”, argumentojnë gjithashtu ekspertët.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: