BREAKFASTI KU U SHTRUAN PADREJTËSITË – OPINION NGA FRROK ÇUPI

BREAKFASTI KU U SHTRUAN PADREJTËSITË – OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

A bëhen padrejtësi mes fuqive të mëdha, SHBA dhe BE, aleatët tanë të ëndërruar?

“Apostujt” që shpesh herë i kemi kthyer në shtete “mite”, mblidhen në “breakfast”, jo si në Darkën e Fundit të Da Vincit, por me konflikte nëpër duar.

Në vaktin e mëngjesit të mërkurën 11 korrik, që u quajt edhe “breakfast bilateral” mes presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe Sekretarit të NATO-s, Jens Stoltenberg, nuk kishte paqe. Mbi pjatat ende të boshatisura që u dukën në fotot e publikuara nga media perëndimore, u shtruan padrejtësitë mes aleatëve perëndimorë. Lufta e liderëve të BE-së, kundër “luftës së tregjeve” të promovuar pas tarifave të shpallura nga presidenti Trump..., marrëdhëniet e shteteve anëtare në Aleancën e Atlantikut Verior (NATO) dhe pagesat për mbrojtje..., qëndrime të dyfishta të Gjermanisë ndaj Rusisë..., - këto kanë prodhuar rrezikun e çarjes së aleancave mes Shteteve të Bashkuara dhe Europës. Zoti Donald Trump - u tha nga diplomatët - ka vendosur të përdorë gjuhën e drejtpërdrejtë. Vënia e padrejtësive mbi tavolinë, do ta “shpëtonte Aleancën”.

Breakfasti i Brukselit, u pa si vendi më i përshtatshëm për të “shtruar” padrejtësitë mes vedi.

Presidenti Trump, gjatë gjithë kohës që udhëtonte me Air Force One, madje edhe gjatë dy ditëve para, shkruante në Twitter mbi “gropat” që ka krijuar Europa në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si në misionin e mbrojtjes së NATO-s, ashtu edhe në treg...

Liderët e BE-së, ose nuk po e besonin “stuhinë” që po vinte me Air Force One, ose u dukej vetja “fuqiplotë” për të kapërcyer përsëri mbi “gropa” padrejtësish. Donald Tusk, polaku i thërritur si i pandehur në gjykatat e vendit të tij, president i Këshillit të BE-së, para se të ulej avioni i presidentit Amerikan, lëshoi një sfidë. Ai tha se, “Amerika nuk mund të gjejë aleatë më të mirë se BE-ja”, por kërcënoi duke thënë se, zoti Trump “duhet t’i çojë aleatët”. Tusk ka vetëm emrin të përbashkët me Trump, Donald, por me ndasi të mëdha në perceptimin e aleancave...

Edhe kancelaria e Gjermanisë, Merkel, mbërriti në selinë e NATO-s, disa orë pasi kishte mbërritur Trump-i, gjë që sinjalizonte doreza për betejë mes aleatëve.

Asnjë prej liderëve të Europës, nuk mund të thotë se nuk ishte paralajmëruar për atë që do të ndodhte në samitin e NATO-s në Bruksel. Donald Trump para se të nisej drejt Brukselit, kishte shkruar: “Getting ready to leave for Europe... Takimi i parë, NATO. SHBA po shpenzon disa herë më shumë sesa shpenzon çdo vend tjetër për të mbrojtur veten. Kjo s’është e ndershme për SHBA-në, para taksapaguesve. Mbi të gjitha, ne humbim 151 miliardë dollarë në Tregun me Bashkimin Europian...”.

Edhe pse e dinë se mbrojtjen e vendeve të tyre e paguan Amerika, asnjë nga vendet e BE-së nuk i kushton më shumë se 2% të GDP buxhetit për mbrojtjen. Gjermania, edhe pse e pasur, nuk paguan as detyrimin ligjor 2%, por vetëm 1.2% të GDP-së për mbrojtjen, d.m.th., për NATO-n.

Edhe pse BE-ja, përmes Junke-rit dhe Tusk-ut ( dy zyrtarët më të lartë në BE), ka kërcënuar se do të hakmerren ndaj Amerikës për “luftën e tregut”, ata e dinë se Shtetet e Bashkuara krijon deficit me miliarda në tregun me BE-në, por kërkon të fshijë “tarifën Trump”, mbi tregtinë e mallrave me Europën. Europa duhet të paguajë dhe nuk paguan, por në vend të kësaj flet për hakmarrje dhe “prishje aleancash” nga Trump - kjo është e tëra.

Aleanca perëndimore është vënë në rrezik.

NATO prej kaq vitesh, ka përfituar mbështetjen e Amerikës “për asgjë”. Nato ka kërkuar mbrojtjen dhe mbështetjen nga Amerika, në më të shumtën e kohës pa i ofruar Amerikës asgjë, madje as shpenzimet e kryera. Sapo Shtetet e Bashkuara kërkojnë “rimbursimin” e shpenzimeve, BE-ja kërcen e thotë fraza mbi “përçarjen”.

Nëse Shtetet e Bashkuara thonë ndonjë fjalë mbi marrëveshjet në fushën e energjisë mes vendeve të Europës dhe Rusisë, atëherë do të dukej se i ke vënë fitilin. Presidenti Trump tha se, “Gjermania është totalisht e kontrolluar nga Rusia”. “Ne na kërkohet të ruajmë Europën nga Rusia, por Gjermania paguan miliarda e miliarda dollarë në vit për Rusinë dhe kjo nuk shkon”, - tha presidenti Trump.

Gjermania, edhe si “kryesuese “ e BE-së, bën lojë të dyfishtë me Rusinë, duke thyer edhe normat në skenën ndërkombëtare. Cili është roli i Gerhard Schroder në marrëveshjen e energjisë, mes Gjermanisë dhe Rusisë? Schroder-i, ish-kancelar i Gjermanisë, d.m.th., Merkel e sotme, është në rolin e presidentit të gjigandit rus të energjisë “Rosneft”. Donald Trump gjatë “breakfast bilateral”në Bruksel, e bëri të qartë se objeksioni i tij primar nuk është NATO, por Gjermania dhe pagesat për mbrojtjen.

... Mëngjesi i 11 korrikut u kthye në “breakfastin e parafundit” mes “apostujve” në padrejtësi.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: