BOTËRORI, KY MIZOR QË ZBUTI BOTËN – OPINION NGA FFROK ÇUPI

BOTËRORI, KY MIZOR QË ZBUTI BOTËN – OPINION NGA FFROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

A është ky Botërori që duam, apo erdhi dita të mos e duam më?... Miliona njerëz po hahen me veten dhe me shanset e Kupës së Botës, herë të dëshpëruar, herë ëndërrimtarë. Lajmet e çuditshme na sjellin deri akte të vetëvrasjeve për këtë “përbindësh”... Lajmi më i tmerrshëm erdhi menjëherë pasi u vendos që Botërori të zhvillohen në Katar, ku shumë emigrantë u vranë dhe u zhduken duke ndërtuar stadiumin e Kupës së Botës që do të mbahet në vitin 2022.

A është kthyer sot, Botërori i futbollit në një klub mospërfillës Viktorian?!

Kritikët e Botërorit, sot përsërisin nëpër dhëmbë: “I shkreti Rimet, sot do të terrorizohej po të shikonte Botërorin!” Por ndërkohë, janë shumë të paktë ata që dinë se cili ishte Jules Rimet. Fillestarët dhe krijuesit e veprave, sado gjigante, harrohen një ditë... Tani të gjithë në Botëror, rendin për fitime, për influenca, për korrupsion...

Megjithatë, kjo mizori kaq e madhe, nuk e bën Botërorin të pavlerë. Botërori - edhe pse “përbindësh” - përsëri mund të bashkojë kombet dhe të zbusë urrejtjen nacionaliste.

Jules Rimet, themeluesi i Kupës së Botës në futboll, në vitin 1930 kaloi Atlantikun me një vapor, për të marrë pjesë në inaugurimin e garave në Uruguaj. Në çantën e tij, ai mbante një trofe të vogël: Kupën e Botës. Rimet deklaroi se, përmes Kupës së Botës, “njerëzit do të mund të takohen në mirëbesim, pa urrejtje në zemra dhe pa fyerje në gjuhë”.

Kaq ishte, dhe sot Jules Rimet do të terrorizohej po të mësonte çfarë bëhet me botërorin... Ka fakte të tmerrshme brenda kësaj kështjelle botërore ku brohorasin, bien e ngrihen miliona e miliona.

1.

Kush është më i korruptuari, ai qëndron në krye të botërorit.

Kush e votoi që kampionati i këtij viti të zhvillohej në Rusi dhe Kupa Botërore e vitit 2022, në Qatar?! Nga 22 anëtarët e komitetit ekzekutiv të FIFA-s, dhjetë prej tyre, në mënyrë periodike janë ndaluar e liruar nën akuza për korrupsion galopant. Botërori në Rusi u vendos përmes ryshfeteve nga më të majmet në botë.

Historia e FIFA-s është një histori korrupsioni, ryshfetesh dhe mungesë lirish.

Jean-Marie Faustin Godefroid "João" de Havelange, një avokat dhe biznesmen Brazilian, u zgjodh në krye të FIFA-s në vitin 1974 dhe qëndroi aty deri në vitin 1998. Ai u zgjodh në krye të “kështjellës botërore” pesë herë me radhë, 24 vjet - sa asnjë diktator në botë. Që nga viti 1980, ai kërkoi 1 milionë dollarë për shpenzime dite çdo vit. Pas kësaj u tha dhe u deklaruar se, Hevelange ishte i korruptuar në mënyrën më spektakolare; por mbeti si një mishërim i FIFA-s, grykësi më i madh, por edhe udhërrëfyes për zhvillimin e futbollit.

2.

Cila është arsyeja, pse sot Kupa Botërore ka 48 ekipe anëtare?

Po të pyesësh FIFA-n, arsyeja është “antiraciste” dhe “parimore”. E vërteta është se, nga viti 1934 deri në vitin 1970, as që mund të mendohej se në Kupën e Botës në Futboll mund të merrte pjesë ndonjë ekip i kombit afrikan. Stanley Rose që kandidoi për president i FIFA-s në vitin 1974, shpalli aparteidin brenda FIFA-s: “Asnjë afrikan në klub”... Ai kërkoi që Europa të mbante lidershipin në FIFA. Në vitin 1968, bota kishte vetëm 16 ekipe, ndërsa në vitin 2026 do të shtohen edhe 25 ose 26 ekipe të reja, përveç 48 ekipeve që janë sot anëtare...

Zgjerimi e ka vënë futbollin në skenën me spektakolare të sporteve të botës. Shumëkush e ka përmendur FIFA-n si organizatë më demokratike se OKB-ja, sepse “nuk përfilli aparteidin dhe dallimin racor”. Por FIFA nuk ka këso parimesh, ajo e ka përdorur dhe e përdor zgjerimin për të pasuruar pafundësisht klubin.

FIFA sot merr 50 milionë dollarë për çdo vend anëtar që fut në gjirin e vet. Nga 211 anëtarë që ka FIFA, vetëm 193 prej tyre janë shtete anëtare të OKB-së... Vitet e fundit, publiku shqiptar këtu dhe në Kosovë, “qanin hallin” nëse FIFA do ta pranojë apo jo Kosovën, sepse Kosova “nuk është anëtare e OKB-së”. U ngritën patriotët qeveritar dhe mashtruan popullin se "ne po ju pranojmë në FIFA"; u poshtëruan tradhtarët, pse nuk e pranuan dot Kosovën në FIFA. Mirëpo, shtetarët kishin 50 mijë euro në vit, që i marrin nga fondet publike.

Pse thonë se, për të qenë anëtar në FIFA, duhet të jesh anëtar në OKB?

Nuk pyet FIFA për principe, as për OKB-në. FIFA kërkon 50 milionë dollarë dhe atëherë je anëtar i klubit. Kjo duhet “të mos ekzistojë”, ka deklaruar presidenti amerikan i futbollit, para se kjo “fee” të votohej. “Rimet nuk do ta kishte miratuar kurrë...” - tha ai. E vërteta është shumë korruptive për “klubin Viktorian” FIFA: Vetëm një ditë para se të niste Botërori Moskë - 2018, kongresi i 68-të i FIFA-s votoi se cili do të jetë vendi pritës i Botërorit 2026. “Garën” e fitoi Amerika e Veriut dhe pse? Arsyeja është e thjeshtë: Afrika e Veriut premtoi se do të dorëzojë 11 miliardë dollarë në favor të FIFA-s.

Ndodh një paradoks me FIFA-n: Një organizëm i korruptuar mizorisht, por që ndriçon mbi njerëzimin kur vjen puna për rolin në sport. Aq më tepër në javët shumë të “nxehta” të Kupës së Botës.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: