Bregu dhe Shaqiri... entuziazmi i tifozëve pas një ndeshjeje  

Bregu dhe Shaqiri... entuziazmi i tifozëve pas një ndeshjeje  
Historia e përbashkët e dy blerjeve të fundit nga Skënderbeu e Liverpool, Dejvi Bregu e Xherdan Shaqiri, të cilët u kthyen në idhull për tifozët pas vetëm pak ditësh dhe ndeshjes së parë miqësore  

Aranit Muraçi

Për disa lojtarë, mjafton një ndeshje, apo pak ditë që të fitojnë besimin e tifozëve. Ka të tjerë që një sezon i tërë nuk u mjafton dhe largohen pa lënë gjurmë. Futbolli është ndonjëherë i çuditshëm. Në Korçë dhe Liverpool, ndonëse për nga historia e futbollit nuk kanë ndonjë lidhje dy qytetet,  tifozët e ekipeve të tyre janë të bindur pas vetëm një ndeshje futbollistët, Dejvi Bregu dhe Xherdan Shaqiri, do të shkëlqejnë në sezonin e ri që i pret. Ata janë të dy blerjet e këtij sezoni por kanë shkëlqyer që në ndeshjen e parë.

Dejvi Bregu

Dejvi Bregut i mjafton pak kohë, qoftë edhe një gol që të kthehet në idhull. Në fakt bëhet fjalë për një lojtar, cilësitë e të cilit nuk mund të vihen në dyshim. Pas mbylljes së aventurës me Luftëtarin, ai u kthye të Skënderbeu, me të cilin kishte firmosur për dy sezone në janar. Vlonjati shënoi një gol të bukur në miqësoren përballë Trepçës. Brenda një muaji ai ka spikatur në stërvitje më Skënderbeun nën drejtimin e trajnerit Orges Shehi, duke lënë të kënaqur stafin dhe të gjithë tifozët korçarë. Bregu u ble nga Skënderbeu bashkë me Kristal Abazajn në muajin janar, por ndryshe nga shoku i tij, që u shit te Anderlekt pa luajtur asnjë ndeshje në Korçë, vlonjati iu bashkua ekipit në një moment të vështirë. Skënderbeu pavarësisht pezullimit nga Europa, me aftësitë që zotëron Bregu, dhe me përforcimet e ardhshme shpreson të mbrojë titullin kampion.

Xherdan Shaqiri  

Xherdan Shaqiri i ka mjaftuar ndeshja e parë. Pas kalimit nga Stoke te Liverpool për 14 mln euro, Shaqiri “vjedh” vëmendjen dhe shpërthen me një gol që i befasoi të gjithë në miqësoren ndaj Manchester United, që u zhvillua në Çigago.  Ai realizoi në fitoren 4-1 me rrofeshatë, duke fituar përnjëherë besimin e tifozëve. Tifozët e Liverpool janë surprizuar nga futbollisti me origjinë shqiptare i Zvicrës, për të cilin thonë të bindur se është më cilësor Philippe Coutinho. “Gjithnjë e kam thënë që kur firmosi, se Shaqiri është më i mirë se Philippe Coutinho,” shkroi një tifoz i Liverpool. Edhe të tjerët kanë lavdëruar paraqitjen e tij, ndërsa largimi i Coutinho duket se është harruar. Trajneri Jurgen Klopp nuk e fshehu gëzimin nga paraqitja e Shaqirit, duke u shprehur se ishte i bindur më herët për aftësitë e tij.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: