Brazili, ndeshje ëndrrash për Belgjikën!

Brazili, ndeshje ëndrrash për Belgjikën!
Trajneri belg Roberto Martinez: Të dyja ekipet janë ndërtuar për të shënuar dhe për të fituar

Aranit Muraçi

Brazili konsiderohet favorit kryesor për fitimin e turneut të Kupës së Botës. Përballë Brazilit në çerekfinale do të jetë Belgjika, pasi trajneri i saj, Roberto Martinez, e përshkroi “një ndeshje ëndrrash” për lojtarët e tij para se dy ekipet të përballen për një vend në gjysmëfinale të premten në Kazan.

“Të dyja ekipet janë ndërtuar për të shënuar dhe për të fituar. Kundër Brazilit beteja nuk do të jetë për zotërimin e topit, por se për çfarë do të jemi në gjendje të bëjmë me të. E tillë është Kupa e Botës,” - tha spanjolli. - “Ne e dimë se ç’jemi në gjendje të bëjmë, por Brazili mbetet favorit, duke na vënë në një rol të vështirë.”

Megjithatë trajneri belg tha se, “kjo është ndeshje ëndrrash për lojtarët e mi. Ata kanë lindur për të luajtur ndeshje të tilla. Natyrshëm ne luajmë për të fituar edhe pse parashikimet flasin ndryshe.”

Martinez dhe Belgjika i shpëtuan eliminimit të parakohshëm nga Japonia, në 16-she, falë një përmbysje spektakolare të rezultatit nga 0-2, në 3-2, duke prerë biletën në tetë më të mirat.

Belgjika ka arritur në katër më të mirat e Kupës së Botës në botërorin e vitit 1986, ndërsa Brazili pesë herë kampion bote, gjysmëfinalet e fundit i arriti gjatë botërorit të  kaluar.

“Kundër një ekipi si Brazili duhet të sulmosh dhe të mbrohesh me 11 lojtarë”.

Mirëpo trajneri i Belgjikës, Martinez po përballet me vështirësi për të formuar 11-shen ideale, pasi duhet të zgjedhë mes Nacer Chadli e Marouane Fellaini, të cilët shënuan të dy në përballjen e kaluar me Japoninë, por lojtari i Manchester United u aktivizua si zëvendësues.

Fituesi i këtij takimi do të përballet me fituesin e çiftit, Francë-Uruguai, për të prekur finalen e madhe.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: