Brazil-Kroaci, finalja “më e mundshme” e Botërorit!

Brazil-Kroaci, finalja “më e mundshme” e Botërorit!
Sot dhe nesër luhen katër përballjet çerekfinale të Kupës së Botës, “Rusi 2018”

Kupa e Botës rikthehet sot me dy çerekfinalet e para dhe nesër përcaktohen katër ekipet gjysmëfinaliste. Kur Rusia zhvilloi ndeshjen e parë ndaj Arabisë Saudite, askush nuk kishte parashikuar se nga 32 skuadra pjesëmarrëse në tetë më të mirat do të mungonin ekipe si Spanja dhe Gjermania. Por botërori është një garë që nuk i njeh edhe shumë favoritët. Mjaftojnë kualifikimet e Kroacisë ndaj Danimarkës, të Anglisë ndaj Kolumbisë, apo edhe të Rusisë ndaj Spanjës, sikurse përmbysja e Belgjikës ndaj Japonisë, që edhe pjesa e mbetur e këtij botërori të mos ketë favoritë.  Bazuar mbi historinë, ambiciet ecurinë dhe forcat që kanë ekipet e mbetura, analistë të ndryshëm parashikojnë një finale Brazil-Kroaci. Në gjysmëfinale: Francë - Brazil, Suedi-Kroaci.

Francë-Uruguai

Me një Kylian Mbappe, tepër i fuqishëm që eliminoi edhe Messi-n dhe Argjentinën në fitoren 4-3, apo me lojtarë si Pogba, Griezmann, Mendy, e të tjerë, Franca sheh komoditet për të shkuar të paktën në gjysmëfinale. Franca para përballjes me Uruguain njeh 2 fitore dhe 4 barazime në gjashtë ndeshjet e fundit kundër ekipeve nga Amerika e Jugut. Uruguai shpreson në rikthimin e Edinson Cavani, i dëmtuar, si dhe shpreson te forma e Luis Suarez, megjithatë për kualifikimin nuk ka as forcën dhe as ambiciet e Francës.

Parashikimi: Franca fiton 2-1 në kohë shtesë

Brazil-Belgjikë

Nga faza e grupeve erdhën në mënyra të ndryshme. Brazili kaloi lehtësisht Meksikën për të prekur çerekfinalet, ndërsa Belgjika përmbysi shifrat e pabesueshme ndaj Japonisë. Brazili bazohet te tradita dhe historia, përveç se mbetet favorit kryesor, Belgjika kërkon ta shoqërojë me një sukses më të madhe gjeneratën e saj të artë. Fituesi i këtij takimi parashikohet se mund të arrijë finalen. Dhe për një ekip që nuk ka shkuar asnjëherë në finale do të jetë më e vështirë, sesa për atë që ka fituar pesë herë trofeun dhe kërkon të lërë pas zhgënjimin e eliminimit të turpshëm në gjysmëfinalet e kaluara.

Parashikimi: Brazil fiton 2-0

Suedi-Angli

Suedia po i gëzohet një ëndrre. Pavarësisht humbjes së vetme dramatike me Gjermaninë në fazën e grupeve, ajo është kualifikuar në çerekfinale. Pasi eliminoi edhe Zvicrën Suedia është drejt përsëritjes së suksesit të fundit, në botërorin 94’, kur preku gjysmëfinalet. Anglia, nga ana tjetër, ishte me fat që kaloi Kolumbinë. Tani skuadra e Gareth Southgate kërkon të jetë sërish në katër më të mirat, sukses që i mungon prej vitit 1990. Harry Kane, me 6 gola, tre prej pikës së bardhë, synon të shënojë sërish. Por Suedia nuk ka asgjë për të humbur dhe parashikohet të kalojë më tej, sikurse Anglia nuk do të gjithnjë fat, si me Kolumbinë.

Parashikimi: Suedia eliminon Anglinë me 11-metërsha

Kroaci-Rusi

Të zotët e shtëpisë po i gëzohen një ecurie si nëpër përralla, pasi eliminuan një nga ekipet favorite, Spanjën. Megjithatë ëndrra e tyre nuk mund të vazhdojë gjatë, sepse suksesi nuk përsëritet përballë çdo ekipi më të mirë. Kroacia është njëra prej tyre. Edhe pse e eliminoi me 11-metërsha Danimarkën, me lojtarë si Modric, Rakitic, Perisic, e Kovacic, Kroacia po sheh për të prekur finalen e Moskës, si arritjen e saj më të madhe në histori pas suksesit në Francë ’98, kur përfundoi e treta.

Parashikimi: Kroacia fiton 3-1

“Rusi 2018”- Çerekfinalet

Sot 

16:00 Uruguai –Francë

20:00 Brazil-Belgjikë

Nesër 

16:00 Suedi-Angli

20:00 Rusi-Kroaci

 

Ecuria e botërorit

Gjigantët e eliminuar: Spanja, Gjermania, Argjentina, Portugalia

Surprizat: Rusia, Suedia

Gjigantët në garë: Brazil, Belgjika, Franca, Anglia

Ekipet befasuese: Kroacia, Uruguai

Shpërndajeni me miqtë tuaj: